Politike

Partia Zgjidhja thirrje OSBE-së: Të deklarohet për depolitizimin e plotë të zgjedhjeve

19 Mars 2019, 17:19 Nga DOSJA
Partia Zgjidhja thirrje OSBE-së: Të deklarohet për depolitizimin

TIRANË- Partia Zgjidhja ka reaguar pas deklaratës së OSBE, e cila u solidarizua me thirrjen e KQZ-së e cila u drejtuar partive politike për të dorëzuar emrat e komisionerëve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Zgjidhja në deklaratën e saj kërkon që “OSBE duhet ta ketë të qartë dhe ta shprehë publikisht se reforma zgjedhore që premtoi qeveria nuk korrigjon asgjë nga defektet e rënda të demokracisë”. 

DEKLARATA E PLOTË

OSBE të deklarohet për depolitizimin e plotë të zgjedhjeve

Prezenca e OSBE-së u solidarizua dje me thirrjen e KQZ-së drejtuar partive politike për të dorëzuar emrat e komisionerëve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. “Vonesat në propozimin e komisionerëve pengojnë trajnimin e tyre të rregullt dhe, si pasojë, vënë në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare”-deklaronte OSBE-ja, për të cilën zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet dhe partitë politike janë përgjegjëse për besueshmërinë e zgjedhjeve në sytë e zgjedhësve shqiptarë.

ZGJIDHJA e ka deklaruar se situata sot me djegien e mandateve të PD-LSI nuk është një sajesë, por është krizë e sitemit politik që është instaluar në Shqipëri në këto tri dekada tranzicion, duke krijuar në vend një rregjim hibrid. Kjo është situata më e rëndë ku ka qenë Shqipëria. OSBE duhet ta ketë të qartë dhe ta shprehë publikisht se reforma zgjedhore që premtoi qeveria nuk korrigjon asgjë nga defektet e rënda të demokracisë. Prej 25 vitesh zgjedhjet në Shqipëri janë të blera, por OSBE, në çdo raport, thotë se ato ishin një hap përpara. Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme për reformën zgjedhore është depolitizimi i administratës zgjedhore. Pa largimin e të emëruarve nga PS, PD dhe LSI nga KQZ-ja, çdo reformë është fake. OSBE-ja, që është në Shqipëri prej vitit 1991, e di shumë mirë se vjedhja e zgjedhjeve në këtë vend nuk është bërë me luftë mes partive, por me marrëveshje. Shembulli më i freskët ishin zgjedhjet parlamentare 2017 dhe rinumërimi i 64 kutive në Tiranë tregoi se ishin manipuluar rreth 90 për qind e votave dhe votat e partive ishin ndarë mes partive që kishin komisionerë. Për OSBE-në kjo nuk vlente për t’i shpallur të paligjshme zgjedhjet, sepse, sipas saj, këto nuk e ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve.

ZGJIDHJA i thotë OSBE-së se kjo është rruga antidemokratike dhe antipluraliste për të vrarë që në gjenezë partitë e reja, votat e të cilave janë vjedhur sistematikisht nga dy-tri partitë që administrojnë procesin zgjedhor. Pa plotësuar tri kushte siç janë depolitizimi i administratës zgjedhore, barazi në zgjedhje për të gjithë operatorët politikë dhe përfaqësimi i popullit në zgjedhje, përmes kandidatëve të zgjedhur prej tij jo nga kryetarët e partive, zgjedhjet në Shqipëri do të jenë vazhdimi i kompromiseve që ndërkombëtarët kanë bërë dhe bëjnë me autokratët e Tiranës.

ZGJIDHJA inkurajon OSBE-në, sa nuk është vonë, që të flakë tutje politikën e kompromiseve që ka bërë me partitë e vjetra në të shkuarën dhe të deklarohet hapur kundër një KQZ-je politike. Ajo duhet të ngulmojë për zbatimin e rekomandimeve që ka bërë vetë për reformën zgjedhore, për ta bërë atë gjithëpërfshirëse, që zgjedhjet në vend të përmbushin kriterin kushtetues: të lira dhe të barabarta.

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike komisioneret per zgjedhjet kqz osbe partia zgjidhja zgjedhjet lokale 30 qershor 2019 komisioneret per zgjedhjet kqz osbe partia zgjidhja zgjedhjet lokale 30 qershor 2019

Sondazh

Poll

Politike 19 Mars 2019, 14:41

TIRANË- Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj prish efektin ‘surprizë’ të Kongresit të Partisë Socialiste që do të mblidhet të shtunën. Veliaj ka vetësh...