Politike

SPAK e mori të pandehur/ Avokatët e kryebashkiakut: Veliaj i mohon të gjitha akuzat për shkelje të ligjit, jemi të shqetësuar për mënyrën e zhvillimit të hetimit

Në reagim thuhet se prej gati 3 muajsh, Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë

23 Korrik 2025, 18:10 Nga r.ll
SPAK e mori të pandehur/ Avokatët e kryebashkiakut: Veliaj i mohon
erion veliaj

TIRANË- Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj kanë reaguar pasi Prokuroria e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur klientin e tyre dhe sot i kanë komunikuar akuzat në paraburgimin e Durrësit. 

Në reagimin e mëposhtëm thuhet se Veliaj i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit, ndërsa theksohet se ndalimi i kryebashkiakut është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional.

Më tej thuhet se prej gati 3 muajsh, Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë. Në reagim avokatët kanë shprehur dhe shqetësimin për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. 

POSTIMI I PLOTË: 

Reagim i avokatëve ndërkombëtarë të z. Veliaj:

Sot, 163 ditë pas ndalimit të z. Erion Veliaj, rezultatet e hetimit të zgjatur nga SPAK i janë dorëzuar nga ana e prokurorisë së posaçme. Avokatët e z. Veliaj mund të nisin tashmë shqyrtimin e provave të çështjes, të kundërshtojnë qëndrimin e SPAK-ut ndaj tij dhe të paraqesin prova në mbështetje të mbrojtjes.

Z. Veliaj i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit. Ne mbetemi në bindjen se vijimi i ndalimit të z. Veliaj është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional. Kemi shqetësime serioze se kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) nuk janë respektuar në rastin e tij. Fatkeqësisht, prej gati 3 muajsh, z. Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë, gjë që cenon seriozisht aftësinë e tij për të ushtruar të drejtat që i garanton KEDNJ-ja.

Si një funksionar i zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilit i është pamundësuar ushtrimi i mandatit, është thelbësore që SPAK të ketë vlerësuar domosdoshmërinë e vazhdimit të ndalimit të tij. Deri më sot, nuk ka asnjë provë që kjo është bërë.

Jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. Së fundmi, detaje në lidhje me përfundimin e hetimit dhe raportin e Prokurorisë janë rrjedhur në mediat shqiptare. Kjo rrjedhje informacioni është në përputhje me trajtimin që i është bërë z. Veliaj që prej ditës së arrestimit, ku të dhëna paragjykuese mbi hetimin e SPAK-ut janë publikuar vazhdimisht në hapësirën publike. Nga informacionet e marra prej avokatëve të tij vendas, kuptojmë se këto rrjedhje përbëjnë shkelje të sekretit hetimor sipas legjislacionit shqiptar.

Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me ekipin ligjor vendas të z. Veliaj dhe të ndjekim çdo mjet ligjor të mundshëm.

Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën. Kjo e fundit është paraqitur ditën e sotme në SPAK, ku iu komunikuan akuzat.  Bëhet me dije se hetimet për kryebashkiakun e Tiranës do të përfundojnë më 29 shtator.  Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka marrë të pandehur edhe biznesmenin Mirton Lika në lidhje me dosjen ‘Veliaj’. Lika akuzat për veprën e “Fshehjes së të ardhurave”. Lika është një emër i ri në këtë dosje pasi më parë nuk është përmendur.

Agjentët e BKH-së kanë mbërritur mesditën e sotme në ambientet e paraburgimit të Durrësit për t'i komunikuar akuzat kryebashkiakut Erion Veliaj. Agjentët janë parë teksa futen në ambientet e burgut disa orë pasi Veliaj u mor i pandehur zyrtarisht nga SPAK. Biznesmeni Gentian Sula është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e SPAK. Raportohet se paraqitje e tij ka të bëjë me komunikimin të akuzave që rëndojnë ndaj tij në lidhje me dosjen "Veliaj".

erion veliaj

Sondazh

Poll