Politike

"PD duhet të ketë propozime konkrete për Reformën Territoriale"/ Salianji: Rama nuk ka interes t’i çojë shërbimet tek qytetarët...

Sipas tij, Rama nuk ka interes të ketë pushtet lokal, por ka interes ta përqëndrojë pushtetin në sa më pak duar që t’i ndajë lejet e ndërtimit dhe tenderat si do vetë.

3 Shkurt 2026, 18:22 Nga E.d
"PD duhet të ketë propozime konkrete për Reformën
Ervin Salianji

FIER- Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji tha sot gjatë takimit me demokratët në Fier se PD duhet të ketë propozime konkrete për Reformën Territoriale. Gjatë fjalës së tij, Salianji u shpreh se Rama nuk ka interes t’i çojë shërbimet tek qytetarët.

Sipas tij, Rama nuk ka interes të ketë pushtet lokal, por ka interes ta përqëndrojë pushtetin në sa më pak duar që t’i ndajë lejet e ndërtimit dhe tenderat si do vetë. Në fund, ai tha se ndryshimi nuk vjen vetë, por ndërtohet dhe duke dëgjuar dhe ato që janë gabime.

Ervin Salianji: E mbani mend sesi kur Edi Rama ja u hodhi lidershipit të PD me votat e PD për të zgjedhur Avokatin e Popullit, u tha se me Ramën nuk ka më bashkëpunim. Ndërkohë u tha për javë me radhë, që pjesë e komisioneve me Edi Ramën nuk do jemi. Por tani, pasi u tha që nuk do marrim pjesë. Tani thonë po jemi jo s’jemi.

O zotërinj, dilni aty, hajde japim propozimet tona për Reformën territoriale, hajde të takojmë njerëzit, hajde t’i shtojmë shërbimet dhe bashkitë ashtu siç i kërkojnë dhe qytetarët e qarkut të Fierit, për ti shtuar bashkitë jo për t’i pakësuar, sepse ashtu sic u bë Reforma territoriale për shkak të gabimit të PD, i ka larguar shërbimet nga qytetarët.

U bë një reformë elektorale për qëllime politike dhe jo për ti shërbyer ashtu siç duhet të jetë pushteti lokal më pranë qytetarëve, dhe të nxjerrim listën tonë të bashkive kompetencat që duhet të kenë, propozimin tonë konkret dhe pastaj Edi Rama të bëjë ç’të dojë ne nuk kemi punë me të.

Sepse Edi Rama nuk ka interes t’i çojë shërbimet tek qytetarët, nuk ka interes të ketë pushtet lokal, ka interes ta përqëndrojë pushtetin në sa më pak duar që t’i ndajë lejet e ndërtimit, tenderat si do vetë, siç i mban këtu në qarkun e Fierit njerëzit të pandryshuar. Ne duhet të ndryshojmë për këto arsye.

Ndryshimi nuk vjen vetë, ndryshimi ndërtohet dhe duke dëgjuar dhe ato që janë gabime. Sepse kur i themi këto në salla të mbyllura nuk i dëgjojnë, kur i themi në salla të hapura thonë pse i thonë, dhe duke i thënë hapur para mijëraa njerëzve prapë bien në batak./Dosja.al

ervin salianji takim fier

Sondazh

Poll