Politike

Babai pretendon se i biri është vrarë, Lamallari: Informacionet për Ervis Martinajn i disponon vetëm Prokurori dhe OPGJ

Lamallari është pyetur ditën e sotme në lidhje me deklaratën e babait të Martinajt, i cili deklaroi se i biri është ekzekutuar në Durrës. 

3 Prill 2026, 11:27 Nga I.A
Babai pretendon se i biri është vrarë, Lamallari: Informacionet
Besfort Lamallari

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i pyetur sot nga gazetarët në lidhje me misterin e zhdukjes së Ervis Martinajt, ka deklaruar se nuk mund të jap informacione si një titullar politik që është. Lamallari është pyetur ditën e sotme në lidhje me deklaratën e babait të Martinajt, i cili deklaroi se i biri është ekzekutuar në Durrës. 

Ministri deklaroi se nuk mund të përfshihet në këtë çështje, por theksoi se informacionet i disponojnë oficeri i policisë gjyqësore dhe prokurori i çështjes.

”Kjo ngjarje që ju referoni është një ngjarje konkrete që do të thotë se kërkesa juaj për koment nga ana ime nuk mund të adresohet sepse do të kërkonte përfshirjen e një titullari politik në çështje operacinale. Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve të bëra nga policia e shtetit e bën vetëm prokurori i çështjes. Këto informacione i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre dhe porositë e deleguara nga prokurori i çështjes që bëjnë vlerësimin e nivelit të hetimit. Kështu që nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime aq më tepër për afate, sepse afatet përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes”, tha Lamallari.

Ervis Martinaj, i cilësuar për vite me radhë si “mbreti i bixhozit” në Shqipëri, ishte një biznesmen i fuqishëm në sektorin e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Ai ishte themelues i kompanive të mëdha si “King Casino” dhe “Albania Baste Live”, duke ndërtuar një perandori financiare që u bë shënjestër e autoriteteve ligjzbatuese për pastrim parash, veprimtari të paligjshme dhe lidhje me botën e krimit të organizuar.

Përveç përfshirjes në biznese të dyshimta, emri i tij lidhet edhe me disa ngjarje kriminale, përfshirë përplasjen me armë në zonën e ish-Bllokut në vitin 2018, ku një person mbeti i vrarë dhe vetë Martinaj u plagos. Prej asaj kohe, ai ishte në qendër të vëmendjes mediatike dhe të hetimeve të vazhdueshme nga policia dhe SPAK.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej fillimit të gushtit 2022. Kontakti i fundit i dokumentuar ishte më 8 gusht të atij viti, kur u pa për herë të fundit në një zonë të Tiranës, duke u larguar me një automjet luksoz. Kamera sigurie e kanë filmuar pranë zonës së “Zogut të Zi”, ndërsa që nga ajo ditë, asnjë informacion i besueshëm nuk është dhënë për vendndodhjen apo fatin e tij.

Dy janë pistat kryesore që janë shqyrtuar nga autoritetet: mundësia që Martinaj të jetë vrarë nga grupe kriminale kundërshtare, apo që ai të ketë inskenuar zhdukjen për t’i shpëtuar ndjekjes penale dhe hakmarrjeve. Megjithatë, hetimet nuk kanë arritur të sjellin prova përfundimtare për asnjërën prej tyre, ndërsa familjarët e tij kanë pretenduar se ai është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur.

Pas zhdukjes së tij, SPAK ka nisur një sërë hetimesh financiare dhe ka sekuestruar pasuri të shumta të lidhura me Martinajn dhe të afërmit e tij, përfshirë prona, llogari bankare dhe biznese me vlera që kapin miliona euro./Dosja.al

besfort lamallari ervis martinaj

Sondazh

Poll