Politike

Mbledhja për Ballukun! Bardhi: Datën nuk e vendosën se nuk u ktheu Rama përgjigje! Kuvendi po bëhet pengesë për Prokurorinë e Posaçme

Sipas Bardhit, fakti që materialet hetimore të SPAK, të dorëzuara në një USB, ishin mbajtur të mbyllura në kasafortë nga drejtuesi i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, kishte si qëllim t’i krijonte ministres mundësinë për të kërkuar shtyrjen e mbledhjes me pretendimin se nuk ishte njohur me provat.

19 Dhjetor 2025, 16:05 Nga M.L
Mbledhja për Ballukun! Bardhi: Datën nuk e vendosën se nuk u
Gazment Bardhi

TIRANA- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe anëtar i Këshillit të Mandateve, Gazment Bardhi, reagoi pas përfundimit të mbledhjes duke akuzuar mazhorancën se po përdor procedurat parlamentare për të vonuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK ndaj Belinda Ballukut.

Sipas Bardhit, fakti që materialet hetimore të SPAK, të dorëzuara në një USB, ishin mbajtur të mbyllura në kasafortë nga drejtuesi i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, kishte si qëllim t’i krijonte ministres mundësinë për të kërkuar shtyrjen e mbledhjes me pretendimin se nuk ishte njohur me provat. Ai theksoi se kjo situatë u përdor si justifikim për të mos marrë asnjë vendim dhe për të zvarritur procesin.

Në një prononcim për mediat, Bardhi bëri të ditur se gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e Partisë Socialiste kërkuan një pushim 20-minutësh për të diskutuar datën e mbledhjes së radhës, por në përfundim nuk u vendos asnjë afat konkret, duke u lënë gjithçka për një njoftim të mëvonshëm.

Sipas tij, mungesa e një date të qartë për mbledhjen e radhës dhe shtyrja e vendimmarrjes po e kthejnë Kuvendin në një pengesë për drejtësinë dhe po i japin kohë subjektit nën hetim për të ndikuar mbi provat.

“Dua të sqaroj qëndrimin e anëtarëve të opozitës. Nëse do të ishte respektuar qëndrimi ynë, ju do të ishit në dijeni njësoj si për këtë mbledhje, ashtu edhe për atë se kur është caktuar mbledhja tjetër. Kemi kërkuar, sipas rregullores, që mbledhja e sotme të ishte transparente dhe e hapur, sigurisht duke lënë të mundur opsionin që sa herë që prokuroria do të çmonte se duhet të informonte anëtarët e Këshillit për një çështje që cilësohet sekret hetimor, media të largohej.

Kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë. Sot nuk kemi diskutuar asnjë çështje që përbën sekret hetimor. Jemi marrë vetëm me procedurë. Kemi diskutuar nëse deputetët kanë apo jo të drejtë të kenë të plotë materialin e sjellë nga SPAK-u. Sipas ligjit, secili anëtar duhet ta ketë të plotë USB-në e famshme që Peleshi e kishte kyçur në kasafortë.

Dhe sot u zbulua edhe skenari pse e kishte kyçur. Kjo ishte bërë për t’i dhënë alibinë Ballukut, për të kërkuar shtyrjen e mbledhjes, me pretendimin se nuk ishte e përgatitur, dhe kështu të shtyhej mbledhja.

Rama nuk e ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me Ballukun dhe po i jep kohë vetes. U bënë aq qesharakë, sa kërkuan që mbledhja e radhës të jetë pas një muaji. Prokurorët e Posaçëm, të cilët dua t’i falënderoj për profesionalizmin, bënë të qartë se kjo është një çështje e ngushtë dhe çdo vonesë mund të rrezikojë provat. Kërkuan 20 minuta pushim për të diskutuar datën. Kryetari u kthye dhe tha se për datën do t’ju njoftojë një herë tjetër. Kuptova që, në këto 20 minuta, Rama nuk i ishte përgjigjur. Kuvendi po bëhet pengesë për drejtesine, po i jep kohë Ballukut të prishë provat ”, tha Bardhi./ Dosja.al

gazment bardhi

Sondazh

Poll