LIVE UPDATES
Ekonomi

‘Nuk duhet të bezdisim njeri’/ BIRN: Inspektoriatet zbutën sanksionet përpara zgjedhjeve

Pas zgjedhjeve, pa paralajmërim, gjithçka ndryshoi dhe gjobat nisën të grumbulloheshin menjëherë sa u mbyllën kutitë e votimit.

21 Janar 2026, 08:40 Nga D.S
‘Nuk duhet të bezdisim njeri’/ BIRN: Inspektoriatet zbutën
Edi Rama

Gjatë gjithë pranverës, ndërsa kandidatët për deputet bënin fushatë duke kërkuar votën e qytetarëve, Policia Bashkiake u bë gati e padukshme nëpër rrugët e kryeqytetit. Pas zgjedhjeve, pa paralajmërim, gjithçka ndryshoi dhe gjobat nisën të grumbulloheshin menjëherë sa u mbyllën kutitë e votimit.

“Nuk më luajti njeri deri në maj,” thotë Alma, një grua 43-vjeçare, banore e lagjes Kodra e Diellit, e cila ka marrë 5 gjoba për parkim të gabuar dhe duhet të paguajë 7,800 lekë së bashku me kamatëvonesat. “Nga muaji qershor e tutje, qenkam gjobitur sa herë kam parkuar,” shfryu ajo, ndërsa rrinte në radhë në sportelin e postës nr. 8 në Tiranë.

Si shumë qytetarë të Tiranës, Alma dyshon se disiplina e Policisë Bashkiake për të vendosur gjoba në kryeqytet varet shumë nga kalendari politik. Shifrat e siguruara nga BIRN, përmes kërkesave për të drejtën e informimit, tregojnë se vlera e sanksioneve të vendosura në kryeqytet nga ky institucion u përgjysmua në prag të zgjedhjeve.

Sipas ekspertëve, kjo rënie drastike e sanksioneve administrative, e cila nuk kufizohet vetëm te Policia Bashkiake, nuk lidhet lidhet me disiplinimin e qytetarëve, por, me shumë gjasa, me vetëdisiplinimin e institucioneve shtetërore përpara interesave politike.

“Kuptohet qartë se shteti frenon veprimtarinë e vet kontrolluese për të mos krijuar zemërim para votës,” tha Migen Qeraxhi, një nga drejtuesit e Qëndresa Qytetare, organizatë që monitoron zbatimin e ligjit gjatë fushatave zgjedhore.

“Padyshim, e gjithë kjo arrihet me koordinimin e një grupi funksionarësh publikë me ata partiakë, për të frenuar strukturat shtetërore në veprimtarinë e tyre të ligjzbatimit,” shtoi ai.

E pyetur nga BIRN mbi rënien e numrit dhe vlerës së sanksioneve me gjobë gjatë vitit 2025, Bashkia e Tiranës i tha BIRN, në një përgjigje me shkrim, se është ndjekur një qasje më e orientuar drejt parandalimit dhe ndërgjegjësimit qytetar.

“Policia Bashkiake nuk e ka si qëllim parësor vetëm ndëshkimin e kundërvajtësve, por edhe edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e rregullave dhe bashkëjetesën urbane,” tha Bashkia e Tiranës.

“Kjo qasje ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të respektimit të rregullave dhe, për rrjedhojë, në uljen e nevojës për vendosjen e masave ndëshkuese,” shtoi ajo.

Grafika e ndryshimit të vlerës se gjobave në %
Grafika e ndryshimit të vlerës se gjobave në %

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit i dhanë Partisë Socialiste të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama një mandat të katërt, të paprecedentë, në krye të vendit. Fushata zgjedhore dhe dita e votimit ishin kryesisht të qeta, por procesi u shënjua nga akuza për keqpërdorim të burimeve administrative nga Partia Socialiste.

“Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri u karakterizuan nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative nga partia në pushtet, gjë që krijoi një avantazh të padrejtë për pushtetin dhe shkriu kufirin midis shtetit dhe partisë,” shkruhet në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se shfryrja e rolit ndëshkues të inspektoriateve ishte një nga praktikat që mund të ketë influencuar votën. Sanksionet e vendosura nga Policia Bashkiake e Tiranës ofrojnë një shembull ilustrues.

Në 5 muajt e parë të vitit 2024, ky institucion vendosi 219,992 gjoba me një vlerë totale prej 422 milionë lekësh (4.2 milionë euro). Ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2025, që përkon me muajt përpara zgjedhjeve parlamentare, rezulton se numri i gjobave të vendosura është ulur me 37%, ndërsa vlera e sanksioneve ka rënë me 48%.

“Për periudhën janar-maj 2025, janë konstatuar 139,002 kundërvajtje administrative me vlerë totale 220,9 milionë lekë”, shkruan Bashkia Tiranë.

Rënia e vlerës së sanksioneve është dukshëm më e madhe se rënia e numrit të gjobave, çka tregon edhe ulje të ashpërsisë financiare të ndëshkimeve, jo vetëm të volumit të gjobave.

Eksperti i qarkullimit rrugor Mamir Hodo i tha BIRN se në uljen e sanksioneve mund të ketë ndikuar edhe arrestimi, për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, i kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Mendoj se ka ndikuar mosqenia në drejtim e z. Veliaj, çka tregon se ndikohen nga politika e njëshit”, tha ai.

Veliaj i mohon akuzat, për të cilat është shprehur se janë të motivuara politikisht. Megjithatë, nuk është vetëm Policia Bashkiake që i ka ulur sanksionet gjatë kësaj periudhe. Edhe Policia e Rrugore ka vendosur 10% më pak gjoba ndaj vozitësve në periudhën e fushatës zgjedhore.

Nëse në periudhën janar-maj 2024 numri i masave administrative është 482,083 dhe vlera e tyre afërsisht 1.6 miliardë lekë, në të njëjtën periudhë të 2025-ës janë 443,906 masa administrative me vlerë 1.4 miliardë lekë.

Policia e Shtetit nuk dha një shpjegim për rënien e numrit të sanksioneve.

Mbrojtja e territorit, “me aksione”

Nga aksioni i IKMT në Theth. Foto: Facebook.
Nga aksioni i IKMT në Theth. Foto: Facebook.

Një mëngjes korriku të vitit të shkuar, dy muaj pas fushatës elektorale dhe në kulmin e sezonit turistik, banorët e fshatit piktoresk malor të Thethit u zgjuan nga shfaqja e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që filloi të prishte ndërtime pa leje. Zinxhirët e fadromave shpejt u zëvendësuan me shpërthime tritoli. Prej andej, kryeministri njoftoi se kishte nisur një aksion kombëtar për lirimin e hapësirave publike.

Shifrat e grumbulluara nga BIRN, pranë IKMT-së, tregojnë se ky institucion e ka ulur pesë herë vendosjen e sanksioneve administrative në muajt përpara zgjedhjeve.

Në 5 muajt e parë të vitit 2024, IKMT vendosi 330 gjoba, ndërsa në vitin 2025, në të njëjtën periudhë, u vendosën vetëm 60 gjoba. Vlera e penaliteteve zbriti gjithashtu nga 896 milionë lekë, në 226 milionë lekë.

Një zyrtar i lartë i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në kushtet e anonimatit, i tha BIRN se kjo nuk është një praktikë e re dhe se është kthyer në një “normalitet sa herë që ka zgjedhje”.

Ai vuri në dispozicion shifra që tregojnë se gjobat nuk janë tkurrur vetëm në vitin 2025 – vit që kishte zgjedhje parlamentare – por edhe në vitin 2023, që kishte zgjedhje lokale.

Zyrtari i IKMT i tha BIRN se, në kohë fushate, “ne nuk duhet të bezdisim njeri”.

Vetë IKMT, zyrtarisht, pretendon se ndryshimi varet kryesisht “nga intensiteti dhe shtrirja e inspektimeve në terren, për shkak të karakterit të paparashikueshëm të konstatimeve të ndërtimeve të kundërligjshme dhe të fushave të ndryshme të punës së IKMT-së”.

Institucioni i shpjegon gjobat e larta në vitin 2024 me një aksion të Ministrisë së Brendshme për ndalimin dhe mbylljen e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit pranë akseve kombëtare.

“Praktika, por edhe shifrat, kanë treguar se ky proces përdoret politikisht në periudha zgjedhore, ku në përgjithësi sanksionet apo kundërvajtjet ligjore ulen në minimum, me qëllim që popullata të jetë sa më e kënaqur me qeverisjen e vendit,” tha për BIRN urbanisti Imeldi Sokoli.

“Numri i ulët i ndërhyrjeve ka të bëjë edhe me faktin e përfshirjes në fushatë të administratës publike,” shtoi ai.

Sipas Sokolit, gjatë çdo fushate elektorale ka një bum me ndërtime pa leje.

“Përgjithësisht, ndërtimet pa leje shtohen, pasi shfrytëzohet ky vakum pushteti në periudha zgjedhore për të ndërtuar pa leje,” tha ai.

“Ndërkohë, në periudha normale dhe jashtë viteve zgjedhore, këto zona i nënshtrohen monitorimeve të rregullta, pasi edhe presioni për të zhvilluar një pronë është më i lartë,” shtoi Sokoli.

Siguri ushqimore për zgjedhje?

Qytetare duke blere fruta dhe perime. Foto: LSA
Qytetare duke blere fruta dhe perime. Foto: LSA

Politikës së zbutjes së kontrolleve dhe ndëshkimeve administrative nuk i ka shpëtuar as sektori i sigurisë ushqimore dhe mbikëqyrja e tregjeve.

Të dhënat e grumbulluara nga BIRN tregojnë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në 5-mujorin e parë të 2025-ës, vendosi 82 gjoba, një ulje kjo krahasuar me 142 gjobat e vendosura në vitin paraardhës, kur nuk kishte fushatë zgjedhore.

“Në janar-maj 2024 vlera totale e masave ishte 25,1 milionë lekë, ndërsa në janar-maj 2025 ishte 15,4 milionë lekë”, tha AKU.

Një ish-drejtues rajonal i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit shpjegoi se ky institucion zakonisht vepron me plane kontrolli dhe vizitat e inspektorëve nëpër subjekte nuk ndryshojnë, por ndryshon sjellja e tyre.

“Në muajt e fundit para zgjedhjeve ne udhëzonim inspektorët tanë të mjaftoheshin me këshillime apo paralajmërime”, tha ish-drejtuesi i AKU.

Por vetë ky institucion thotë se ulja e numrit të gjobave nuk ndikohet nga fushata.

“Nga raportimet e kryera nga Drejtoritë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për periudhat respektive të kërkuara, rezulton se kemi një përmirësim të kushteve”, deklaroi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për BIRN.

Trendi ulës nuk i shpëton as Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, i cili rezulton ta ketë ulur me 10 herë vlerën totale të gjobave gjatë periudhës zgjedhore.

ISHMT-ja ka zbritur nga 40 në 10 gjoba, ndërsa vlera prej 10 milionë lekësh e arkëtuar në vitin 2024 ka zbritur në vetëm 1,4 milionë lekë në vitin 2025.

Megjithatë, në një përgjigje me shkrim, ISHMT mohoi gjithashtu se zgjedhjet kishin qenë faktor në uljen e sanksioneve.

“Masat administrative vendosen sipas konstatimeve të bëra në terren nga trupa inspektuese,” tha ISHMT, duke përjashtuar çdo ndikim tjetër rrethanor.

Megjithatë, edhe një drejtori tjetër në varësi të Bashkisë Tiranë që vendos gjoba në sektorë të ndjeshëm, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, rezulton të ketë përgjysmuar aksionet e saj gjobitëse gjatë fushatës.

Nga 1,436 kundërvajtje administrative të vendosura në janar-maj 2024, numri i gjobave ka zbritur në vetëm 780 për të njëjtët muaj të vitit 2025.

Sipas Migen Qiraxhi, inspektimi është shërbim në funksion të rendit dhe sigurisë publike dhe duhet të jetë i qëndrueshëm çdo muaj, pa rëndësi nëse është periudhë zgjedhore. Sipas tij, kush e deformon këtë shërbim, duhet të përballet me fuqinë e ligjit.

“Të gjithë këta individë apo struktura të përfshira në frenimin e punës së shtetit para zgjedhjeve meritojnë të hetohen dhe të vihen përpara përgjegjësisë, si struktura të organizuara në dëm të shtetit dhe të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” përfundoi Qiraxhi./Reporter.al

aku ishmt edi rama


Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet