Politike

Hetimi i SPAK për Erion Veliajn/ Merret e pandehur edhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka

Bushka akuzohet për kryerjen e veprës penale "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

23 Korrik 2025, 16:54 Nga r.ll
Hetimi i SPAK për Erion Veliajn/ Merret e pandehur edhe ish-deputetja
veliaj, bushka

TIRANË- Ish- deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn. Sipas raportimeve, Bushka akuzohet për kryerjen e veprës penale "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Në një nga mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së, Bushka i kishte mohuar akuzat e ngritura ndaj saj dhe tha se ajo e ka kushërirë ish-drejtoreshën e BYL-A-s Ina Goxhajn, të përmendur në dosjen e Veliajt-Xoxës si person i vënë nën presion nga Bushka.

Ish-deputetja e PS-së u shpreh asokohe se është takuar me Ina Goxhajn dhe e ka qetësuar duke këshilluar të thotë të vërtetën. Sipas saj ajo i ka sqaruar të afërmes së saj të drejtat që ka dhe nuk ka tentuar të fshehë asgjë. Bushka shtoi se ajo është e interesuar të zbardhet e vërteta. Pavarësisht deklaratave të saj, u publikua edhe një foto e Bushkës, në rrugët e Tiranës duke takuar avokatin e Ajola Xoxës, Ermir Betën.

Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën. Kjo e fundit është paraqitur ditën e sotme në SPAK, ku iu komunikuan akuzat.  Bëhet me dije se hetimet për kryebashkiakun e Tiranës do të përfundojnë më 29 shtator.  Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka marrë të pandehur edhe biznesmenin Mirton Lika në lidhje me dosjen ‘Veliaj’. Lika akuzat për veprën e “Fshehjes së të ardhurave”. Lika është një emër i ri në këtë dosje pasi më parë nuk është përmendur.

Agjentët e BKH-së kanë mbërritur mesditën e sotme në ambientet e paraburgimit të Durrësit për t'i komunikuar akuzat kryebashkiakut Erion Veliaj. Agjentët janë parë teksa futen në ambientet e burgut disa orë pasi Veliaj u mor i pandehur zyrtarisht nga SPAK. Biznesmeni Gentian Sula është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e SPAK. Raportohet se paraqitje e tij ka të bëjë me komunikimin të akuzave që rëndojnë ndaj tij në lidhje me dosjen "Veliaj".

klotilda bushka hetimet e spak per veliaj erion veliaj spak ajola xoxa

Sondazh

Poll