Politike

Manjani për protestën përpara Kushtetueses: Është talibanizëm, jo demokraci

Me anë të një postimi në Facebook, Manjani shkruan se ideja e mbledhjes së firmave për të ndikuar apo intimiduar një gjykatë konsiderohet si antidemokratike. 

22 Janar 2026, 13:16 Nga I.A
Manjani për protestën përpara Kushtetueses: Është
Ylli Manjani

TIRANË- Ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka konsideruar protestën para Gjykatës Kushtetuese si talibanizëm. Me anë të një postimi në Facebook, Manjani shkruan se ideja e mbledhjes së firmave për të ndikuar apo intimiduar një gjykatë konsiderohet si antidemokratike. 

Sipas Manjanit, kjo metodë dhe ide i shndërron njerëzit në turmë dhe tenton që të nxjerrë dhënien e drejtësisë nga shtrati i proçesit të rregullt ligjor. 

Postimi i Plotë:

Është talibanizëm, jo demokraci!
*****
Në çdo fjalor politik, ideja e mbledhjes së firmave për të ndikuar apo intimiduar një gjykatë që po shqyrton një çështje konkrete, konsiderohet ANTIDEMOKRATIKE dhe kundër SHTETIT LIGJOR. Një ide e tillë, ca më shunë realizimi i saj, përbëjnë as më pak e as më shumë por cënim të parimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatës.

Në fakt, kjo ide i shndërron njerëzit në turmë (fyerje e rëndë kjo ndaj shoqërisë demokratike) dhe, tenton të nxjerrë dhënien e drejtësisë nga shtrati i proçesit të rregullt ligjor tek gjykimi popullor i turmës. Këtë gjë kanë bërë e bëjnë të gjitha sisteme politike totalitare. Jakobinët, komunistët dhe talibanët kanë bërë e bëjnë këtë lloj drejtësie.

Është drejtësia tipike ku gjykimi nuk bëhet mbi fakte, prova e procese të rregullta, por mbi opinione politike. Në këtë drejtësi, individi, minoranca, liria dhe të drejtat nuk vlejnë përpara shkumës populiste, narrativa e të cilës ka emra të ndryshëm sipas dëshirës së politikanit që i nxit. Sigurisht të gjithë dallkaukët që nxisin këto gjëra flasin në emër të popullit... Trishtim i madh që edhe në hapësirën tonë politike ka parti dhe politikanë që bëjnë nisma të tilla populiste, sigurisht në përpjekje për të siguruar mbijetesën e tyre politike. Por në thelb këto nisma nuk flasin për demokraci, por për talibanizëm.
***
E kam bërë këtë reagim edhe kur Erion Veliaj, kryetar i bashkisë Tiranë, në mandatin e tij të parë, nxiti një protestë (nuk mblodhi firma) përpara gjykatës së Apelit Administrativ për një çështje konkrete. Ka qenë dhe mbetet e papranueshëm ky reagim populist politik për një shoqëri demokratike. Për talibanët po, vlejnë këto gjëra.

ylli manjani

Sondazh

Poll