Aktualitet

Vrasja e Astrit Kalasë/ Reagon Gjykata e Lartë: Garantimi i sigurisë fizike të gjyqtarëve, përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore

Gjithashtu Gjykata e Lartë nënvizon se çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.

6 Tetor 2025, 18:11 Nga E. D
Vrasja e Astrit Kalasë/ Reagon Gjykata e Lartë: Garantimi i
foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Lartë ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u qëllua për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja dhe mbetën të plagosur, babë e bir. Me anë të një deklarate, Gjykata e Lartë thekson se garantimi i sigurisë fizike të gjyqtarëve, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore. Gjithashtu Gjykata e Lartë nënvizon se çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.

DEKLARATË E TRUPËS GJYQËSORE TË GJYKATËS SË LARTË

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare. Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.

Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm. Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës./Dosja.al

gjykata e lartë

Sondazh

Poll