Aktualitet

DETAJE nga hetimet e Prokurorisë, si u fshehën mbetjet e rrezikshme brenda 102 kontejnerëve

Bëhet me dije se brenda 102 kontejnerëve me mbetje që do të eksportoheshin drejt Tajlandës ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, një mbetje e rrezikshme.

3 Shkurt 2026, 16:47 Nga E. D

DETAJE nga hetimet e Prokurorisë, si u fshehën mbetjet e rrezikshme

DURRËS- Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i përbashkët i Policisë së Durrësit dhe Tiranës për zbatimin e masave të sigurisë në lidhje me çështjen e mbetjeve të rrezikshme, ku fokusi i hetimeve është zhvendosur edhe te roli i zyrtarëve shtetërorë.

Bëhet me dije se brenda 102 kontejnerëve me mbetje që do të eksportoheshin drejt Tajlandës ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, një mbetje e rrezikshme. Sipas dokumenteve të Prokurorisë, rezulton se të dyja kompanitë kanë kryer një sërë veprimesh për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjes.

Analizat laboratorike dhe aktet e ekspertimit kanë konfirmuar se bëhet fjalë për mbetje të koduara 10 02 07*, të cilat konsiderohen të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin. Aktekspertiza për përcaktimin e llojit të mbetjeve brenda 102 kontejnerëve që u kthyen në Shqipëri, pas alarmit të rrjetit të Bazelit, është kryer në një laborator të specializuar në Itali.

“Duke iu referuar akteve të administruara dhe rezultateve të ekspertimit, rezulton se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve të rrezikshme, të cilat kualifikohen sipas kodit 10 02 07*, kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të mbetjes, në bashkëpunim edhe me të tretë, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë, duke iu shmangur të gjitha detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

Ndërkohë Prokuroria e Durrësit ka firmosur 33 masa sigurie në lidhje me mbetjet e rrezikshme të konfiskuara një vit më parë. Nga këto 26 janë arrest me burg dhe 7 masa arresti në shtëpi. Mes personave ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” është edhe Arta Dollani, ish-drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM)./Dosja.al

Sondazh

Poll