Politike

Hapen listat dhe kufizohen koalicionet/ Kuvendi kalon me 106 vota PRO ndryshimet Kushtetuese, Rama: Vendosim ne, jo ndërkombët

30 Korrik 2020, 07:04 Nga DOSJA
Hapen listat dhe kufizohen koalicionet/ Kuvendi kalon me 106 vota PRO ndryshimet

TIRANË– Me 106 vota pro dhe 10 kundër, parlamenti shqiptar ka miratuar ndryshimet Kushteutese të propozuara nga opozita e re dhe të mbështetura fort nga kryeministri Edi Rama dhe partia Socialiste. Listat e deputetëve në zgjedhjet e vitit 2021 do të jenë të hapura ndërsa koalicionet parazgjedhore nuk do të jenë si në zgjedhjet e shkuara. Deputetët u mblodhën sot në “paradën” e fundit parlamentare, një ditë para nisjes zyrtarisht të pushimeve, për t’u rikthyer në shtator në sesionin e ri parlamentar.

Ashtu siç edhe ishte njoftuar, e vetmja çështje e rendit të ditës ishin ndryshimet kushtetuese, ku edhe për të marrë fjalën ishin regjistruar shumë pak deputetë. Kujtim Gjuzi, Erion Piciri, Fatjona Dhimitri, Gjetan Gjetani, Lefter Maliqi, Adriatik Alimadhi, Suzana Topi, Zef Shtjefni, Elda Hoti, ishin deputetët që votuan kundër nismës. Ndërsa, nga ata që munguan përshëndetja erdhi nga deputeti Ralf Gjoni, i cili nuk ishte në sallë për shkak të infektimit me COVID-19 por siguroi se vota e tij do ishte pro ndryshimeve kushtetuese. 

Ndërkohë që “one man show” në Kuvend ishte për kryeministrin Edi Rama, i cili foli në sallë për gati 50 minuta. Rama iu dërgoi një mesazh ndërkombëtarëve, e konkret ambasadores amerikane për të cilën tha se “nuk më vjen mirë kur e dëgjoj të thotë se do t’ju shohim nëse do të mbani fjalën”. Kryeministri tha se për çështjet që lidhen me Shqipërinë, vendi është sovran dhe vendos vetë, duke iu treguar kështu “derën” partnerëve ndërkombëtarë. Teksa foli për listat me një mungesë optimizmi por i detyruar nga “dëshira” e popullit, Rama tha se kjo është një zgjedhje për shqiptarët.

“Koalicionet nuk do t’i ndalojmë, s’duam të ndajmë Lulin nga Mona”,-tha Rama, duke mos dhënë sqarime të mëtejshme mbi metodën sesi do të funksionojnë koalicionet. Por ai iu dha një mesazh të qartë shumë prej deputetëve të opozitës së re që janë në Kuvend se koha për ta ka mbaruar. “Në 2021 nuk do të ketë më bashkësi karikaturash, mbetje të lodhura, e bishta lopatash”,-tha Rama teksa replikoi në distancë me Kujtim Gjuzin dhe Artur Roshin. 

Vendimi i sotëm në Kuvend, pritet të sjellë një tjetër debat në skenën politike në Shqipëri. Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se ndryshimet e njëanshme kushtetuese rrezikojnë njohjen nga ana e tij të rezultatit dhe qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2021. E njëjta deklarata u riprodhua në formë elegante nga ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca. Soreca tha se qeveria duhet të punojë në mënyrë që rezultati i zgjedhjeve të 2021, të njihet nga të gjithë.

(k.m;f/g/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike opozita e bashkuar opozita e re seanca plenare 30 korrik 2020 opozita e bashkuar opozita e re seanca plenare 30 korrik 2020

Sondazh

Poll