LIVE UPDATES
Editorial

Superfuqi e lodhur, bota që ndërtoi Perëndimi pas Pearl Harbor po plasaritet

29 Janar 2022, 06:51 Nga DOSJA
Superfuqi e lodhur, bota që ndërtoi Perëndimi pas Pearl Harbor po

Nga “The Economist”

Amerika nuk është më aq e gatshme për ta ruajtur atë, shkruan The Economist

Pearl Harbor është një pikë kyçe e trajektores së Amerikës në Luftën e Dytë Botërore. Në njërin skaj, është ngritur një memorial mbi mbetjet e fundosura të USS Arizona, një luftanije e shkatërruar gjatë sulmit të befasishëm të Japonisë, më 7 dhjetor 1941. Shumica e 1177 marinarëve që humbën jetën në bord, mbetën të varrosur në rrënoja. Në skajin tjetër, duket pamja e luftanijes USS Missouri. Pikërisht në bordin e saj, gjenerali Douglas MacArthur pranoi dorëzimin zyrtar të Japonisë perandorake, duke i dhënë kështu fund luftës.

“Anijet janë themeli i luftës”, thotë James Neuman, historian i cili ka studiuar Pearl Harbor. “Trashëgimia e tyre mbetet me ne çdo ditë”. Familjet e veteranëve të vdekur ende vijnë për të shpërndarë hirin e tyre në ujë. Rreth 30 të mbijetuar nga sulmi morën pjesë në një ceremoni së fundmi për të shënuar 80-vjetorin e ngjarjes.

“Kjo datë do të mbahet mend në histori si një ngjarje e tmerrshme”, tha Franklin Roosevelt. Ajo e ndryshoi vendin e Amerikës në botë. Shteti braktisi izolacionizmin dhe ‘me të drejtë’, hyri në luftën në Paqësor. Katër ditë më vonë, Hitleri i shpalli luftë Amerikës, duke bërë që ajo t’i bashkohej luftës edhe në Europë.

Fitorja në konfliktin global, e përshpejtuar nga përdorimi i armëve bërthamore kundër Japonisë, e vendosi Amerikën si fuqinë dominuese në botë, duke mposhtur më pas edhe Bashkimin Sovjetik në Luftën e Ftohtë.

Trazirat në Botën e Re

Por këto kohë, rendi global që ndërtuan Amerika dhe aleatët e saj gjatë dekadave, po prishet, mbi të gjitha sepse presidentët e njëpasnjëshëm amerikanë, kanë humbur besimin në parimet e tij. Barack Obama vendosi një vijë të kuqe kundër përdorimit të armëve kimike nga Siria, por nuk e zbatoi atë. Ai u tërhoq nga Iraku në vitin 2011, dhe u detyrua të kthehej pasi xhihadistët zunë boshllëkun e lënë nga Amerika. Donald Trump përqafoi diktatorët, kërcënoi se do të braktiste aleatët dhe u përpoq të çmontonte institucionet dhe normat ndërkombëtare që Amerika i kishte përkrahur prej kohësh.

Joe Biden, pasi deklaroi se “Amerika është rikthyer”, u largua në mënyrë kaotike nga Afganistani, pa u konsultuar as me aleatët. Politika e tij e jashtme është e ngjashme me Trump në proteksionizmin e saj. Për më tepër, zoti Trump ende mbizotëron në Partinë Republikane dhe mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025. Një Amerikë që dikur zhvilloi një “luftë kundër terrorit” global dhe u përpoq të demokratizonte botën myslimane, tani është trazuar nga brenda.

Ndërkohë, në botë mund të ndihet kudo jehona e viteve të kaluara që nxitën fillimin e luftërave. Shumë vende po vuajnë nga pandemia, gjendja e keqe ekonomike dhe pakënaqësitë politike. Në Europë, një fuqi revanshiste, tashmë Rusia dhe jo Gjermania naziste, po rrit trupat ushtarake dhe po kërcënon një fqinj – Ukrainën.

Në Azi, një fuqi në rritje, tashmë Kina dhe jo Japonia perandorake, po armatoset dhe është rritur frika se mund të pushtojë Tajvanin. Ajo kërkon të eliminojë ndikimin e Amerikës në Azi. Dhe ideja e zbatimit të kontrollit të armëve, si një mjet për ruajtjen e paqes, po rezulton po aq e vështirë sa në vitet 1930, me Iranin dhe Korenë e Veriut që u rezistojnë përpjekjeve për të frenuar programet e tyre bërthamore.

Një tjetër jehonë nga e kaluara është shfaqja e një shkolle amerikane të mendimit që përkrah “frenimin” në politikën e jashtme. Ky nuk është si izolacionizmi i stilit të viteve 1930: “frenuesit” e sotëm e pranojnë se Amerika kishte të drejtë që luftoi fuqitë e Boshtit, por ata kërkojnë që vendi të mos ndjekë më një “supremaci globale”.

Pa dyshim, ka shumë gjëra të ndryshme në krahasim me tetë dekada më parë. Përhapja e armëve bërthamore e bën edhe më të frikshëm konfliktin e fuqive të mëdha, por gjithashtu edhe më pak të mundshëm. Konfigurimi i aleancave globale ka ndryshuar: Japonia dhe Gjermania janë tashmë në kampin amerikan; Kina dhe Rusia po afrohen më shumë me njëra-tjetrën. Dhe pas dekadash globalizimi, bota është më e ndërvarur ekonomikisht. Megjithatë, vetëdyshimi i Amerikës, dyshimi për globalizimin, politikat nacionaliste dhe politikëbërja e paparashikueshme, i shtyjnë aleatët të vënë në dyshim besueshmërinë e fuqisë amerikane. Për çfarë është ende e gatshme të luftojë Amerika?

Telashet në batalione

Si fuqia më e madhe e botës, Amerika përballet me shumë probleme, nga lufta në Etiopi, deri te paqëndrueshmëria në Amerikën Latine që po i shtyn emigrantët në kufirin e saj jugor. Megjithatë, janë pikërisht mosmarrëveshjet me Kinën, Rusinë dhe Iranin, që pritet të testojnë aftësinë e zotit Biden. Është joshëse që t’i shohësh ato si shenja të rënies së Amerikës.

A janë frymëzuar këto tre shtete nga dështimi amerikan në Afganistan? Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë e kundërshton këtë ide: të tre shtetet po veprojnë jashtë “dinamikës themelore” që i paraprin zgjedhjes së zotit Biden. Kina dhe Rusia janë të motivuara nga irredentizmi, nga frika se Tajvani dhe Ukraina po u shpëtojnë nga duart. Ndërsa Irani po shfrytëzon politikën e krijuar nga Trump, kur shfuqizoi marrëveshjen bërthamore të Obamës në vitin 2018.

Zoti Biden është përpjekur t’i qetësojë gjërat përmes diplomacisë. Në një samit online, ai e paralajmëroi Vladimir Putin, udhëheqësin e Rusisë, kundër pushtimit të Ukrainës. Muajin e kaluar, në një takim të ngjashëm me Xi Jinping, presidentin e Kinës, Biden tha se ishte thelbësore që “të sigurohej se konkurrenca midis vendeve tona të mos kalojë në konflikt, qoftë i qëllimshëm apo i paqëllimshëm”. Ndërkohë, në Vjenë, diplomatët amerikanë dhe iranianë kanë rinisur negociatat bërthamore pas një pushimi pesëmujor.

Por aftësia e Amerikës për t’u përballur me fërkimet, varet edhe nga vullneti i saj për luftë. Strategët “luftarakë” kanë besuar prej kohësh se Amerika duhet të jetë e aftë dhe e gatshme që të përdorë forcën jo vetëm në një konflikt, por në disa konflikte njëkohësisht. Megjithatë, këto kohë, mendimtarët kryesorë të politikës së jashtme, po argumentojnë gjithnjë e më shumë se Amerika nuk mund të përpiqet më të bëjë gjithçka dhe duhet të zgjedhë se ku ta përqendrojë vëmendjen e saj politike dhe burimet e saj të kufizuara.

Përkrahësit e “politikës së frenuar” shkojnë edhe më tej: shumë prej tyre mendojnë se asnjë nga tre krizat e afërta nuk ia vlen për të filluar një luftë dhe se çdo ngritje ushtarake që synon t’i shmangë ato, në fakt mund ta bëjë konfliktin edhe më të mundshëm. Në librin “Nesër, Bota”, Stephen Wertheim nga Carnegie Endowment for International Peace, institut në Uashington, argumenton se ndodhi një transformim në të menduarin strategjik të Amerikës, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, midis periudhës së pushtimit të Francës në qershor 1940 dhe sulmit në Pearl Harbour.

Pasi kishin besuar se neutraliteti ishte i nevojshëm për të mbrojtur demokracinë amerikane dhe se rendi botëror mund të ruhej nga institucionet ndërkombëtare, politikëbërësit amerikanë më pas arritën në përfundimin se tani e tutje, ky rend duhej të mbështetej me fuqi të armatosur. Tani, argumenton zoti Wertheim, e kundërta është e vërtetë.

Primacia “e bën Amerikën më pak të sigurt”, thotë ai. “Ajo e kthen atë në armik të kombeve, të cilët më pas marrin masa kundër Shteteve të Bashkuara, e cila më pas merr masa kundër tyre, e kështu me radhë”. Doktrina Carter, e shpallur në vitin 1980, është një rast i tillë.

Ajo pohonte se çdo përpjekje nga fuqitë e jashtme për të fituar kontrollin e Gjirit Persik të pasur me naftë, do të konsiderohej si një sulm ndaj interesave jetike amerikane. Amerika u tërhoq më pas në problemet e pafundme të Lindjes së Mesme. Shumë shpesh, thotë zoti Wertheim, Amerika ka plotësuar dëshirat e Izraelit dhe aleatëve të saj arabë.

Qendra e kësaj rryme të re mendimi është Quincy Institute for Responsible Statecraft, një think-tank në Uashington i krijuar në vitin 2019, nga Charles Koch, financues i kauzave të krahut të djathtë, dhe nga George Soros, mbështetës i grupeve liberale ndërkombëtare. Instituti Quincy përkrahu tërheqjen amerikane nga Afganistani. “Ne u inkurajuam shumë nga vendimi i Biden”, thotë Andrew Bacevich, presidenti i saj.

Ai i kërkon zotit Biden të largohet edhe nga Lindja e Mesme. Ai gjithashtu mendon se Amerika, me kalimin e kohës, duhet të tërhiqet edhe nga NATO dhe të mbyllë shumicën e 750 bazave dhe depove të saj ushtarake në të gjithë globin (shih hartën).

Ide të tilla kanë rrënjë të thella. Ky institut e ka marrë emrin nga presidenti i gjashtë i Amerikës, John Quincy Adams, i cili deklaroi se Amerika “nuk duhet të shkojë jashtë vendit, duke kërkuar të gjejë përbindësha për të shkatërruar”. Në fjalimin e lamtumirës në vitin 1796, Xhorxh Uashington i kërkoi kombit të ri që “të largohej nga aleancat e përhershme në botën e huaj”.

Megjithatë, politika e Institutit Quincy konsiderohet tepër e ashpër nga shumica e politikanëve. Komentatorët e dënojnë atë, duke argumentuar se rrezikon stabilitetin global dhe vetë sigurinë e Amerikës, dhe se ajo ka një qëndrim të butë ndaj abuzimeve kineze me të drejtat e njeriut.

Opinioni publik është i ndarë. Një sondazh nga Chicago Council on Global Affairs verën e kaluar, zbuloi se amerikanët e miratonin tërheqjen nga Afganistani, por nuk ishin aspak gati për të braktisur epërsinë amerikane në botë. Për herë të parë, shumica favorizonte mbrojtjen e Tajvanit.

Richard Fontaine, kreu i Qendrës për një Siguri të Re Amerikane, një institut kërkimi, thotë se opinioni midis ekspertëve të politikës së jashtme është gjerësisht i ndarë sipas brezave: studiuesit e rinj, të dëshpëruar nga vitet e luftës së pafrytshme në Irak dhe Afganistan, shpesh janë dashamirës ndaj idesë së politikës së frenuar.

Zelli për të eksportuar demokraci është pakësuar. “Ka një zhgënjim të madh me rolin misionar”, vëren ai. “Ata thonë, ‘pas Trump, trazirave në Kapitol dhe Covid-19, a jemi ne vërtet në gjendje të reklamojmë sistemin tonë?’”

Këto ide kanë depërtuar në Uashington – si midis atyre që duan të reduktojnë angazhimet e Amerikës në nivel global, ashtu edhe midis luftarakëve që duan që Amerika të bëjë më pak në Lindjen e Mesme dhe Europë, dhe të drejtojë vëmendjen dhe burimet e saj drejt Azisë dhe Paqësorit. Po vetë zoti Biden? “Nga njëra anë, ai duket si tipi ynë”, thotë zoti Bacevich. “Nga ana tjetër, shpenzimet e mbrojtjes po rriten pa ndonjë arsye të veçantë. Dhe administrata duket se po anon nga ideja e një lufte të ftohtë me Kinën. Tani për tani, Biden nuk është aspak i qartë”.

Disa nga politikat më të rëndësishme të sigurisë kombëtare të administratës Biden mbeten ende të pamiratuara. Administrata nuk ka publikuar ende një strategji zyrtare të sigurisë kombëtare dhe “qëndrimi” i saj bërthamor është në shqyrtim. Shumë poste të rëndësishme në sigurinë kombëtare dhe në trupin diplomatik mbeten ende bosh.

Udhëzimi i përkohshëm i zotit Biden për sigurinë kombëtare, i publikuar në mars, thekson rigjenerimin ekonomik në vend si themelin e fuqisë amerikane jashtë vendit. Ai zgjerohet mbi kërcënimet globale. Pandemitë, ndryshimet klimatike, kërcënimet kibernetike dhe të tjera, konsiderohen si “rreziqe të thella dhe në disa raste, ekzistenciale”. Theksohet gjithashtu një garë globale midis demokracive dhe autokracive, të udhëhequr nga Kina (e vetmja fuqi që administrata e konsideron të rrezikshme për Amerikën) dhe Rusia (e cila luan një rol përçarës).

Zoti Biden ka kërkuar rigjallërimin e aleancave dhe partneriteteve të Amerikës. Ai mblodhi aleatët e Amerikës për mbrojtjen e demokracisë në një samit të madh online. Por axhenda ishte e vakët; veprimet konkrete janë lënë për t’u diskutuar në një mbledhje pasuese vitin e ardhshëm. Eventi u quajt një samit “për” demokracinë, jo një takim “i” demokracive.

Për sa i përket fuqisë ushtarake, udhëzimi deklaron se “përdorimi i forcës ushtarake duhet të jetë zgjidhja e fundit, jo e para. Diplomacia, zhvillimi ekonomik dhe mjetet ekonomike duhet të jenë instrumentet kryesore të politikës së jashtme amerikane”. Roosevelt i dha përparësi Europës mbi Azinë në përpjekjet e luftës, edhe pas Pearl Harbour.

Në të kundërt, përparësia e zotit Biden është Azia, që do të thotë se ai është i prirë për t’i kushtuar më pak kohë dhe vëmendje Europës dhe gjithashtu dëshiron të dalë nga Lindja e Mesme dhe “luftërat e përhershme” të saj. Megjithatë, kthimi i parimeve në veprime politike, mund të jetë i vështirë. Rishqyrtimi i Pentagonit mbi dislokimet ushtarake amerikane, që përfundoi muajin e kaluar, e la kryesisht të pandryshuar gjurmën globale të Amerikës.

Megjithatë, për zotin Biden, puna e papërfunduar e programit bërthamor të Iranit, e bën të vështirë tërheqjen nga Lindja e Mesme. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Biden premtoi të rivendoste dhe të përmirësonte marrëveshjen bërthamore me Iranin, të nënshkruar nga Obama në vitin 2015 dhe të refuzuar nga Trump, tre vjet më vonë.

Pakti kufizonte programin bërthamor të Iranit dhe i impononte atij inspektime të forta, në këmbim të një heqjeje të pjesshme të sanksioneve. Zoti Biden ka mbajtur sanksionet që vendosi Trump për të ushtruar “presion maksimal” mbi Iranin. Por regjimi është përgjigjur duke përshpejtuar programin bërthamor dhe duke reduktuar kohën që i nevojitet për të prodhuar materiale bërthamore.

Bisedimet midis Amerikës dhe Iranit rifilluan në Vjenë, në fund të nëntorit. Por procesi tashmë po lëkundet pasi zyrtarët amerikanë e akuzojnë Iranin se nuk po negocion seriozisht. Zoti Biden është zotuar se Irani nuk do të zotërojë një armë bërthamore gjatë mandatit të tij. Zyrtarët kanë paralajmëruar se së shpejti do të ndjekin “opsione të tjera”. A do të përfshinin këto opsione edhe veprime ushtarake për të shkatërruar bazat bërthamore iraniane? Amerika ka ngurruar të bëjë kërcënime të hapura, siç ka bërë Izraeli.

“Irani mendon se rreziqet janë minimale”, thotë Ali Vaez nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një institut kërkimor. “Nuk mund të bëjmë më shumë nëpërmjet sanksioneve. Irani e ka parë tërheqjen e Amerikës nga Afganistani. Ai e di se Amerika nuk ka më vullnet për t’u përfshirë në ngatërresa ushtarake”.

Edhe nëse Irani ka të drejtë që dyshon në vendosmërinë e Amerikës, Izraeli mund të veprojë i vetëm, duke e tërhequr gjithsesi Amerikën në një luftë. Zoti Biden mund të dëshirojë ta lërë Lindjen e Mesme në fatin e saj, por në politikën e jashtme, ndikojnë edhe palët e huaja. Biden mund të detyrohet të hyjë në luftë ose nga armiku më i madh rajonal i Amerikës, ose nga aleati i saj më i madh rajonal.

Edhe në Europë, Amerika mund të përfundojë duke u përfshirë më thellë në ngatërresa, edhe pse zoti Biden do të donte që aleatët të merrnin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Rusia ka grumbulluar me dhjetëra mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës. Si një ish-republikë sovjetike, Ukraina ka humbur tashmë një pjesë të territorit të saj ndaj Rusisë (e cila aneksoi Krimenë në vitin 2014). Zyrtarët amerikanë thonë se zoti Putin është duke u përgatitur për të kafshuar edhe një herë Ukrainën, por mund të mos ketë vendosur ende nëse do ta zbatojë këtë plan. Në takimin e tyre online, Biden i dha një paralajmërim të ashpër Putin. Nëse Rusia pushton, ajo ka të ngjarë të zhytet në një konflikt të gjatë; Amerika dhe vendet europiane do të vendosin sanksione të rënda; NATO do të detyrohet të rrisë dislokimet ushtarake pranë kufijve rusë dhe Amerika do të rrisë dërgimin e armëve në Ukrainë. Megjithatë, nëse fërkimi zbutet, Amerika dhe aleatët europianë janë të gatshëm t’i ofrojnë zotit Putin dialog të gjerë për sigurinë në Europë, megjithëse kjo mund të mos përmbushë kërkesat e zotit Putin, si garancia që Ukraina nuk do të bashkohet kurrë me NATO-n.

Megjithëse zoti Biden ka shumë pak gjasa të mobilizojë trupa për të mbrojtur Ukrainën, Kurt Volker, nga Qendra për Analizën e Politikave Europiane, nuk ka dyshim se ai do të mbështeste angazhimin e Amerikës për të mbrojtur aleatët e NATO-s në Europë, duke përfshirë republikat baltike, të cilat ashtu si Ukraina, dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Megjithatë, duke vazhduar të torturojë Ukrainën, zoti Putin po përpiqet të dobësojë NATO-n duke shkaktuar përçarje midis anëtarëve të tij. Dhe çdo provokim i ri rus rrit ndjenjën e rrezikut midis anëtarëve të NATO-s në kufijtë e Rusisë. Sipas zotit Volker, rivalët e tjerë të Amerikës do të vëzhgojnë përgjigjen e zotit Biden: “Ukraina është Tajvani i Rusisë. Dorëzimi i Ukrainës është sinjali i gabuar për Kinën mbi Tajvanin”.

Dragoi kinez

“Konkurrenca e fortë” e Amerikës me Kinën shihet gjerësisht si sfida përcaktuese e politikës së jashtme të epokës. Është e vetmja çështje për të cilën demokratët dhe republikanët mund të bien dakord, pak a shumë. Biden ka ruajtur shumicën e sanksioneve dhe tarifave të zotit Trump ndaj Kinës. Pranë kodrës mbi Pearl Harbor, ku ndodhet Komanda Indo-Paqësore e Amerikës, peizazhi duket çlodhës. Admiralët dhe gjeneralët që mbikëqyrin operacionet ushtarake në gjysmën e sipërfaqes së botës, nga brigjet e Kalifornisë deri në Ishujt Maldive, vështrojnë një parajsë turistike. Avionët e fshehtë F-22 fluturojnë në qiell pas aeroplanëve që transportojnë turistë në Honolulu; siluetat e luftanijeve detare janë të dukshme nga sërfistët që presin dallgët e mëdha në Waikiki.

Por fjalimet dhe raportet e komandantëve janë vërtet të zymta. Ata thonë se Kina po armatoset më shpejt nga sa kishin parashikuar dhe ka më shumë anije luftarake se marina amerikane. Ajo po zhvillon mjetet e nevojshme për të pushtuar Tajvanin, të cilin e konsideron si territorin e vet, dhe për të shmangur çdo forcë amerikane që mund t’i dalë në mbrojtje.

Në samitin e tyre, Xi e paralajmëroi Biden për ndërhyrjen në Tajvan: “Kushdo që luan me zjarrin, do të digjet”. Avionët kinezë shpesh sfidojnë mbrojtjen ajrore të Tajvanit. Satelitët kanë dalluar imitime kineze të aeroplanmbajtësve amerikanë që zhvendosen nëpër hekurudha në shkretëtirën Taklamakan. Raporti i fundit i Pentagonit mbi fuqinë ushtarake të Kinës, i publikuar muajin e kaluar, vlerësoi se Kina do të pesëfishojë rezervat e saj të armëve bërthamore. Testimi i armëve hipersonike nga Kina po shqetëson gjeneralët amerikanë.

Sulm i drejtpërdrejtë

Disa gjeneralë hamendësojnë se Xi e ka marrë tashmë vendimin për të pushtuar Tajvanin, por nuk është i sigurt nëse Kina është ende mjaftueshëm e fortë për ta realizuar këtë. Nga ana tjetër, ekziston një ndjenjë se koha po mbaron: Kina mund të ndjejë se ka fuqinë e mjaftueshme për të nisur një luftë në gjysmën e dytë të kësaj dekade. Megjithatë, analistët e politikës kineze, priren të besojnë se udhëheqësi kinez do të tregohet më i kujdesshëm.

Ata supozojnë se ai nuk do të dojë të rrezikojë reformat e brendshme dhe pushtetin e tij, duke nisur një operacion amfib jashtëzakonisht të rrezikshëm. “Nëse Xi përpiqet dhe dështon me Tajvanin, pushteti i tij do të marrë fund”, thotë Eric Sayers nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve, një institut kërkimi. Në samitin e tij me Biden, Xi tha se Kina do të tregohej “e durueshme” me Tajvanin.

Edhe qëndrimi i Amerikës është i pasigurt. Që nga fillimi i marrëdhënieve diplomatike me Kinën në vitin 1979, ajo ka ndjekur një politikë të “paqartësisë strategjike”, ku refuzon të thotë nëse do të dilte në mbrojtje të Tajvanit, në rastin e një pushtimi kinez. Synimi është që njëkohësisht të shkurajohet Kina nga pushtimi dhe që Tajvani të mos deklarohet zyrtarisht i pavarur, gjë që do të shihej si provokim nga Kina.

Megjithatë, zoti Biden kohët e fundit ka tingëlluar më i ashpër. Së fundmi, ai deklaroi se Amerika kishte një “angazhim” për të mbrojtur Tajvanin; në një deklaratë tjetër, tha se ishulli ishte “i pavarur”. Çdo herë, zyrtarët kanë sqaruar se nuk ka pasur një ndryshim të politikës.

“Deklaratat e Biden janë të përsosura sepse janë të paqarta”, thotë David Stilwell. Angazhimi më i qartë për të mbrojtur Tajvanin, do të ishte kundërproduktiv, argumenton ai.

“Nëse vendosni vija të kuqe, kinezët do t’i testojnë ato. Vijat e kuqe janë të mira vetëm nëse kërcënimi për t’u përgjigjur është i besueshëm”.

Tajvani është një demokraci model, prodhues jetik i gjysmëpërçuesve të avancuar dhe një hallkë e rëndësishme në zinxhirin ishullor të prodhimit, që shtrihet nga Japonia në Indonezi, dhe rrethon territorin kinez. Shumica e ekspertëve dhe zyrtarëve mendojnë se, nëse sulmohet Tajvani, zoti Biden do ta mbrojë atë.

Shumë prej tyre hamendësojnë se kinezët do të preferojnë taktikat e ndryshme në vend të një pushtimi të plotë, si sulmet kibernetike, pushtimi i ishujve periferikë, apo një bllokadë detare. Kjo do ta vendoste Amerikën në telashe nëse do të përshkallëzohej konflikti dhe do të rrezikonte një luftë që mund të çonte edhe në përdorimin e armëve bërthamore.

“Supozimi i gjerë është se është në interesin e Amerikës që të ketë një prani në formësimin e Azisë”, thotë Denny Roy nga Qendra Lindje-Perëndim, “Por kjo do të jetë më e shtrenjtë dhe më e rrezikshme. Së paku duhet të pyesim… Cila do të ishte kostoja e saj?”

Disa kritikë që përkrahin politikën e frenimit, favorizojnë ruajtjen e një pranie ushtarake në Indo-Paqësor për të “barazpeshuar” Kinën. Por Michael Swaine nga Instituti Quincy thotë se kostoja e luftës do të ishte e madhe. Shansi më i mirë i Amerikës për të ruajtur stabilitetin, nuk është që të nisë një garë armatimi me Kinën, por të angazhohet për të mos lejuar pavarësinë e Tajvanit.

Nuk mund të kesh frenim pa një shkallë sigurie”, thotë ai.

Pavarësisht se është përfolur shumë mbi një luftë të re të ftohtë, e vërteta është se garës me Kinën i mungon konkurrenca e fortë ideologjike që ishte e pranishme në rivalitetin me Bashkimin Sovjetik. Por në një mënyrë tjetër, ky rivalitet i ri është më i ashpër: Kina është një forcë ekonomike më e fuqishme se Bashkimi Sovjetik. Shumë vende që duan të përkrahin Amerikën për çështjet e sigurisë, ngurrojnë të braktisin tregtinë e tyre me Kinën.

Disa zyrtarë të lartë amerikanë parashikojnë se investimi i zotit Biden në infrastrukturën dhe teknologjinë e Amerikës, dhe problemet e brendshme të Kinës me borxhin dhe plakjen, do të fillojnë të funksionojnë në favor të Amerikës, afërsisht, pas pesë vitesh. Ata gjithashtu shpresojnë që një ditë të arrijnë ta shkëputin Rusinë nga Kina, siç ndodhi pas udhëtimit të Richard Nixon në Kinë në vitin 1972, që ndihmoi për ta larguar vendin nga Bashkimi Sovjetik. Por tani për tani, Putin duket se ka nevojë ta ketë Amerikën më shumë si armik, sesa si mik.

Ndërkohë, zoti Biden po përpiqet të forcojë rrjetin e miqve, partnerëve dhe aleatëve të Amerikës. Zyrtarët argumentojnë se shtrirja diplomatike e zotit Biden e ka vendosur tashmë Amerikën në një pozitë shumë më të mirë se sa nën drejtimin e Trump. Duke i bërë jehonë presidentit Roosevelt, ata vërejnë se Amerika është bërë “arsenali i vaksinave” në botë, duke premtuar më shumë se një miliard doza Covid-19 pa asnjë kusht. Është rënë dakord për një taksë minimale globale për korporatat. Dhe Amerika ka ndihmuar që të përparohet në luftën për të frenuar ndryshimet klimatike.

Lidhjet tregtare me BE-në janë lënë kryesisht mënjanë. Në qershor, udhëheqësit e NATO-s thanë se sjellja e Kinës paraqiste “sfida sistemike” për aleancën. BE-ja ka bërë thirrje për “një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”. Këtë muaj, ajo shpalosi një plan për të financuar infrastrukturën globale, siç ka bërë edhe Amerika, në një përpjekje për të rivalizuar nismën e Kinës “Rruga e Re e Mëndafshit”.

Në Azi, një marrëveshje e njohur si AUKUS do t’i ofrojë Australisë teknologjinë amerikane dhe britanike të nëndetëseve bërthamore. Japonia, pavarësisht historisë së saj të pacifizmit, ka sinjalizuar se do të bashkohet gjithashtu në një përpjekje të mundshme për mbrojtjen e Tajvanit. Të tre vendet, së bashku me Indinë, përbëjnë një forcë që po fiton muskuj gjeopolitikë.

Por menaxhimi i aleancave është i vështirë, edhe për një administratë që beson në internacionalizëm. AUKUS zemëroi Francën, sepse u anulua kontrata e saj për furnizimin e nëndetëseve. Shumë nga aleatët më të afërt të Amerikës janë të shqetësuar nga “rishikimi i qëndrimit bërthamor”. Zoti Biden ka thënë në të kaluarën se “qëllimi i vetëm” i armëve bërthamore të Amerikës duhet të jetë frenimi ose hakmarrja ndaj një sulmi bërthamor. Aleatët argumentojnë se, nëse miratohet rishikimi, ndryshimi do të shqetësonte aleatët që janë nën ombrellën e saj bërthamore. Disa mund të nxiten që të përpiqen të prodhojnë armët e veta bërthamore.

Një problem tjetër është mospëlqimi i Biden ndaj Partneritetit Trans-Paqësor, një marrëveshje nga 11 shtete e negociuar nga Obama dhe e rrëzuar nga Trump. Duke refuzuar t’i ribashkohet paktit, zoti Biden po e privon Amerikën nga një levë ekonomike jetike në konkurrencën e saj me Kinën. Sidoqoftë, pavarësisht nga të gjitha pengesat e Amerikës në politikë, ajo mbetet një aleat mjaft tërheqës, veçanërisht në një kohë kur po forcohen Kina, Rusia dhe Irani. Në ditën kur korrespondenti i The Economist vizitoi Pearl Harbor, një anije patrullimi britanike u ankorua së bashku me luftanijet amerikane, si pjesë e një dislokimi të ri ushtarak, gjysmë të përhershëm në rajon.

Një nëndetëse japoneze po lundronte jashtë portit, me ekuipazhin e saj të rreshtuar dhe të veshur me uniformë të bardhë ceremoniale. Nëse Amerika e ruan mbizotërimin e saj në botë, kjo do të varet nga aftësia për të mbledhur armiqtë e dikurshëm dhe miqtë e vjetër.

Marrë nga Monitor

 

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

editorial editorial james neuman joe biden missouri pearl harbor james neuman joe biden missouri pearl harbor

Sondazh

Poll
Editorial 25 Janar 2022, 17:14

Pse Rama po e bën nul rrëfimin e Veliajt

Nga Enton AbilekajTIRANË– Edi Rama u angazhua personalisht për ta bërë nul dëshminë e Erjon Veliajt per pushtetin Rilindas. Një dëshmi e regjistruar ...

Editorial 21 Janar 2022, 13:28

Zgjedhjet e pjesshme, fundi i agonisë së PD-së

Nga Enton AbilekajTIRANË– Misionarët e pajtimit të gjaqeve politike kanë filluar të mësyjnë studio televizive për të nxjerrë kandidatë të përbashkët ...

Editorial 11 Janar 2022, 19:18

Autokratët i duan votimet!

Nga Meri LikaNë gojën e Lulëzim Bashës, rrallëherë fjala demokraci ka qenë kaq e përdorur por në të njëjtën kohë dhe kaq e dhunuar, kaq e promovuar dhe në të nj...

Editorial 10 Janar 2022, 14:17

Kush vajton për PD?

Nga Arlind QoriE shtuna e hunjve dhe gazit të Bashës dhe Berishës ishte jo vetëm inskenim i një beteje mesjetare, por edhe dita kur të gjithë e kuptuan se Parti...

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni