Politike

Protesta e opozitës, SHBA dhe BE: Qeveria, e ligjshme. Nuk tolerohet dhuna

15 Mars 2019, 11:30 Nga DOSJA
Protesta e opozitës, SHBA dhe BE: Qeveria, e ligjshme. Nuk tolerohet dhuna

TIRANË- Ambasada Amerikane në Shqipëri ka reaguar një ditë para protestës që do të zhvillohet nga opozita. Në një njoftim në mediat sociale, ambasada thekson rëndësinë e një proteste paqësore si një nga shtyllat themelore të demokracisë. Ambasada nxit të gjithë aktorët politikë që të kenë vetëpërmbajtje, ndërkohë që lëshon një mesazh të fortë për opozitën kur thotë se SHBA “i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht.”. Ndërkohë dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri me anë të një deklarate ka reaguar për protestën e nesërme të opozitës. BE rithekson rëndësinë e të drejtës themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, por shton se asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përgjigjet kryetari  i PD, Lulzim Basha, që iu bë thirrje ambasadave të mos bëhen palë me partitë.

Reagimi i plotë i Ambasadës Amerikane:

Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme. Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht. Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende punë për të bërë. Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre. Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Deklaratë e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri

Në prag të protestës së 16 marsit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë rithekson rëndësinë e të drejtës themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të demonstruar. Kjo e drejtë është një shtyllë qendrore në çdo shoqëri demokratike, por duhet ushtruar në mënyrë paqësore, pa përdorur dhunën. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Ne u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave.

Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE – një perspektivë që e duan plotësisht 93% e qytetarëve shqiptarë. Ne vazhdojmë të mbështesim ata që janë të angazhuar në procesin demokratik në Parlament, gjithashtu në mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare që dëshiron të vazhdojë të ecë drejt BE-së. Që prej qershorit të kaluar është bërë progres, veçanërisht në reformën në drejtësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, por ka ende shumë punë për të bërë në tre muajt e ardhshëm.

Tani është shumë urgjente që të kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, edhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit. Shqipëria ka nevojë për një dialog ndërpartiak për reformat më urgjente, duke përfshirë reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it.

Deklarata e Ambasadës Amerikane vjen një ditë para protestës së opozitës para Kryeministrisë. Edhe në protestat e mëparshme, SHBA ka lëshuar një mesazh drejtuar opozitës dhe qytetarëve amerikanë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. SHBA dhe BE dolën hapur kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve dhe thanë se ky vendim cënon demokracinë dhe integrimin në BE. (Lexo ketu)

(F.g/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike ambasada amerikane ambasada e be deklarata e bashkimit evropian djegia e mandateve te opozites protesta e opozites 16 mars 2019 ambasada amerikane ambasada e be deklarata e bashkimit evropian djegia e mandateve te opozites protesta e opozites 16 mars 2019

Sondazh

Poll