Politike

Aktori i njohur Viktor Zhusti përplaset me Adriatik Lapajn për publikimin e një fotoje: Eh mor Llapa, as më shkon në mend të mbështesë ty

Me anë të një postimi në Facebook, Zhusti shkruan se fotoja ishte realizuar vetëm për përdorim personal dhe me premtimin se nuk do të publikohej.

21 Dhjetor 2025, 19:16 Nga I.A
Aktori i njohur Viktor Zhusti përplaset me Adriatik Lapajn për
Adriatik Lapaj dhe Viktor Zhusti

TIRANË- Aktori i njohur Viktor Zhusti ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas publikimit të një fotografie nga kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Me anë të një postimi në Facebook, Zhusti shkruan se fotoja ishte realizuar vetëm për përdorim personal dhe me premtimin se nuk do të publikohej.

Zhusti thotë se publikimi i fotos i ka sjellë shqetësim, reagime negative dhe zhgënjim për shkak të shkeljes së besimit. Ai ka publikuar edhe mesazhe ku i kishte kërkuar Gerti Kames që fotoja të mos postohej, kërkesë për të cilën, sipas tij, kishte marrë garanci. Ndër të tjera Zhusti i drejtohet Lapajt duke i thënë: Më bën përkrahës e simpatizant të partisë e lëvizjes tënde, “Shqipëria bëhet”, gjë që as më ka shkuar ndonjëherë ndërmend.

Postimi i Zhustit:

Eh, mor LLAPA…

Nuk di a të kam sjellë ndonjë të mirë me dëshirën që të bëje një foto private, kur isha duke kaluar për në shtëpi mbas shfaqjes, por mua, veç dëm e shqetësim më ke sjellë.

Pranova të beje foto vetëm për albumin tënd privat meqë “ kishe shumë simpati si aktor” dhe më premtove që nuk do ta postosh, madje i thashë dhe bashëluftëtarit tënd, artistit të kaq e ka filmave dhe kandidatit për deputet të “Shqipëria bëhet”, djalit të mikut tim të çmuar, Gent Kames, që të mos e postosh

(po vendos dhe mesazhin për të dhe premtimin e tij) por juve, duket e kishit të nevojshme, një shashkë propagandistike për 22 dhjetorin…

Duke e shoqëruar foton me komentin “erdhi na takoi dhe na dha energji pozitive”… më bën përkrahës e simpatizant të partisë e lëvizjes tënde, “Shqipëria bëhet”, gjë që as më ka shkuar ndonjëherë ndërmend, pasi, sipas meje, Shqipëria, vërtet do bëhet, emancipohet, modernizohet, europianizohet, por, VETËM me ata, kundër të cilëve ju, po luftoni me çdo mjet e mënyrë.

Me postimin tënd më ke sjellë mjaft armiqësi, qejf mbetje dhe komente negative, për të cilat nuk kisha nevojë.

Po, nuk është hera e parë që dal i zhgënjyer nga miqësitë e rrugës…

 

adriatik lapaj viktor zhusti

Sondazh

Poll