Politike

I dënuar me 4 vite burg për korrupsion, Apeli i GJKKO kthen dosjen e ish-deputetit Alqi Bllako për gjykim

Vendimi u mor sot nga gjyqtarët Saida Dollani, Miliana Muça dhe Tereza Merkaj.

23 Korrik 2025, 15:05 Nga N.F
I dënuar me 4 vite burg për korrupsion, Apeli i GJKKO kthen dosjen e
Foto

TIRANË- Apeli i GJKKO-së ka marrë vendimin që të prishë dënimin prej 4 vitesh burg për korrupsion ndaj ish-deputetit socialist, Alqi Bllako. Më tej në vendim bëhet me dije se Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka kthyer dosjan e Bllakos për gjykim. Vendimi u mor sot nga gjyqtarët Saida Dollani, Miliana Muça dhe Tereza Merkaj.

"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare),  më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 50 akti, datë 17.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.B., ndaj vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Prishjen e vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke u urdhëruar dërgimi i akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë. U shpall në Tiranë, më 23.07.2025," thuhet në vendim.

Bllako akuzohet për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publikë” në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës. Në datë 20 dhjetor, GJKKO kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të Bllakos, për korrupsion kryer në dy raste. Nga hetimet, ka rezultuar se Bllako në cilësinë e sekretarit të ministrisë së Mjedisit ka përfituar shumën prej 120 mijë euro për favorizimin që i ka bërë dy pronarëve që përfituan të drejtën për ndërtimin e inceneratorit, Klodian Zotos e Mirel Mërtirit. Ndërsa në rastin e dytë, ka rezultuar se Bllako i ka kërkuar rryshfet Klodian Zotos, shumën prej 7.5 milionë Lekësh për llogari të Vladimir Bezhanit, duke e punësuar atë fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services”.


Në muajin prill, SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës mes të cilëve edhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, si dhe disa ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi për Inceneratorin e Elbasanit. Bllakos iu caktua dënimi me 2.8 vite burg dhe 5 vite heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike për këtë aferë. Ndërkohë që është dënuar me 2.8 vite burg për inceneratorin e Fierit. 

alqi bllako

Sondazh

Poll