Politike

Kryeministri deklaroi se do të pengojë kërkesën e SPAK për Ballukun, Bardhi: Korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri janë rrugë me një kalim, të çon në zyrën e Ramës!

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi u shpreh reagimi i sotëm i Edi Ramës është reagimi i një frikacaku, që e di se rrethi po i ngushtohet.

21 Dhjetor 2025, 13:04 Nga E.d
Kryeministri deklaroi se do të pengojë kërkesën e SPAK
Foto ilustruse

TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi ka reaguar pas deklaratave të Ramës se do të pengojë kërkesën e SPAK për Ballukun. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi u shpreh reagimi i sotëm i Edi Ramës është reagimi i një frikacaku, që e di se rrethi po i ngushtohet.

Bardhi tha se një kryeministër i pastër, pa lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, sot do të duhej të mblidhte me urgjencë Parlamentin dhe t’i hiqte imunitetin zëvendëses së tij. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, tha se çështja "Balluku" nuk është rast i izoluar, por hallkë e një zinxhiri vendimmarrjeje që kalon nga zyra e Kryeministrit.

Sipas tij, Edi Rama kërkon të blejë kohë me një çështje në Gjykatën Kushtetuese, pa asnjë lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Në fund, Bardhi tha se frika e Edi Ramës vjen nga ajo që tani drejtësia e di, se tenderat, koncesionet, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri janë rrugë me një kalim.

Postimi i Gazmend Bardhi

Frikë, panik dhe blerje kohe: reagimi i një kryeministri që e di se rrethi po i ngushtohet! Reagimi i sotëm i Edi Ramës është reagimi i një frikacaku, që e di se rrethi po i ngushtohet. Ai është frikacak, sepse nuk përballet me akuzën, por sulmon ata që e hetojnë. Një kryeministër i pastër, pa lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, sot do të duhej të mblidhte me urgjencë Parlamentin dhe t’i hiqte imunitetin zëvendëses së tij, të pandehur për 1.1 miliardë euro tenderime korruptive.

Pse nuk bëhet kurioz Edi Rama për “dardhat dhe mollët” që Belinda Balluku i ka ngrënë, por na u bëka kurioz pse SPAK-u po vepron shpejt? Sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër se kush është porositësi i aferave korruptive të firmosura nga Belinda Balluku. Çështja “Balluku” nuk është rast i izoluar, por hallkë e një zinxhiri vendimmarrjeje që kalon nga zyra e Kryeministrit. Prandaj, Edi Rama kërkon të blejë kohë me një çështje në Gjykatën Kushtetuese, pa asnjë lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Edi Rama e di se hetimi nuk do të ndalet te zëvendësja e tij! Blerja e kohës është i vetmi shpëtim për kryeministrin nën shantazh dhe në panik. Një kryeministër i pafajshëm nuk frikësohet nga shpejtësia e drejtësisë. Një kryeministër i pastër nuk sulmon SPAK-un. Një kryeministër i drejtë nuk ndërton alibi proceduriale.

Rrethi po ngushtohet. Dhe frika e Edi Ramës vjen nga ajo që tani drejtësia e di: se tenderat, koncesionet, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri janë rrugë me një kalim. Ajo të çon në zyrën apo shtëpinë e Edi Ramës!/Dosja.al

gazmend bardhi edi rama belinda balluku

Sondazh

Poll