Aktualitet

Reduktimi i parasë cash, BB i kërkon qeverisë të shpërndajë pensionet nga bankat

14 Maj 2020, 12:01 Nga DOSJA
Reduktimi i parasë cash, BB i kërkon qeverisë të

Shqipëri- Qeveria ka hapësira për dixhitalizimin e mëtejshëm të pagesave të saj në mënyrë që të reduktojë qarkullimin e parasë cash në ekonomi. Pagesat e pensioneve në banka dhe jo ne sportelet e postave dhe pagat e administratës publike direkt nga thesari në banka janë dy veprimet  para që mund të ndërmerren, rekomandoi Banka Botërore në një studim të thelluar për dixhitalizimin e pagesave. Rekomandimet janë dorëzuar në Komitetin Shqiptar të Pagesave që udhëhiqet nga Banka e Shqipërisë.

Pagesat e qeverisë (p.sh. paga e sektorit publik, pensionet, pagesa e papunësisë, etj) përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të pagesave kombëtare me pakicë (në vëllim) dhe aplikohen periodikisht. Kur dixhitalizohen, ato mund të çojnë në përfshirje më të lartë financiare, në kuptimin e qasjes dhe përdorimit të instrumenteve dixhitale. Në këtë kuptim qeveria mund të tregojë rrugën për aktorët e tjerë ekonomikë në ekonomi përsa i përket dixhitalizimit të pagesave.

Edhe pse në rastin e Shqipërisë pagesa të qeverisë janë dixhitalizuar në një farë mase, ka ende vend për të arritur dixhitalizimin e plotë nga fundi në fund. Dixhitalizimi i pagesave të qeverisë u identifikua si një nga përparësitë në Strategjinë Kombëtare të Pagesave për Shitje me pakicë.

Rekomandimet kërkojnë kanalizimin e pagesave të pensioneve përmes llogarive bankare, të cilat aktualisht shpërndahen përmes zyrave postare. Instituti i Sigurimeve Shoqërore mund të zvogëlojë kostot administrative duke kanalizuar pagesa në llogaritë bankare.

Banka Botërore gjithashtu rekomandoi zgjerimin e portalit e-Albania në lidhje me numrin e shërbimeve qeveritare (qendrore dhe lokale) që mund të paguhen direkt nga thesari në banka. Për të arritur një dixhitalizim më të plotë rekomandohet rishikimi i tarifave të shërbimeve qeveritare, duke i ndarë disa nga këto tarifa me përdoruesit.

Pavarësisht se kush paguan tarifat, përdorimi i instrumenteve dhe kanaleve elektronike duhet të stimulohet duke diferencuar tarifat për ato opsione kundrejt parave cash. Përfituesit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin llojin e llogarisë dhe institucionin për të marrë pagesën. Banka rekomandon se, thesari duhet të marrë në konsideratë derdhjen e pagave të administratës direkt në llogaritë bankare, duke u koordinuar me listat që vë në dispozicion Departamenti i Administratës Publike.

Marrë nga Monitor 

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet banka e shqipërisë banka e shqipërisë

Sondazh

Poll