Politike

Rama prezanton Ministrin e ri të Drejtësisë: Sfidat e ministrisë janë ridimensionuar

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Lamallari me mbështetjen e ekipit të kësaj Ministrie, do t'ia dalë ta çojë përpara transformimin e Ministrisë.

20 Shtator 2025, 11:30 Nga I.A
Rama prezanton Ministrin e ri të Drejtësisë: Sfidat e
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ditën e sotme Ministrin e ri të Drejtësisë Besfort Lamallari. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Lamallari me mbështetjen e ekipit të kësaj Ministrie, do t'ia dalë ta çojë përpara transformimin e Ministrisë. 

Kryeministri Rama deklaroi se sfidat e ministrisë së Drejtësisë janë ridimensionuar dhe rëndësia e kësaj Ministrie është rritur.  Rama, më tej u shpreh se ata duhet që të këmbëngulin për të qëndruar larg vendimarrjeve nga prokurorët dhe gjykatësit. 

"Ky është një kalim stafete, që për mua ka një rëndësi të veçantë, pasi sot merr detyrën shumë sfiduese të Ministrit të Drejtësisë një ndër shërbëtorët më shembullorë të shtetit shqiptar, që më është dhënë mundësia të njoh, edhe pse në këtë rast jo nga afër. Ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur rrugëtimin me studime brenda dhe jashtë vendit dhe më pas ka ngjitur shkallët një e nga një, me një angazhim dhe përkushtim shembullor në çdo detyrë që i është besuar. Uroj dhe besoj që me mbështetjen e ekipit të kësaj ministrie dhe në ndërveprim me të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë, do t’ia dalë të çojë para një punë të nisur prej vitesh e të vazhduar nga Ulsi Manja. Natyrisht që në kushtet kur ne kemi marrë përsipër një transformim epokal të marrëdhënies të pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i ministrit të Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë janë ridimensionuar, por kjo nuk nënkupton që rëndësia e Ministrisë së Drejtësisë është zvogëluar.

Në të vërtetë, edhe roli edhe pesha, janë po aq të rëndësishme sa kanë qenë, mbi të gjitha detyra që ka për të mbajtur në mënyrë konstante busullën orientuese për të vendimmarrje, është një detyrim i madh. Ndërkohë që territori i mbulimit të çështjeve të drejtësisë në shtetin shqiptar zë vendin më të gjerë në procesin e negociatave për anëtarësim. Dhe është shumë e rëndësishme, që ne të mos e humbasim nga vëmendja thelbin e misionit tonë në raport me drejtësinë, të garantojmë pavarësinë e sistemit tonë gjyqësor, si pushteti kushtetues i pavarur në letër, por vetëm prej shumë pak vitesh edhe në realitet. Është një pavarësi që është larg së qeni e garantuar gjithmonë dhe ne duhet ta konsolidojmë, duke këmbëngulur në vendimin historik që kemi marrë për të mbajtur duart lart vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjykatësve," tha Rama. 

edi rama besfort lamallari

Sondazh

Poll