LIVE UPDATES
Politike

Zbardhet raporti i opozitës për heqjen e mandatit të Arben Ahmetajt

14 Korrik 2023, 10:08 Nga DOSJA
Zbardhet raporti i opozitës për heqjen e mandatit të Arben
Arben Ahmetaj

RAPORT REKOMANDUES

Për miratimin e kërkesës së Prokurorisë “Për dhënie autorizimi për “Arrestimin ose heqjen e lirisë, si dhe për të ushtruar kontroll personal  dhe  të  banesave  të  deputetit  Arben Ahmetaj” ”

Drejtuar Seancës Plenare të Kuvendit të Shqipërisë

Hartuar nga 5 (pesë) deputetët e poshtëshënuar, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin: Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Greta Bardeli, Saimir Korreshi dhe Ervin Salianji

TIRANË, MË 12/07/2023

I. HYRJE

 Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 07.07.2023 është vënë në lëvizje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila me shkresën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023, ka kërkuar nga Kuvendi, dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Arben Ahmetaj, si dhe për kontrollin personal dhe të banesës së tij. Kjo kërkesë e prokurorisë shoqërohet nga relacioni përkatës i arsyetuar, si dhe me provat e plota të administruara në seancën jo publike të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me anë të të cilit parashtrohet se Prokuroria në kuadër të procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, ka marrë si person nën hetim z. Ahmetaj, për shkak se dyshohet se ka kryer veprat penale:

• “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi

tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë nen 25 K Penal,

• “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;

• “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herëp parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.

 Me urdhrin nr. 2183/1 Prot., datë 10.07.2023, Kryetari i Kuvendit thirri mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (këtu e në vijim Këshilli për Imunitetin), duke caktuar datën 11.07.2023, ora 16.00. Këshilli për Imunitetin zhvilloi dy mbledhje në datën 11.07.2023 dhe 12.07.2023. 

Në mbledhje u shyrtua kërkesa dhe relacioni i arsyetuar i prokurorisë, u dëgjuan përgjigjet e pyetjeve drejtuar dy prokurorëve që përfaqësonin Prokurorinë, si dhe u dëgjuan mbrojtësit e zgjedhur prej deputetit Arben Ahmetaj.

Pas shqyrtimit të akteve dhe diskutimit të ҁështjes sipas dispozitave të Kushtetutës në lidhje edhe me ato të Kodit të Procedurës Penale, 5 (pesë) anëtarë të Këshillit për Imunitetin, konkluduan se Seanca Plenare e Kuvendit, duhet t’i rekomandohet miratimi i dhënies së autorizimit për “Arrestimin ose heqjen e lirisë, si dhe për të ushtruar kontroll personal  dhe  të  banesave  të  deputetit  Arben Ahmetaj”.

III. ANALIZA LIGJORE

 Ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, që u frymëzuan nga nevoja për të intensifikuar luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, reformuan thelbësisht konceptin e imunitetit parlamentar. Rregullat e reja kushtetuese kanë tentuar të afrojnë zyrtarin e lartë shtetëror me qytetarin e zakonshëm në raport me përgjegjësinë penale dhe përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Një ndryshim i tillë, erdhi si nevojë, jo vetëm e një orientimi politik qeverisës në vitin 2012, por edhe si një detyrim për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të disa  marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave spikat “Konventa penale kundër korrupsionit” e GRECO-s.

 Sipas rregullimeve normative, aktualisht deputeti ka vetëm 2 lloj imunitetesh në nivel kushtetues. Së pari, deputeti ka imunitet substancial dhe është i mbrojtur nga përgjegjësia “për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit”. Ky lloj imuniteti nuk ekziston për rastin e shpifjes.

 Së dyti, deputeti ka imunitet procedural për lirinë e lëvizjes dhe për privatësinë, që nënkupton se nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria, pa autorizimin e Kuvendit. Ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit. Për kryerjen e këtyre veprimeve procedurale nevojitet autorizim i Kuvendit. Është ky shkaku për të cilin, nga ana e Prokurorisë është paraqitur edhe kërkesa konkrete e marrë në shqyrtim nga Këshilli i Imuniteteve.

 Imuniteti procedural përfaqëson një lloj pengese procedurale, që i shfaqet sipas rastit prokurorisë apo gjykatës, për të kryer veprime hetimore të lidhura me lirinë e lëvizjes dhe privatësinë e deputetit. Në njëfarë mënyre, imuniteti procedural mbron dinjitetin e deputetit, që atij të mos i cenohet liria dhe jeta private në mënyrë abuzive, pa patur një shkak të ligjshëm nga organet ligjzbatuese. Premisa bazë, që ligjëron heqjen e imunitetit procedural është ekzistenca e procedimit penal të regjistruar sipas ligjit ndaj deputetit, që  duhet të verifikohet nga Kuvendi. Në këtë pikëpamje, Kuvendi verifikon vetëm procedurën që është zhvilluar, pa i hyrë cilësisë dhe vlerës së provave në drejtim të faktit penal dhe të autorësisë. Imuniteti procedural nuk mundet dhe nuk duhet që në asnjë rrethanë të shndërrohet në një mburojë nga pandëshkueshmëria apo si pengesë për drejtësinë. Nëse pranohet e kundërta, atëherë ҁdo akt i prodhuar është absolutisht i pavlefshëm, sepse në mënyrë të dukshme Kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe merr kompetencë për ushtrim të paligjshëm të ndjekjes penale, pra uzurpon kompetenca gjyqësore. Nëse Kuvendi shqyrton prova dhe vlerëson besueshmërinë e tyre, atëherë demokracia përballet me një rrezik flagrant: rrënohet parimi i ndarjes së pushteteve i sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës! Jo vetëm kaq, por situata shthuret dhe passjell një tërësi pasojash, që dëmtojnë pa kthim parimet e drejtësisë dhe të shtetit, ku sundon ligji. Për ilustrim, nëse Kuvendi vlerëson provat, cilësinë e provave dhe shkallën e besueshmërisë së tyre, atëherë nuk ka bërë gjë tjetër veçse vlerëson mbi fajësinë ose pafajësinë e personit në hetim/gjykim, duke vendosur respektivisht prokurorinë dhe gjykatën përpara gjykimit të kryer, duke i shndërruar ato thjesht në noterë të vlerësimit të bërë nga Kuvendi. Kjo nuk është gjë tjetër, veҁse shkatërrim i parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë, ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor.

Në këtë terren kushtetues, në rastin konkret, është detyrë e Kuvendit të verifikojë nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit, që kërkohet nga prokuroria për arrestimin e deputetit dhe për kontrollin e banesës së tij. Sipas nenit 288 të K.Pr.Penale, kërkesa për dhënien e autorizimit (për arrest, heqje lirie e ҁfarëdolloj forme, kontroll personal apo kontroll banese), paraqitet nga prokurori. Kërkesa për autorizim duhet të tregojë veprimin që kërkohet autorizimi (pra nëse do bëhet arrest, heqje lirie e ҁfarëdolloj forme, kontroll personal apo kontroll banese) dhe të tregojë se përmbushen kërkesat e Kodit për kryerjen e veprimit. Kërkesa për autorizim shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij. Ligji nuk kërkon që Kuvendi në procedurën e dhënies së autorizimit të vlerësojë cilësinë e provave apo shkallën e besueshmërisë së tyre. Kuvendi nuk mundet dhe nuk duhet të kryejë një proces të administrimit të provave të procedimit penal sepse ia ndalon këtë parimi i ndarjes së pushteteve, i sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës. Është pushtet ekskluziv, vetëm i prokurorisë dhe i gjykatës, marrja, administrimi dhe vlerësimi i provave, për të krijuar bindjen nëse duhet ngritur akuzë dhe nëse i pandehuri duhet deklaruar fajtor dhe dënuar. Kuvendi, sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale nuk ka të drejtë dhe nuk i është njohur kompetenca të verifikojë, ai vetë, provat e një procedimi penal, të vlerësojë besueshmërinë e tyre dhe të deklarojë nëse provohet fakti penal dhe autorësia e të dyshuarve.

 Një qëndrim i tillë i Kuvendit, mbështetet dhe nga aktet ndërkombëtare, të dedikuara ndaj kësaj veprimtarie parlamentare, më i spikaturi prej të cilave është dokumenti i Komisionit të Venecias, “Raporti mbi qëllimin e lënies së imunitetit parlamentar” CDL-AD(2014)011, i cili në paragrafin 168 përshkruan se:

“168. Komisioni i Venecias për më tepër vlerëson se organi parlamentar që shqyrton një kërkesë për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një shqyrtim ligjor të çështjes. Në veçanti ai nuk duhet në asnjë rrethanë, të deklarojë vetë mbi fajësinë ose jo të deputetit në fjalë, ose nëse ndjekja penale është e bazuar. Vendimi duhet të bazohet mbi faktet dhe meritat e çështjes siç i parashtrojnë autoritetet dhe deputeti në fjalë dhe jo mbi konsiderata të tjera politike apo të jashtme. ...”

 Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.

 Një qëndrim i tillë i tillë i Kuvendit, mbështetet nga dokumenti i mësipërm i Komisionit të Venecias i cili në paragrafin 162 përshkruan se:

 162. Komisioni i Venecias, në përgjithësi, konsideron se duhet të ketë një prezumim bazik që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet në të cilat nuk ka arsye të besohet se akuzat kundër deputetit në fjalë janë të motivuara politikisht. Imuniteti duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye të dyshohet për një element politiko-partiak në vendimin për të ndjekur penalisht parlamentarin në fjalë. ...”

 Në funksion të këtij qëllimi, Kuvendi, në këtë lloj procedure verifikon:

 Së pari, ekzistencën e një procedimi penal të ligjshëm;

 Së dyti, ekzistenca e kushteve ligjore për arrestin dhe kontrollin.

Së treti, në vlerësimin e këtyre kushteve, Kuvendi, duhet të vlerësojë nga ana përmbajtësore disa kritere të listuara saktësisht nga dokumenti i mësipërm i Komisionit të Venecias, në paragrafët 188 dhe 189 si më poshtë:

 “188. Kur vendos nëse imuniteti parlamentar duhet të hiqet apo jo në një rast konkret duhet të merren në konsideratë kriteret e mëposhtme:

Kritere për mbajtjen e imunitetit:

- kur pretendimet janë qartazi dhe haptazi të pabazuara

- kur shkelja e pretenduar është një pasojë e paparashikuar e një veprimi politik

- kur pretendimet janë paraqitur qartësisht për motive politiko-partiake (fumus persecutionis) me qëllim shqetësimin ose intimidimin e deputetit ose ndikimin tek mandati i tij

- kur procedurat ligjore mund të rrezikojnë seriozisht funksionet demokratike të parlamentit ose të drejtat themelore të një deputeti ose grup deputetësh

 189. Kriteret për heqjen e imunitetit:

- kur kërkesa bazohet në shkaqe të drejta të rëndësishme dhe të sinqerta

- kur shkelja e pretenduar është e një natyre veçanrisht të rëndë

- kur kërkesa lidhet me sjellje kriminale që nuk lidhet ngushtësisht me përmbushjen e funksioneve parlamentare por lidhet me akte të tjera të kryera në funksione të tjera personale ose profesionale

- kur procedurat duhet të lejohen me qëllim që të mos pengohet drejtësia

- kur procedurat duhet të lejohen me qëllim garantimin e autoritetit dhe legjitimitetit të parlamentit.”

 Nga analizimi i këtyre kushteve dhe kritereve, të aplikuara në rastin e kërkesës konkrete të paraqitur nga ana e organit të Prokurorisë rezulton se:

 1. Ekzistenca e një procedimi penal të ligjshëm

 Ky kusht kërkon që Kuvendi të verifikojë se ndaj deputetit Arben Ahmetaj ka një procedim penal, që procedimi penal të jetë filluar për vepra penale që ligji i parashikon si të tilla dhe që organi i cili po procedon të ketë kompetencën e dhënë nga ligji për procedimin e veprave penale të tilla.

 Nga analiza e kërkesës së prokurorisë, relacionit shoqërues të prokurorisë, përgjigjeve të prokurorëve në mbledhje të Këshillit për Imunitetit konstatohet pa asnjë dyshim ekzistenca e procedimit penal ndaj deputetit Arben Ahmetaj. Ky procedim është regjistruar me numër 277/1 të vitit 2022 në Prokurorinë e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Veprat penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi
tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë nen 25 K Penal; “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal; dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herëp parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal; përcaktohen si të tilla nga ligji. Këto vepra penale janë parashikuar nga ligji si të dënueshme penalisht dhe kanë qenë në fuqi edhe në kohën, kur dyshohet të ketë filluar kryerja e veprës penale. Për këtë procedim është duke vepruar Prokuroria e Posacme, e cila sipas Kushtetutës dhe K.Pr.Penale është kompetente nga pikëpamja lëndore. Rrjedhimisht, nxirret përfundimi se plotësohet kushti ligjor se ndaj deputetit Arben Ahmetaj ekziston një procedim penal i rregullt nga pikëpamja e parimit të ligjshmërisë.

2. Ekzistenca e kushteve ligjore për arrestin dhe kontrollin

 Ky kusht kërkon që Kuvendi të verifikojë nëse kërkesa dhe relacioni i Prokurorisë tregojnë qartë se ekzistojnë kushtet ligjore për arrestin dhe kontrollin personal e të banesës së deputetit Arben Ahmetaj.

 Nga analiza e kërkesës së prokurorisë, relacionit shoqërues të prokurorisë, përgjigjeve të prokurorëve në mbledhje të Këshillit për Imunitetin konstatohet pa asnjë dyshim se kërkesa e prokurorisë tregon qartë kushtet ligjore për veprimet e arrestit dhe të kontrollit, në përputhje me nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale.

Më konkretisht, në kërkesën e prokurorisë evidentohen qartazi kushtet e neneve 228, 229 dhe 230 të K.Pr.Procedurës Penale, të paraqitura në mënyrë të përmbledhur si më poshtë:

 a) Dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova

 Ndaj deputetit Arben Ahmetaj ekzistojnë dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi
tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë dhe neni 25 Kodit Penal; “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë; “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herëp parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal. Një paraqitje e përmbledhur e fakteve penale në themel të këtyre veprave penale, sipas akteve të prokurorisë, jepet në rubrikën “III. Faktet” të këtij Raporti. Prokuroria tregon në mënyrë të qartë se këto dyshime të arsyeshme bazohen në një set provash që janë depozituar bashkëlidhur kërkesës dhe relacionit shoqërues.

 

b) Rreziku për procedimin

Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit për Imunitetin, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputeti Arben Ahmetaj. Pozicioni i tij si deputet i mazhorancës, pas një përvoje prej shumë vitesh në detyrën e ministrit dhe zëvendëskryeministrit, është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së tij për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal. Nga ana tjetër, sic u konfirmua edhe nga avokatët e tij, z. Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria. Sipas burimeve të hapura rezulton se ai është larguar nga Shqipëria në datën 07.07.2023, që korrespondon edhe me momentin ku organi i prokurorisë ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij. Për këtë shkak, Kuvendi duhet të veprojë pa asnjë vonesë të metejshme, duke mos ndikuar në dhënien kohë që z. Ahmetaj të humb gjurmët e vendndodhjes së tij.

c) Papërshtatshmëria e masave të tjera

 Prokuroria, në kërkesën e saj dhe në përgjigjet e dhëna përpara Këshillit për Imunitetin, treguan qartë se ҁdo masë tjetër, veҁ asaj të arrestit, është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprave penale për të cilat po procedohet dhe për shkak të pozicionit të deputetit Arben Ahmetaj. Në këtë drejtim, duhet të evidentohet se rasti konkret paraqet rrezikshmëri të shtuar, pasi ka cenuar drejtpërdrejt imazhin e institucioneve shqiptare në sytë e opinionit publik, por edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

 Së fundmi, duhet evidentuar se prokuroria, argumenton se përmbushen edhe kushtet ligjore për të autorizuar kontrollin personal dhe atë të banesës së deputetit Arben Ahmetaj. Në rastin konkret ka arsye të bazuara për të menduar se në banesën e deputetit Arben Ahmetaj fshihen prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale.

3. Vlerësimi i kritereve për lënien ose mbajtjen e imunitetin (kriteret e Komisinit të Venecias): 

Në vlerësimin në themel të çështjes për mbajtjen ose jo të imunitetit në këtë rast, duke u bazuar në rrethanat e faktit të përshkruara në materialet e paraqitura nga ana e prokurorisë, lehtësisht vërehen plotësimet e kritereve, në favor të dhënies së autorizimit (heqjes së imunitetit) duke arritur në konkluzionet për secilin kriter si më poshtë:

 • pretendimet e prokurorisë nuk janë as haptazi dhe as qartazi të pabazuara. Ajo ka shoqëruar kërkesën e vetë më relacionin përkatës dhe më një numër të lartë provash në kuptim të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.

 • Akuzat e ngritura nga ana e prokurorisë dhe kërkesa e saj për dhënie autorizimi (heqjen e imunitetit) nuk bazohen në ndonjë veprimtari poltike të deputetit.

 

• Shkeljet penale që deputetit i atribuohen, në mënyrë të qartë nuk janë të bazuara në motive politiko-partiake dhe as kanë për qëllim shqetësimin apo intidimin e deputetit apo ndikimin e mandatit të tij. Nga vetë deputeti as nuk u pretendua një motiv i tillë politik.

 • Heqja e mandatit të deputetit, nuk e vë në rrezik serioz funksionin demokratik të parlamentit as edhe të drejtat themelore të vetë deputetit apo ndonjë grupi parlamentar.

• Vetë kërkesa për dhenie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e prokurorisë se bazohet në shkaqë të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta. Ato kanë lidhje me procedimin penal, bëhen në funksion të tij, si nevoja të domosdoshme për t’u kryer.

• Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuzat) është veçanrisht e rëndë.

• Shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqja e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentar (ka qenë në funksion e ministrit).

• Dhënia e autorizimit (heqja e imunitetit) është një barrierë e vërtetë e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë.

• Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e parlamentit në sytë e publikut dhe në marëdhëniet institucionale me organet e tjera.

Veçanërisht, në arritjen e këtij konkluzioni, arritëm edhe duke qenë të ndërgjegjshëm për impaktin që do të kishte mosdhënia eventuale e autorizimit sipas kërkesës së prokurorisë.

Në një version të tillë, do të rezultonte se mbajtja apo ruajtja e një imuniteti të tillë në vetvete është një cënim i parimit kushtetues të barazisë para ligjit, i cili është thelbi i vetë Shteti të së Drejtës. Maksima “Sado lart që ti të jesh, ligji është gjithnjë mbi ty” përmbyset duke u shndërruar në “nëse je anëtar i Parlamentit, ligji nuk mund të të prekë”. Ky do të ishte sinjali më i gabuar që Parlamenti kurrsesi nuk duhet ta emetojë ndaj publikut të tij.

Së dyti, vetë rregullat e imunitetit, në thelbin e tyre kanë potencialin e madh që të keqpërdoren nga deputetët, dhe të shndërrohen prej tyre në një strehë për t’u mbrojtur nga shkeljet e ligjit prej tyre. Një vendimmarrje e tillë do të shërbente si një incentiv për të tërhequr në strehën e parlamentit njerëz më rekorde kriminale, plagë e madhe kjo dhe shume e freskët dhe aktuale e politikës aktuale shqiptare.

Së treti, rregullat e imunitetit në vetvete, dhe për më shumë akoma një vendimarrje për mbajtjen e imunitetit në rastin konkret do të minonte besimin e publikut te Parlamenti si institucion dhe do të krijonte përçmim për politikën, politikanët dhe vetë sistemin politik. Kuvendi, pa asnjë dilemë, duhet të miratojë dhënien e autorizimit sepse vetëm në këtë mënyrë, secili prej deputetëve vecmas, por edhe Kuvendi si një i tërë, tregon standardin më të lartë të sjelljes etike dhe bëhet model për të tërhequr në mjedisin politik njerëz të rinj dhe me vlera.

 Së katërti, vetë procedura e heqjes së imunitetit, mbart me vete probleme parimore kushtetuese për disa arsye:

i. nuk është e lejueshme prej Kushtetutës, që anëtarët e Parlamentit të shqyrtojnë brendinë e informacionit të mbledhur nga prokuroria dhe ta vlerësojnë atë, pasi atyre nuk iu lejohet të njihen më të dhëna private për deputetin në fjalë.

ii. deputetëve nuk iu lejohet të shqyrtojnë themelin e fajësisë apo pafajësisë, cilësinë e provave, bazueshmërinë në to, sepse kështu do të cënohej parimi i prezumimit të pafajësisë ashtu sic e kërkon edhe Konventa Europiane te Drejtave të Njeriut. Në këtë rast Kuvendi vetë do të cënonte procesin hetimor dhe gjyqësor eventual që Prokuroria ka ndërmarrë duke shkelur parimin e procesit të rregullt ligjor, e kështu kjo do të ishte njolla e zezë më e madhe për Parlamentin e një vendi, vështirësisht e shlyeshme.

iii. po ashtu, do të cënohej edhe parimi i ndarjes së pushteteve nëse deputetët do të shqyrtonin themelin e fajësisë apo pafajësisë.

Së pesti, nëse Kuvendi voton për mbajtjen e imunitetit dhe për pengimin e drejtësisë, ky veprim do të ishte goditja më energjike ndaj shpresës së publikut dhe aksionit politik brenda dhe jashtë vendit për Reformën në Drejtësi.

 Së gjashti, mbajtja e imunitetit nga Kuvendi në rastin konkret tregon haptazi mungesë vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe rrjedhimisht, përbën një hap pas në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, Kuvendi do të godasë fort pritshmëritë dhe përpjekjet e shoqërisë shqiptare për t’iu bashkuar familjes evropiane, e cila na ka vënë ndër të tjera edhe kushtin për luftën kundër korrupsionit.

Në sintezë të të gjithë analizës ligjore, dëshirojmë të evidentojmë se në nxjerrjen e rekomandimit u mbështetëm pikë së pari, në ruajtjen e interesit publik, në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, në mbrojtjen e imazhit të politikës, në mospengimin e drejtësisë, në mosndërhyrjen e kompetencave të sistemit të drejtësisë dhe në dhënien e mundësisë vetë deputetit të cilit i kërkohet heqja e imunitetit, që të pastrojë figurën e vetë politike, në mënyrë të padyshimtë, nga një autoritet i pavarur dhe i paanëshëm sic është sistemi i drejtësisë.

IV. KONKLUZIONE

Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023 të Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 277/1, të vitit 2022 për veprat penale:

• “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi

tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë dhe neni 25 K.Penal;

• “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;

• “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herëp parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.

 

ANËTARËT E KËSHILLIT:

GAZMENT BARDHI

ENKELEJD ALIBEAJ

GRETA BARDELI      

SAIMIR KORRESHI

ERVIN SALIANJI

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje