LIVE UPDATES
Politike

INVESTIGIMI/ Tirana, e rrethuar nga pyjet në… Facebook!

Nëse në Tiranë do të kishim realisht aq pemë, sa janë raportuar nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, në Facebook, sot qytetarët e kryeqytetit do ta kishin të vështirë që të shihnin pallatet, ku jetojnë, për shkak të gjelbërimit.

25 Maj 2023, 10:38 Nga Klevin Muka
INVESTIGIMI/ Tirana, e rrethuar nga pyjet në… Facebook!
Veliaj

TIRANË- Në prag të zgjedhjeve lokale deklaratat e kryetarit të Bashkisë mbi situatën e gjelbërimit në Tiranë, sidomos ato të mbjelljes së 1 milion pemëve në 5 vite, ngritën dyshime të forta mbi vërtetësinë e këtyre pretendimeve. Raportimet në mediat sociale të krerëve të Bashkisë së Tiranës për mbjellje pemësh dhe pyllëzime vijuan gjatë gjithë gjatësisë së fushatës zgjedhore. Por kur dita e zgjedhjeve kaloi dhe shifrës së 1 milionë pemëve iu shtua dhe një premtim për një milion të tjera, vetë shifrat zyrtare të Bashkisë Tiranë përgënjeshtrojnë këto pretendime.

Nëse në Tiranë do të kishim realisht aq pemë, sa janë raportuar nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, në Facebook, sot qytetarët e kryeqytetit do ta kishin të vështirë që të shihnin pallatet, ku jetojnë, për shkak të gjelbërimit. Premtimet e Veliajt për një Tiranë të gjelbër nisën që në vitin 2015, kur në daljen e tij televizive gjatë fushatës premtoi publikisht se, nëse do bëhej kryetar bashkie, do të mbahej mend për parqet që ndërtoi, ndërsa njoftoi dhe moratoriumin për kullat.

3 vitet e para në krye të Bashkisë ishin të vakëta për fushatat e mbjelljes së pemëve nga kryetari Veliaj, ndërsa në kryeqytet lulëzonin të pashqetësuara kullat e reja. E si për të tejkaluar imazhin negativ të kullave, në vitin 2018 Veliaj hedh në publik një ide, që do ta kishte zili çdo parti e gjelbër në botë.

“Qyteti i Tiranës do të rrethohet shumë shpejt me 2 milionë pemë”, kështu deklaronte kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, në vitin 2018, kur fillimisht prezantoi projektin e Pyllit Orbital. Nëpërmjet këtij projekti ai parashikonte vendosjen e kufijve të gjelbër për kryeqytetin, që do të përcaktoheshin nga pyje të vendosura në skajet e zonës urbane të Tiranës.

Pas prezantimit të nismës, numri i pemëve të deklaruara, të mbjella u rrit ndjeshëm, të paktën në rrjetet sociale të Kryebashkiakut.

Pothuajse çdo ditë, në Facebook dhe në Instagram kryetari i Bashkisë përditësonte publikun me nismat e reja të Bashkisë që ai drejton për gjelbërimin. Postimet më të shumta janë për donacione personale të individëve, të cilët dhurojnë kryesisht nga 1 deri në 3 pemë. Më pas vijnë organizata apo biznese, që dhurojnë nga 20 pemë, deri në 400, të raportuara në një rast.

Përveç donacioneve, kur qytetarët i mbjellin vetë pemët, në rastet e tjera me këtë proces merret Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Në vitin e saj të krijimit, 2015, APR vlerësonte si arritje mbjelljen e 5.000 pemëve për 3 muaj, por pas 4 viteve në operim kjo shifër tejkalohej me 5 herë vetëm brenda një dite.

Në të njëjtën kohë. nëpërmjet Facebook-ut numri 1 i Tiranës deklaron se brenda një dite në Vaqarr janë mbjellë jo pak, por 25.000 pemë.

Veliaj: “Sot mbollëm 25.000 pemë në Vaqarr.”

Sipas ekspertit të EcoAlbania-s, Olsi Nika, kjo shifër është e denjë për një rekord botëror.

“Këto janë rekorde, që janë shumë të vështira për të qenë të vërteta. 1 pemë do minimalisht 10 minuta, në rast se gropa ka qenë e hapur më parë. 25.000 x 5 minuta = 125.000 minuta, i pjesëtojmë me numrin e punëtorëve dhe të del, sa kohë duhet realisht për ta realizuar.”

Nga fotot e kryebashkiakut Veliaj, që ua ka bashkangjitur postimeve të tij në rrjetet sociale, numri i punëtorëve nuk i kalon 50 persona. Sipas llogarive, secili prej punëtorëve duhet të punojë 41 orë pa asnjë ndërprerje për të arritur rekordin.

Rekorde të ngjashme, por jo në këto nivele, Veliaj zotohet se i ka arritur edhe në raste të tjera, kur deklaron se janë mbjellë 10.000 pemë në një ditë.

Veliaj: “Mbollëm 10.000 pemë në Farkë.”

Edhe pse në Facebook, fushata e Veliajt për mbjelljen e pemëve në Farkë vijon, në realitet të vetmet që kanë lulëzuar në zonë janë ndërtimet.

Puna për mbjelljen e pemëve, të paktën në Facebook, nuk ndaloi. Në tetor të vitit 2022 kryetari i Bshkisë deklaroi se në kryeqytet janë mbjellë plot 550.000 mijë pemë që prej krijimit të APR-së, në vitin 2015.

Numri i pemëve në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë është rreth 32.000. Bazuar në shifrat e deklaruara nga kryetari i Bashkisë, kjo do të thotë që në kryeqytet supozohet të jenë të paktën dhe 15 parqe të tjera në përmasat e Liqenit Artificial, të shpërndara në hapësira të ndryshme, por që nuk gjenden askund.

Sipas ekspertit, Olsi Nika, përveçse ky gjelbërim nuk është evident në qytetin e Tiranës, është i pamundur të realizohet edhe matematikisht në nivelet që pretendon kryetari i Bashkisë.

“Lidhur me shifrën e dhënë nga Veliaj, atë të 550.000 pemëve në 4 vite, kjo është e pamundur. I bie që të mbillen 188 pemë çdo ditë në Tiranë, për çdo ditë të vitit, por pemët funksionojnë me sezone, që janë pranvera dhe vjeshta. Periudhat e mbjelljeve janë në shkurt-mars dhe në tetor-nëntor”, – shton ai.

Ai më tej vijon, duke shpjeguar se një tjetër element, që e bën të pamundur këtë numër, është hapësira e nevojshme për çdo pemë. Një pemë do një hapësirë prej 5 metrash katrorë, nëse e llogarisim, i bie që hapësira e gjelbër në Tiranë të tejkalojë hapësirën urbane të qytetit, pra 31 km2, por ne do të kishim pyje të dendura, kur të dilnim nga Tirana, por ne këto pyje s`i shohim kund. Tirana është qyteti më pak i blertë në Europë.”

Në fakt, shifrat e kryebashkiakut ngrenë dyshime, edhe për sa i përket fizibilitetit të një aksioni të tillë. E pyetur mbi fushatat e pyllëzimit në rang territori, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha për ACQJ se në periudhën 2011-2021 kjo ministri përmes iniciativave të saj ka mbjellë mbi 1 milion e 100 mijë fidanë, duke rehabilituar një sipërfaqe pyjore, totale prej 683 hektarësh. Nisur nga kjo shifër, i bie që Bashkia e Tiranës në vitet e fundit të ketë krijuar një zonë të gjelbër prej minimalisht 300 hektarësh ose të paktën 3 km katrorë sipërfaqe e dedikuar – hapësirë për pemë.

Parku i Liqenit sot, kur ka parë ndër vite një tkurrje të madhe për shkak të lejeve të ndërtimit, të miratuara brenda kufijve të tij historikë, ka një hapësirë mesatare prej 1.8 km2, ndërkohë që nisur nga pretendimet e kryebashkiakut, i bie që të jetë mbjellë një sipërfaqe e re prej më shumë se dy herësh të tjera sa sipërfaqja e këtij parku.

Po ashtu, pretendimet e kryebashkiakut në lidhje me pemët e mbjella në Tiranë hidhen poshtë edhe nga vetë Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, e cila në një përgjigje zyrtare për ACQJ thotë se, në total në Tiranë për 6 vitet e fundit janë mbjellë pothuajse 97 mijë pemë, të tenderuara nga ky institucion, me një faturë prej 136.925.656 lekësh. Megjithatë, pyetjes së ACQJ se, sa pemë të mbjella ndër vite kanë qenë donacion, APR i është përgjigjur, duke theksuar se mbi 98 mijë drurë dhe shkurre kanë qenë donacion.

Sido që të lexohen numrat, përgjigjja e APR-së mbetët sërish shumë larg pretendimeve të kryebashkiakut Veliaj. Në të njëtën kohë, në një përgjigje paralele nga ana e Bashkisë Tiranë mbi punën e APR, kjo e fundit shprehet se APR në përiudhën 2015-Mars 2023, ka mbjellë një total prej 228,046 pemë, gjë e cila ngre dyshime të forta mbi mënyrën e kalkulimit dhe inventarizimit të investimeve të këtij institucioni, duke rënë në kontraditë të fortë me përgjigjet e mëparshme, si dhe njëkohësisht edhe me qendrimin zyrtar të Kryetarit të Bashkisë, Z. Veliaj.

Pyetjeve të ACQJ se sa prej pemëve të mbjella kanë qenë donacione të institucioneve të treta apo personave privatë, Bashkia refuzoi ti përgjigjet.

ACQJ bëri një vëzhgim të imtësishëm të faqes zyrtare në Facebook të kryetarit të Bashkisë, duke mbledhur të gjitha deklaratat e tij për pemët e mbjella në Tiranë, që prej fillimit të vitit 2019 deri në mars të vitit 2023.

Në Facebook janë raportuar rreth 42.300 pemë (përafërsisht me përllogaritje, pasi në 6 iniciativa të ndryshme nuk e ka specifikuar numrin e pemëve të mbjella).

Numri i pemëve, i raportuar në Facebook, është i ndryshëm nga shifra që deklaroi kryebashkiaku në tetor të vitit 2022 për 550,000 pemë të mbjella dhe i ndryshëm nga ajo çka thotë Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.

Por, afrimi i fushatës zgjedhore të majit 2023 solli një tjetër ritëm të kryetarit Veliaj lidhur me mbjelljen e pemëve. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, në mars të vitit 2023, deklaron se në Tiranë janë mbjellë 1 milion pemë, ndonëse vetëm 5 muaj më parë deklaronte se në total ishte mbjellë gjysma e kësaj shifre. Puna, që Bashkisë së Tiranës iu desh pesë vjet ta përmbyllte, tashmë u krye për 5 muaj.

Vetë Veliaj në mediat e tij sociale për këtë periudhë në mënyrë të rregullt ka raportuar, shoqëruar me foto, vetëm për 1.390 pemë të mbjella. Gjurmët e 448,610 pemëve të tjera nuk janë gjëkundi. Specialisti i pyjeve nga PPNEA, Ilir Shyti, tregon për ACQJ se, për mbjelljen e një numri të tillë pemësh duhet një hapësirë, që e tejkalon hapësirën urbane të kryeqytetit. “Nëse janë mbjellë me 2 metra distancë, për 1 milion pemë nevojiten 4.400 ha sipërfaqe minimalisht. Sipërfaqja e gjelbëruar e Parkut Artificial është 156 ha. ”Në këtë arsyetim, sipërfaqja e gjelbër e Tiranës duhet ta tejkalonte hapësirën e saj, urbane. Kryeqyteti është i shtrirë në zonën urbane në 40 km2. Për 1 milion pemë duhet një hapësirë prej 44 km2.

Nëse në kryeqytet do të ishin realisht 1 milion pemë, nga mali i Dajtit do të shquhej vetëm jeshilja e gjelbërimit dhe jo betoni i kullave, që në mënyrë të çrregullt tejkalojnë njëra-tjetrën në çdo cep të kryeqytetit.

Pylli Orbital, i mbetur në letër

Projekti i Pyllit Orbital, një plan ambicioz i Bashkisë së Tiranës i vitit 2018, e përcakton atë si një instrument për frenimin e konsumit të tokës (bujqësore dhe natyrore), shpërhapjes urbane, e identifikuar si kufiri fizik i zhvillimit dhe i zgjerimit të sistemit urban në mjedisin natyror.

Ky projekt përcakton 5 mjedise të ndryshme, përbërëse të të gjithë projektit, më saktë: Parkun Kombëtar të Dajtit, një zonë e mbrojtur, e përbërë kryesisht nga pyje; Zonën që rrethon Liqenin e Farkës, pika ku brezi i gjelbër depërton në qytet, duke ndërlidhur parkun me unazën e katërt dhe mjedisin urban të pjesës juglindore të kryeqytetit; Zonën ndërmjet ish-komunës së Vaqarrit dhe Farkës, e cila përbën lidhjen natyrore ndërmjet Parkut të Lumit Erzen dhe Parkut të Liqenit; zonën e kufizuar nga aksi Tiranë-Durrës, pjesë e një territori të madh, bujqësor, të përbërë kryesisht nga pyje dru-frutorësh; dhe Parku i Lumit të Tiranës, i përbërë nga hapësira më e re e gjelbër e pjesës veriore të Tiranës, pjesë e sistemit natyror të brigjeve të lumit.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe deklaratave ambicioze të kohës të kryetarit të Bashkisë, thuajse e gjithë nisma, me përjashtim të mbjelljeve të drurëve dekorativë në parqet e Liqenit dhe Farkës, ka mbetur në letër. Edhe vetë faqja e Bashkisë së Tiranës, dedikuar kësaj nisme, ka një përmbajtje anemike, me asnjë informacion, përveç planit fillestar.

Në vijim të një auditi të zhvilluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, është vërejtur një pamundësi e këtij institucioni për ta zbatuar këtë plan, duke theksuar se “projekti i Pyllit Orbital për mbjelljen e pemëve, për shkak të pamundësive financiare për mbështetje me buxhet, si dhe problematikave që lidhen me mungesën e hapësirave të nevojshme për mbjellje dhe çështjeve të pronësisë, rezulton me një nivel të ulët realizimi, megjithëse ka kaluar një pjesë e konsiderueshme e periudhës së zbatimit të këtij objektivi”.

Sipas urbanistit Rodion Gjoka, ideja e Pyllit Orbital është e gabuar në themel, nëse nuk shoqërohet me pyllëzim në zonën e brendshme të qytetit, me parqe pranë zonave të banimit.

“Ajo që shoh unë si problem me këtë qasje, janë dy gjëra. E para është që përdoret si instrument propagandistik dhe estetik, por nuk duhet parë si i tillë, të paktën për një qytet si Tirana. Tjetër për mua si ekspert, që monitoroj cilësinë e mjedisit në kryeqytet, është që nuk ka parqe urbane brenda zonave të banuara, por që qytetarët duhet të aksesojnë parqe periferike. Ideja është që një familje ka nevojë më së pakti për një park në një largësi që mund ta aksesojë në këmbë çdo pasdite, për të patur rekreacionin e përditshëm, pastaj, nëse ka aktivitete apo gjëra të tjera më të qenësishme, atëherë, po, mund t`i aksesojnë këto parqet jashtë zonës së tyre të banimit”, – shton ai.

Iniciativa e Pyllit Orbital, jo vetëm që nuk kapi objektivin e saj, por dështoi pikërisht për shkak se plani i zhvillimit të saj u bazua në hapsira gjeografike që vetë Bashkia Tiranë ka dhënë për zhvillim urban, duke filluar nga zona e Liqenit të Thatë, zona e Farkës, ku po lulëzojnë komplekset e vilave dhe kodrat e parkut Kombëtar të Dajtit. Vetë Bashkia Tiranë në përgjigje të kërkesës së ACQJ pranon që për iniciativën e Pyllit Orbital, deri më sot janë mbjellë vetëm 228.000 pemë, rreth 1/10 e objektivit  optimist.

Ndërsa fushata elektorale për zgjedhjet lokale përfundoi tashmë me kryetarin e Partisë Socialiste, që deklaroi se fondet e fushatës do të bëheshin pemë, parku i vetëm evident në kryeqytet është ai i Liqenit Artificial, i cili, edhe pse modest në pemët që përmban, vetëm 32 mijë, arrin të shquhet përkrah rivalëve me plot 1 milion të tilla. Tashmë Tirana përgatitet për objektivin e rradhës ambicionz të Bashkisë, 2 milionë pemë brenda 2030, pavarësisht se pesëqind mijë u mbollën vetëm në 5 muaj, të paktën në media sociale.

Përtej pyllëzimit masiv të shquar në mediat sociale të Bashkisë Tiranë dhe Kryetarit të saj, banorët e Tiranës vërejnë mbjellje masive të ndërtesave të betonit, me 382 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, më një sipërfaqe totale prej 1.8 milionë metra katrorë, vetëm për vitin 2022, kundrejt “1 milionë pemëve” të mbjella në më shumë se 7 vite.

Marrë nga ACQJ

klevin muka erion veliaj

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni