Aktualitet

Protesta e maturantëve, Ministria e Arsimit: Kemi vlerësuar me kujdes reagimet e tyre, sot publikohen përgjigjet e testeve

14 Qershor 2020, 08:29 Nga DOSJA
Protesta e maturantëve, Ministria e Arsimit: Kemi vlerësuar me kujdes

TIRANË- Ministria e Arsimit me anë të Komitetit të Maturës Shtetrore ka reaguar sërish sot në lidhje me protestën e maturantëve. Në një reagim për mediat, KOMSH shprehet se ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve dhe të mësuesve të tyre. Më tej shtohet se QSHA do të publikojë që sot testin e plotë dhe për çdo pyetje përgjigjen e saktë, në mënyrë që çdo maturant duke u konsultuar me to, të mund të bëjë një vetëvlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në test.

Në reagim bëhet me dije Ministria i fton që sot të gjithë në një tryezë për të diskutuar konkretisht mbi cilësinë e pyetjeve të testit dhe përputhjen e tyre me programet orientuese të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.

REAGIMI I PLOTË

Komiteti i Maturës Shtetërore 2020 (KOMSH), që në ditën e parë pas provimit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve dhe të mësuesve të tyre, si dhe kërkesat adresuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke synuar mundësitë e zgjidhjes së tyre pa ndikuar në procesin e Maturës Shtetërore. Në komunikim me mësues të gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) është gjykuar që të rishihet mënyra e shpërndarjes së notave sipas pikëve të marra nga maturantët në test, për të shmangur shqetësimin e maturantëve mbi notat e tyre, gjë që ka efekt të njëjtë për të gjithë ata. Kjo do të bëhet vetëm pasi të kemi rezultatin e pikëve të marra nga maturantët.

QSHA do të publikojë që sot testin e plotë dhe për çdo pyetje përgjigjen e saktë, në mënyrë që çdo maturant duke u konsultuar me to, të mund të bëjë një vetëvlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në test. Menjëherë sapo të dalin rezultatet, maturantët krahas notës së tyre do të kenë dhe variantin që kanë pasur në provim me alternativën e saktë. Maturantët duhet të jenë të qartë dhe të bindur se puna e tyre në tri vitet e gjimnazit, si dhe puna e mësuesve, do të vlerësohet me objektivitet, duke iu garantuar se personalizimi i testit nuk sjell asnjë ndikim në vlerësimin e tyre.

Duke vlerësuar çdo koment apo sugjerim të dhënë në këto ditë në media apo rrjete sociale nga ekspertë të fushës, si dhe nga mësuesit, të cilët njohin nga afër programin dhe nivelin e nxënësve të tyre, i ftojmë ata që sot në një tryezë për të diskutuar konkretisht mbi cilësinë e pyetjeve të testit dhe përputhjen e tyre me programet orientuese të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, ashtu siç ka garantuar QSHA-ja. Nesër, maturantët kanë provimin e Matematikës dhe më pas atë me zgjedhje, për të cilët gjykuam dhe e shtuam orarin e provimit edhe me 30 minuta më shumë, meqenëse ata e kërkuan dhe ndjehen më mirë gjatë plotësimit të testit. KOMSH-i i uron suksese të gjithë maturantëve në këto provime, dhe është i gatshëm për të mirëpritur dhe adresuar çdo shqetësim të tyre.

Ky reagim vjen në një kohë kur maturantët prej tre ditësh po protestojnë kundër Ministrisë së Arsimit. Ata kërkojnë rishikim të tezës dhe rivlerësim të njohurive të tyre. Maturantët ankohen për cilësinë e testit, por Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore janë shprehur se testi nuk ka gabime shkencore. Nga ana tjetër ministria është tërhequr në dy pika, pasi koha e testeve të tjera do jetë 2.5 orë dhe ka deklaruar se mund të ketë rishpërndarje të pikëve.

(A.B. Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet matura shetetërore 2020 ministria e arsimit protesta e maturanteve matura shetetërore 2020 ministria e arsimit protesta e maturanteve

Sondazh

Poll

Aktualitet 14 Qershor 2020, 07:25

VLORË- Policia e Vlorës ka vënë në pranga 2 persona, të cilët akuzohet për 8 vjedhje të ndodhura kohët e fundit në këtë qytet. Në një njoftim për mediat, P...