Politike

Rama numëron punët e Ballukut: Punë kolosale në infrastrukturë, që deri dje ishin “ëndrra në beze”

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama ka përmendur disa nga investimet në infrastrukturë në vend.

9 Mars 2026, 11:18 Nga D.S
Rama numëron punët e Ballukut: Punë kolosale në
Edi Rama

TIRANË- Kryeminstri Edi Rama ka deklaruar se Belinda Balluku ka bërë një punë kolosale gjatë drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama ka përmendur disa nga investimet në infrastrukturë në vend. Ndër të tjera, Rama theksoi se segmentet e Korridorit Blu janë të gjitha në përgatitje kantieresh pune.

'Korçë-Erseka një tjetër vepër e shtuar. Qukës-Qafë Pllocë, një gropë e derëziut dhe e nisëm përsëri nga e para këtë projekt, duke e bërë fytyrën shollë nga investitorët që të na mbështesin. Rruga Thumanë-Kasharë dhe Rruga e Arbrit, që deri më parë ishin “ëndrra në beze” dhe tani janë realitet. Këto i bëri ministrja e Infrastrukturës, duke qëruar oriz, sepse kishte probleme çdo 100 metra. U krye edhe unaza e Madhe e Tiranës, Maqellarë-Peshkopia, Ura e madhe e Kukësit. Doli edhe Rruga e Kombit nga gryka e shishes. Janë akoma në vazhdim, projekte të tjera. Ndërkohë që segmentet e Korridorit Blu janë të gjitha në përgatitje kantieresh.

Nuk i rendita të tëra këto sepse janë veprat e një Shqipërie tjetër, e plot të tjera që po ndërtojmë, një Shqipërie që nuk ka lidhje me Shqipërinë e 700 tenxhereve. I rendita sepse dua të ftoj të gjithë, ju që jeni këtu edhe ata që na kanë besuar drejtimin e Shqipërisë, që t’ia heqim vendit të gjitha këto arterje të reja dhe ta marrin me mend edhe një herë rrugën për Peshkopi, që nuk kishte fund. Të provojnë edhe një herë Ersekën, nga rruga e mëparshme. Kam frikë se mos i zë rruga ata që na dëgjojnë. Mendoj që çdo mendje e lirë nga urrejtja politike, mjafton të kthehet në atë kohë dhe të bëjë diferencën e kësaj pune kolosale që është bërë,' tha Rama./Dosja.al

edi rama belinda balluku spak

Sondazh

Poll