Politike

Presidenti/ Anulohet mbledhja e deputetëve të PD, mesazhi: PS ndryshoi qëndrim

Agalliu u dërgon mesazh deputetëve dhe anulon mbledhjen.

20 Maj 2022, 15:43 Nga DOSJA
Presidenti/ Anulohet mbledhja e deputetëve të PD, mesazhi: PS ndryshoi
Foto Demokratike

TIRANË- Partia Demokratike ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar që pritej të zhvillohej në orën 16:00. Ka qenë deputeti Arbi Agalliu ai që u ka dërguar një mesazh kolegëve të tij dhe u ka kërkuar që të mos paraqiten në mbledhjen e thirrur, për shkak se sipas tyre Partia Socialiste ka ndërruar qëndrim. 

“Pëshëndetje! Pas ndryshimit të qëndrimit të PS lidhur me procesin e zgjedhjes se Presidentit, mbledhja e sotme e grupit nuk do të zhvillohet! Ju faleminderit!”- thuhet në mesazh.

Ditën e sotme grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur një afat për opozitën për sa i përket zgjedhjes së Presidentit. Përmes një deklarate zyrtare, PS bëri me dije se Opozita duhet të sjellë emra për Presidentin e ri në dy raundet e ardhshme bashkë me firmat mbështetëse pasi PS-ja nuk do t’i bashkojë firmat për të arritur kuorumin e nevojshëm prej 20 votash për çdo kandidat për president.

“Dy dite me pare kemi rene dakord qe ne raundin e dyte dhe te trete ne nuk do propozojme kandidat dhe i takon opozites te propozoje. Propozimi per President duhet te vije dhe me firma mbeshtetese nga opozita. Nese presidenti nuk zgjidhet ne keto dy raunde, ne raundin e katert do te propozojme ne. Takimi ka qene publik dhe kjo eshte dakordesuar ne prani te mediave,”- shkruhej në reagimin e PS.

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste arritën dakordësinë që në dy raundet e ardhshme, të dytin dhe të tretin do të jetë opozita ajo që propozon kandidatët dhe më pas socialistët. Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Por Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet efektiv edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Pra edhe nëse oozita nuk merr pjesë në seancë ajo nuk e bllokon procesin. Gjithsej janë parashikuar pesë raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash, ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll