Politike

Ministri Salla në Kosovë: Forcim i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë për zhvillimin e sektorit bujqësor

Gjatë takimit, palët vlerësuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis dy vendeve, me fokus në rritjen e shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore, sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe gjithë zinxhirin agroushqimor, si dhe në ndarjen e praktikave dhe përvojave më të mira.

3 Prill 2026, 12:25 Nga I.A
Ministri Salla në Kosovë: Forcim i bashkëpunimit
Andis Salla dhe Armend Muja

KOSOVË- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një vizite zyrtare në Kosovë zhvilloi një takim me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ku u rikonfirmua vullneti i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në funksion të zhvillimit të sektorit bujqësor dhe mbështetjes së fermerëve.

Gjatë takimit, palët vlerësuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis dy vendeve, me fokus në rritjen e shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore, sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe gjithë zinxhirin agroushqimor, si dhe në ndarjen e praktikave dhe përvojave më të mira.

Ministri Salla theksoi se Shqipëria po punon intensivisht për përafrimin e legjislacionit në kuadër të kapitujve 11, 12 dhe 13 me standardet e Bashkimit Europian, ndërsa u dakordësua që bashkëpunimi teknik të vijojë përmes takimeve periodike për ndjekjen e zbatimit të marrëveshjeve dhe avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Palët ndanë gjithashtu objektivin e përbashkët për ndërtimin e një tregu më të integruar, më të hapur dhe konkurrues, të mbështetur në standardet e Bashkimit Europian, digjitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e besimit reciprok mes institucioneve./Dosja.al

armend muja andis salla

Sondazh

Poll