Politike

Qeveria shtrëngon "rrethin" ndaj ndërtimeve pa leje! Krijohet “superinspektoriati”, shkrihen kompetencat e IKMT. Pasuritë e konfiskuara nën drejtimin e AAPSK

Projektligji i parë parashikon një riorganizim të plotë të strukturave inspektuese. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe inspektoratet vendore do të shkrihen në një institucion të vetëm, të quajtur Inspektorati Qendror i Territorit, Mjedisit dhe Pyjeve.

19 Dhjetor 2025, 15:24 Nga M.L

 

Qeveria shtrëngon "rrethin" ndaj ndërtimeve pa leje!
Foto ilustruese

 

TIRANA- Qeveria ka hedhur për konsultim publik një paketë me tre projektligje të lidhura mes tyre, që synojnë të ashpërsojnë kontrollin mbi territorin, të mbyllin përfundimisht problematikën e ndërtimeve pa leje dhe të përmirësojnë administrimin e pasurive të konfiskuara.

Projektligji i parë parashikon një riorganizim të plotë të strukturave inspektuese. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe inspektoratet vendore do të shkrihen në një institucion të vetëm, të quajtur Inspektorati Qendror i Territorit, Mjedisit dhe Pyjeve.

Struktura e re do të ketë varësi qendrore dhe shtrirje rajonale, me synimin për të unifikuar kontrollin, për të rritur profesionalizmin dhe për të shmangur ndikimet lokale në proceset e inspektimit. Ky model i ri pritet të sjellë standarde të njëjta kontrolli në të gjithë vendin dhe ndërhyrje më efikase ndaj shkeljeve në territor.

Ndryshimet institucionale lidhen drejtpërdrejt me projektligjin e dytë, i cili fokusohet në mënyrën se si do të administrohen objektet e konfiskuara për shkak të ndërtimeve pa leje.

Sipas propozimit, administrimi do të centralizohet dhe do t’i kalojë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila do të jetë autoriteti i vetëm përgjegjës. Objektet e konfiskuara nuk do të mbeten më të papërdorura, por do të shfrytëzohen për qëllime me interes publik, për strehim social ose do të shiten përmes ankandeve. Një element i ri është krijimi i një regjistri elektronik publik, i cili do të sigurojë transparencë mbi të gjitha pasuritë e administruara.

“Ky riorganizim synon rritjen e kapaciteteve inspektuese, profesionalizimin e trupës, rritjen e pavarësisë funksionale si dhe garantimin e një procesi inspektimi të besueshëm, të integritetshëm dhe të mbrojtur nga ndikimet e jashtme. Struktura e re pritet të sigurojë zbatimin e një qasjeje të unifikuar dhe të standardizuar në kontrollin e territorit.

Efektet e pritshme nga zbatimi i këtij projektligji janë krijimi i procedurave më të shpejta, më të qarta dhe më të kontrollueshme, rritja e të ardhurave nga shitja dhe përdorimi publik i objekteve, shmangia e konflikteve ndërinstitucionale, forcimi i sigurisë juridike për pronarët dhe institucionet, si dhe garantimi i një niveli maksimal transparence për publikun”, tha Ministria e Brendshme./ Dosja.al

superinspektoriati ikmt

Sondazh

Poll