Politike

Nuk paraqitet avokati/ Shtyhet seanca paraprake për Ilir Metën

Edhe më 11 nëntor seanca u shty për shkak të kërkesës së avokatit të Metës, Kujtim Cakrani për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja.

17 Nëntor 2025, 10:19 Nga E. D
Nuk paraqitet avokati/ Shtyhet seanca paraprake për Ilir Metën
Ilir Meta

TIRANË- Seanca paraprake në GJKKO për Ilir Metën është shtyrë për në datën 27 nëntor, ora 12:30. Bëhet me dije se shkak u bë mungesa e avokatit Kujtim Cakrani pasi ndodhej në një proces gjyqësor në Lezhë. Edhe më 11 nëntor seanca u shty për shkak të kërkesës së avokatit të Metës, Kujtim Cakrani për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja. Avokati, i cili braktisi seancën, tha se së pari gjykata duhet të shprehet për këtë kërkesë të bërë më herët prej tyre.

Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, Kryemadhi u hetua për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK./Dosja.al

ilir meta

Sondazh

Poll