Politike

Akuzat për portin e Durrësit, Rama ‘shënjestron’ sërish mediat dhe opozitën: Pasqyrë e ligësisë

Numri një i maxhorancës shkruan se armiqësia kundër investimit duhet t’i shërbejë durrsakëve për të parë fytyrën e “armiqve” të Durrësit.

16 Nëntor 2022, 10:03 Nga k.m.
Akuzat për portin e Durrësit, Rama ‘shënjestron’
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me akuzat e opozitës, por edhe në lajmet e mediave, për privatizimin e Portit të Durrësit. Me anë të një postimi në Twitter, numri një i maxhorancës shkruan se armiqësia kundër investimit duhet t’i shërbejë durrsakëve për të parë fytyrën e “armiqve” të Durrësit. E po ashtu, sipas Ramës qytetarët duhet të zgjedhin me kë anë janë.

"Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon,i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra!,"-shkruan Edi Rama.

Ndërkohë në një postim të dytë lidhur me të njëjtën çështje, Rama shtoi: Numri i maskaragjozllëqeve që po thuhen për projektin madhor të Portit Turistik të Durrësit, si edhe hapësira e paanë mediatike në dispozicion të të paudhëve që po e luftojnë projektin si djalli temjanin, janë pasqyra e ligësisë që e ndjek këtë vend si mallkim qysh në vitin 1912!

Reagimi i Ramës vjen pas akuzave të opozitës për portin e Durrësit dhe Mohamed Alabbar. Ky i fundit është i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall, është paraqitur nga qeveria si investitor i projektit të portit të Durrësit. Aktualisht kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore. Kompania zotëruese e aksioneve ishte Symphony Real Estate Development që pak kohë më parë i kaloi aksionet tek NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED. Opozita e quan aferën më të madhe korruptive faljen e 800 mijë metrave katrore një kompani off shore, për të cilën kryetari i PD, Sali Berisha thotë se ka si aksionerë vëllezërit Kariç. Sipas opozitës, ky është një projekt i Ramës dhe Vuçiç për të marrë portin e Durrësit.

edi rama porti i durresit

Sondazh

Poll