Aktualitet

Shqipëria ndalon terapinë e konvertimit ndaj personave LGBTI!

16 Maj 2020, 09:35 Nga DOSJA
Shqipëria ndalon terapinë e konvertimit ndaj personave LGBTI!

TIRANËUrdhri i Psikologut në Shqipëri, vendosi sot të ndalojë terapinë e konvertimit që psikologët në vend aplikonin ndaj personave LGBTI, duke e bërë vendin tonë një ndër vendet e para në Europë ku terapi të tilla janë ndaluar. Ky vendim, merr një rëndësi të veçantë sidomos për adoleshentët LGBTI, prindërit e të cilëve shpesh i detyrojnë fëmijët e tyre të hyjnë në terapi konvertimi, me shpresën e ndryshimit të orientimit seksual apo identitetin gjinor.

Vendimi u mor pas një kërkese të Ambasadës PINK në Shqipëri, organizata kryesore për të drejtat LGBTI në vend, e cila punon për vendosjen e standarteve të reja dhe bashkëkohore në qasjen institucionale përkundrejt të drejtave LGBTI. Ambasada PINK, prej kohësh e ka parë me shqetësim përdorimin e terapisë së konvertimit edhe në Shqipëri, pasi efektet e saj kanë qënë tepër negative mbi shëndetin dhe mirëqenien emocionale të atyre që hyjnë në terapi. Ndonëse raportimet për përdorimin e terapive të tilla në Shqipëri kanë qenë të vogla në numër, lejimi i tyre ka përbërë një shqetësim serioz sidomos për mirëqenien fizike dhe emocionale të të rinjve LGBTI. Terapia e Konvertimit është një terapi që përdoret nga psikologët dhe përfshin çdo përpjekje për të ndryshuar orientimin seksual të një personi, identitetin gjinor ose shprehjet e gjinisë, njofton Ambasada Pink në Shqipëri.

Të dhënat e vendeve të tjera tregojnë se personat që kanë kryer këtë terapi janë 8.4 herë më shumë të prirur për të kryer vetëvrasje; 5.9 herë më të ekspozuar ndaj niveleve të larta të depresionit; 3.4 herë më të prirur të përdorin substanca të paligjshme. Vendimi vjen në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT), e cila festohet çdo 17 Maj në mbi 170 vende në Botë. Ai e vendos Urdhërin e Psikologut në Shqipëri, në grupin e institucioneve avangardë, jo vetëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut të komunitetit LGBTI. Në Europë janë vetëm 5 vende që e kanë ndaluar me ligj zhvillimin e terapisë së konvertimit: Spanja, Zvicra, Malta, Britania e Madhe dhe Gjermania. Shqipëria tashmë është vendi i 6-të që aplikon ndalimin e terapisë së konvertimit.

Pavarësisht se Shqipëria prej vitesh ka bërë përparime në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të komunitetit paragjykimet, diskriminim dhe dhuna në familje janë prezente në jetën e shumë personave LGBTI. Qëndrimet shoqërore ndaj komunitetit LGBT në Shqipëri janë përgjithësisht negative dhe ndër më të pafavorshmet në nivel Evropian.

(g.sh./dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet komuniteti lgbti komuniteti lgbti

Sondazh

Poll