Aktualitet

Një jetë në shërbim të drejtësisë! Mbi 30 vite eksperiencë dhe baba i 2 fëmijëve, u qëllua për vdekje sot në Gjyaktën e Apelit, kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit, ndërsa ndodhej në krye të detyrës, në një akt dhune që shkeli muret e tempullit të drejtësisë dhe ngriti shqetësime të thella për sigurinë dhe autoritetin e institucioneve gjyqësore në vend.

6 Tetor 2025, 17:18 Nga M.L
Një jetë në shërbim të drejtësisë! Mbi 30
Astrit Kalaja

TIRANA-  Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë tronditi sot thellësisht opinionin publik. Gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, ndërsa ndodhej në krye të detyrës, në një akt dhune që shkeli muret e tempullit të drejtësisë dhe ngriti shqetësime të thella për sigurinë dhe autoritetin e institucioneve gjyqësore në vend.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje mbarëkombëtare, duke sjellë reagime të shumta nga shoqëria civile, politika, trupa gjyqësore dhe qytetarë të zakonshëm, të cilët e kanë cilësuar këtë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit ligjor dhe sigurisë publike.

Një emër me peshë në drejtësinë shqiptare

Astrit Kalaja lindi në Shkodër, 62 vite më parë. Gjatë gjithë jetës së tij profesionale, ai ishte një figurë e njohur dhe e respektuar në sistemin gjyqësor shqiptar, i vlerësuar për integritetin dhe profesionalizmin e tij. Kalaja shërbente si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku shqyrtonte çështje të ndjeshme dhe me ngarkesë të lartë publike.

Ai ishte një prej gjyqtarëve që kishte kaluar me sukses procesin e Vettingut, duke u konfirmuar në detyrë si pjesë e trupës që kishte kaluar filtrat e Reformës në Drejtësi, një prej proceseve më të rëndësishme të pastrimit dhe forcimit të sistemit gjyqësor në vend.

Një jetë e përkushtuar dhe një humbje e madhe

Përtej jetës profesionale, Astrit Kalaja ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze. Sipas burimeve mediatike, ai ishte bërë gjysh vetëm pak kohë më parë, një gëzim i vonë familjar që u ndërpre në mënyrë tragjike.

Vrasja e tij ka lënë një boshllëk të thellë jo vetëm në familje dhe mes kolegëve, por edhe në të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare, i cili humbi një nga figurat e tij më të qëndrueshme dhe të respektuara.

Astrit Kalaja, e ka kaluar Vettingun në vitin 2019, por komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra me pretendimin se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 109,5 m2, si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë brenda së cilës ndodhet edhe një ndërtim informal përdhes prej 60m2.

KPA-ja e konfirmoi në detyrë gjyqtarin Kalaja në janar të vitit 2022’. Astrit Kalaja është zgjedhur edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi. Ai ka lindur në qytetin e Shkodrës dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Sapo mbaron studimet me titullin “Jurist”, emërohet në detyrën e gjykatësit në rrethin e Shkodrës. Vitet e fundit ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës së Apeli. Ai ka mbajtur përkohësisht edhe postin e kryetarit në detyrë të Gjykatës së Shkodrës.

Konkretisht nga viti 1993 dhe deri qershor 2004 punoi si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Shkodër. Në Qershor 2004 dhe deri në 31 janar 2023 në Gjykatën e Apelit Shkodër. Ndësa vitet e fundit shërben në Gjykatën e Apelit Tiranë./ Dosja.al

astrit kalaja

Sondazh

Poll