Politike

Konferenca rajonale e OSBE-së, Nancy VanHorn: Lufta kundër trafikut të drogës është prioritetet i SHBA-së

E Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Nancy VanHorn, theksoi se lufta kundër trafikut të drogës mbetet një prioritet kyç për SHBA-të.

10 Shtator 2025, 14:33 Nga I.A
Konferenca rajonale e OSBE-së, Nancy VanHorn: Lufta kundër trafikut
Konferenca

TIRANË- Në Tiranë u mbajt Konferenca Rajonale e OSBE-së mbi lidhjen mes trafikimit të drogës dhe krimeve të dhunshme. E Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Nancy VanHorn, theksoi se lufta kundër trafikut të drogës mbetet një prioritet kyç për SHBA-të.

"Presidenti Trump gjithashtu ka udhëzuar qeverinë tonë të punojë drejt eliminimit të plotë të grupeve të krimit të organizuar, dhe ky është fokusi ynë. Për ta arritur këtë, ne do të thellojmë bashkëpunimin me qeveritë që përputhen me këtë nivel fokusi dhe angazhimi. Puna jonë do të bazohet në interesa të përbashkëta konkrete, jo në fraza boshe apo ideologji, siç ka theksuar Sekretari Rubio," tha VonHorn.

Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të drejtësisë, ambasadorë dhe partnerë ndërkombëtarë. Vanhorn përsëriti prioritetin e SHBA-ve në luftën kundër organizatave kriminale dhe trafikut të drogës duke theksuar se puna e SPAK, në luftën kundër trafikut të drogës, ka trajtuar edhe fenomenin e financave të paligjshme dhe pastrimit të parave.

"Mirëmëngjes, Kreu i Prokurorisë së Posaçme Dumani, Drejtor Nallabati, Ambasadorë Tarran dhe Kamitsi, miq dhe të ftuar. Faleminderit OSBE-së, Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Ligjzbatimit (INL) të Departamentit Amerikan të Shtetit për organizimin e kësaj konference. Jam e nderuar që jam këtu me ju sot. Temat e kësaj konference – lufta kundër organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës – janë ndër prioritet më të larta për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, pasi të dyja minojnë sigurinë globale, paraqesin rreziqe për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kërcënojnë stabilitetin në mbarë botën. Zbatimi i ligjit është një nga thirrjet më të larta të një shoqërie, dhe si oficerë policie, prokurorë dhe hetues me përvojë, ju e dini sa vendimtare dhe e vështirë është lufta kundër organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës Ju falënderoj që rrezikoni jetën tuaj për të sjellë kriminelët para drejtësisë dhe që keni marrë kohë nga puna juaj e rëndësishme për të ndarë praktikat më të mira këtu sot. Grupet kriminale të Ballkanit janë në gjendje ndryshimi të përhershme dhe të adaptueshme; ato përdorin komunikime të koduara, financa të paligjshme dhe lidhje korruptive.

Ashtu si grupe të ngjashëm në të gjithë botën, janë të dhunshëm, luftojnë për tregje dhe territore, rrezikojnë qytetarët dhe gërryejnë besimin në institucionet publike. Shtrirja e këtyre grupeve shkon përtej Ballkanit; ato janë në fakt ndërmarrje globale. Grupet kriminale ballkanike janë madje edhe pranë Amerikës, pasi janë gjithnjë e më të përfshira në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut. Siç kanë treguar hetimet, kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut – grupe që përmbytin Shtetet e Bashkuara dhe Evropën me droga të paligjshme. Krimi dhe drogat e paligjshme kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare dhe Presidenti Trump ka kërkuar që çdo politikë dhe dollar ndihme të çojnë përpara interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump gjithashtu ka udhëzuar qeverinë tonë të punojë drejt eliminimit të plotë të grupeve të krimit të organizuar, dhe ky është fokusi ynë. Për ta arritur këtë, ne do të thellojmë bashkëpunimin me qeveritë që përputhen me këtë nivel fokusi dhe angazhimi. Puna jonë do të bazohet në interesa të përbashkëta konkrete, jo në fraza boshe apo ideologji, siç ka theksuar Sekretari Rubio.

Programet tona të ligjzbatimit në Ballkan theksojnë rezultatet dhe ndarjen e barrës – duke pasqyruar politikën tonë të jashtme “Amerika e Para”. Por, “Amerika e Para” nuk është “Amerika e vetme”. Nëse do të mund të luftonim të vetëm krimin e organizuar dhe narkotikët, nuk do të ishim këtu sot, duke punuar për një zgjidhje rajonale. Partneriteti ynë me SPAK-un, i ndërtuar mbi një themel besimi dhe angazhimi me Departamentin tonë të Drejtësisë, tregon ndikimin e bashkëpunimit efektiv. Përmes këtij partneriteti, SPAK shënjestron kriminelët këtu dhe në Amerikën e Jugut. Një hetim i muajit korrik çoi në kallëzimin penal të 16 të dyshuarve dhe sekuestrimin e gjashtë tonëve drogë me vlerë 411 milionë euro. Muajin e kaluar, SPAK-u shkatërroi grupe që trafikonin mbi 32 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë," tha VonHorn.

nancy vanhorn osbe

Sondazh

Poll