Politike

Berisha: Njeriut që po i vjen fundi po personalizon një akt të rëndësishëm ndërkombëtar si mburojë

Sipas Berishës kjo qasje po i jep seancës një karakter të paimagjinueshëm, ndërsa përgjegjësia politike dhe penale po tentohet të fshihet pas marrëveshjeve dhe ftesave ndërkombëtare.

22 Janar 2026, 13:07 Nga D.S
Berisha: Njeriut që po i vjen fundi po personalizon një akt të
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ngreu akuza ndaj kryeministrit Rama duke thënë se, po përpiqet të personalizojë një akt të rëndësishëm ndërkombëtar për interesa personale. Sipas Berishës kjo qasje po i jep seancës një karakter të paimagjinueshëm, ndërsa përgjegjësia politike dhe penale po tentohet të fshihet pas marrëveshjeve dhe ftesave ndërkombëtare. 

Berisha vijon të ngre akuza ndaj kryeministrit teksa thotë se është kreu i organizatës kriminale me lidhjet më të fuqishme me kartelet e drogës, në Shqipëri dhe në Amerikën Latine.

"Thënë të gjitha këto, seanca merr një karakter të paimagjinueshëm vetëm e vetëm për shkak të përpjekjes primitive të një njeriu që tani po i vjen fundi që ta personalizojë këtë dhe çdo gjë tjetër si mburojë, pasi ajo që i rri në krah, po e merr me vete. Po e merr me vete dhe jo pa të drejtë. Jo. Sepse ajo si një shërbëtore e bindur ka zbatuar çdo urdhër të tij. Sepse nuk është ajo që e mori Palloshin me vete në Ankara, është ai që mori Lubinë në Ankara dhe u bë pazari 50 milionësh.

Është ai që i dërgonte urdhra se si Unaza e ndarë në 14 tendera, 13 kilometra, të shpërndahej, të vidhej, të shumëfishohej, t’u jepej medieve të tij. Është ai, i cili figuron në të gjitha analet ndërkombëtare si bashkëpunëtor i kryekartelit të botës, që është Sinaloa e Meksikës. Është ai, i cili figuron kreu i organizatës kriminale me lidhjet më të fuqishme me kartelet e drogës, kartelet shqiptare të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, dhe që ka urdhëruar takimin në Aruba.

Është ai, i cili e ka shndërruar agjencinë shtetërore të Mirlindës në turpin e shekullit.
Në agjencinë më mafioze të planetit, që mund të ndodhë në organizatat e mafies të marrin peng, por që ndërmarrja shtetërore, agjencia shteërore të organizojë pengmarrje... pse i ngre duart ti ashtu? Kujton se e mbron ti ashtu? Do t’u them një gjë këtu, mos u bëni ashtu sikundër nuk jeni sepse mbështesni të keqen e madhe. Po çfarë do të thotë ajo? Kam respekt maksimal për Mirlindën, ndërkohë dy pengmarrje për baxhanakun. Shkoni dhe merrni pak dëshmitë e Gerond Meçes.

Janë të tmerrshme.U them unë ju, ato të duket Lubia lule. Po i jep zemër tani. Shiheni, shiheni. Po, po të duket lule ç’janë ato. Shkoni dhe merrini ato. Atëherë, ky njeri që ka shndërruar në kopsht privat AKSHI-n dhe ka respektin më të madh për Mirlindën, për Mirlindën se aty merren pengje që tenderat t’i fitojë baxhanaku, ky njeri personalizon në marrëveshje, personalizon një ftesë e cila nënkupton në mënyrë absolute republikën e Shqipërisë. Pa diskutim.

Çfarë do të thoni ju nesër kur të dëgjoni Lubinë në bankën e të akuzuarve të thotë se të gjitha m’i ka urdhër Palloshi? Çfarë do thoni? Më thoni pak? A do skuqeni nga votimi që keni bërë?
Çfarë do thoni kur të dalin Ergys Agasi, kur të dalin videot e Ergys Agasit, çfarë do thoni pastaj ju? Se edhe ju keni ndërgjegje, keni familje, keni njerëz, keni të afërm, keni zgjedhës. Çfarë do u thoni ju atyre? Çfarë do u thoni zgjedhësve tuaj që personalizoni një akt ndërkombëtar të rëndësishëm me emrin të nxirë të një njeriu, i cili... po, po, lëvize kokën ti, por ta them se e ke gabim, shumë shpejt do pendohesh për atë kokë që lëviz, vazhdo se mirë e ke, se edhe kjo i thoshte Skënderbeu, po ia ktheu Skënderbuçi pastaj. E pa kjo që foli këtu para jush që i ka ditët e numëruara, jo nga unë, por nga Lubia i ka ditët e numëruara.
Kjo është e vërteta." tha Berisha./Dosja.al

Sondazh

Poll