Politike

Berisha: Miratuam ligje për dekomunistizimin e Shqipërisë, por socialistët pas 1997 i anuluan

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha u shpreh se në vitin 2006, PD solli në parlament dhe miratoi ligjin e lustracionit, por këtë ligj e rrëzoi Gjykata Kushtetuese.

14 Dhjetor 2025, 13:58 Nga E.d
Berisha: Miratuam ligje për dekomunistizimin e Shqipërisë, por
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se PD në vitin 1994 ka miratuar ligje për dekomunistizimin e Shqipërisë, por socialistët pas 1997 i anuluan. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha u shpreh se në vitin 2006, PD solli në parlament dhe miratoi ligjin e lustracionit, por këtë ligj e rrëzoi Gjykata Kushtetuese.

Lideri i opozitës tha se sot Shqipëria është në duart e një njeriu, i cili në vitet '90 bënte radikalin, por sot kur i thuhet të kërkojë ndjesë për të atin që firmosi për varjen e Havzi Nelës, nuk kërkon ndjesë. Berisha tha se Rama ka larguar nga Shqipëria, vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian 1.1 milion shqiptarë në 10 vite dhe ka bërë që shqiptarët sot të kenë atë lindshmëri që kanë patur 100 vite më parë.

"Kjo ka pak histori. Në vitin '94, ne kemi miratuar ligjin që nxjerrim jashtë ligjit Partinë Komuniste, miratuam ligjin e lustracionit që nxirrnim jashtë administratës publike të gjithë ish-bashkëpunëtorët, oficerët e sigurimit të shtetit dhe nomenklaturën e diktaturës komuniste. Ky ishte ligji i lustracionit. Me dekret, hoqëm të gjithë titujt dhe dekoratat, ndryshe krejtësisht nga ç'përsëritet, por është dekreti në fuqi, për Hitlerin e popullit shqiptar të pas luftës, Enver Hoxhën, dhe nomenklaturën e tij kryesore. Përveç kësaj, ne jemi vendi i parë, se ligj lustracioni kishte dhe Çekosllovakia, Çekia më vonë se u nda, po e bëri Presidenti Havel. Por ne jemi vendi i parë në vendet ish-komuniste që miratuam ligjin e dënimit të gjenocidit komunist. Ligj që i jepte të drejtën çdo të persekutuari të ndiqte penalisht persekutorin e tij. Konkretisht, familjet e të persekutuarëve mund të ndiqnin persekutorët e familjarëve të tyre.

Të gjitha këto u anuluan, përveç ligjit kundër gjenocidit që nuk u anulua po u modifikua, nga ardhja e socialistëve në pushtet në vitin 1997. Përsëri në vitin 2006, ne sollëm në parlament dhe miratuam ligjin e lustracionit, por këtë ligj e rrëzoi Gjykata Kushtetuese mbasi 5 gjyqtarë, nuk duhej të ishin aty për shkak të së shkuarës së tyre. Ky është historiku i betejës tonë për dekomunistizimin. Sot, Shqipëria është në duart e një njeriu, i cili në vitet '90 bënte radikalin, por sot kur i thuhet të kërkojë ndjesë për të atin që firmosi për varjen e Havzi Nelës, jo që s'kërkon ndjesë, po thotë se ai qëndroi në anën e drejtë të historisë, i ati i tij. Në anën e drejtë të historisë, domethënë në anën e atyre që firmosën varjen e njerëzve të pafajshëm. 

Në fakt, tregon se parimet që zbatonin etërit e tij, në histori mbeten të drejta, kur ato janë parime çnjerëzore, gjenocidale, por ky, për hir të së vërtetës duhet të themi, se po kryen një gjenocid shumë, shumë herë më gjigant sesa gjenocidi komunist i Enver Hoxhës. Ka larguar nga Shqipëria për kushte të llogaritura, vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian 1.1 milion shqiptarë në 10 vite dhe ka bërë që shqiptarët sot të kenë atë lindshmëri që kanë patur 100 vite më parë. Pra, në këtë rrafshin e materies, e lëndës kombëtare, Edi Rama është armiku më i egër i shqiptarëve, sikundër në qëndrimet e tij ndaj Kosovës, Edi Rama tejkalon të gjithë të tjerët, ndonjëherë edhe vetë Aleksandër Vuçiçin dhe e kanë krahasuar me të drejtë me Pashiçin, kryeministrin e ultranacionalizmit serb." tha Berisha./Dosja.al

sali berisha edi rama 1997

Sondazh

Poll