Politike

"Mandatin e mori motra e Adriatikut jo daja im", Endri Shabani: Uroj që Lapaj të nxjerrë mësimet e veta nga e gjithë kjo

Shabani shprehet në postimin e tij e se njeriu i tij më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Xhuveli, "motra" e Adriatik Lapajt, për të cilën thotë se do të kishte mbetur pa asgjë nëse nuk do të ishin dhe votat e "Nisma Thurje".

23 Korrik 2025, 16:09 Nga r.ll
"Mandatin e mori motra e Adriatikut jo daja im", Endri Shabani: Uroj
shabani, lapaj, xhuveli

TIRANË- Endri Shabani ka reaguar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që Kleana Xhuveli të marrë mandatin e deputetes nga lista e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Shabani shprehet në postimin e tij e se njeriu i tij më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Xhuveli, "motra" e Adriatik Lapajt, për të cilën thotë se do të kishte mbetur pa asgjë nëse nuk do të ishin dhe votat e "Nisma Thurje".

Shabani thotë se e gjithë përplasja e ditëve të fundit ishte kostoja që pjestarët e Nismës morën për "ndershmërinë dhe seriozitetin në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra."

Në fund të reagimit të tij, ai thotë se shpreson që Lapaj të nxjerrë mësimet e tij nga e gjithë kjo ashtu siç Shabani ka nxjerrë të vetat. 

REAGIMI I PLOTË: 

U mbars mali dhe…Njëmijë akuza.

Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!

Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.

Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.

Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!

Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.

Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.

Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.

Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.

Kleana Xhuveli do të marrë mandatin e deputetes nga lista e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” sipas vendimit të sotëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi që mandati t’i kalojë kandidates nga lista e mbyllur e këtij koalicioni, të përbërë nga “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje”. 

Kleana Xhuveli është edhe kushërira e parë (vajza e tezes) së Adriatik Lapajt. Disa ditë më parë Xhuveli, e cila garoi në zgjedhjet e 11 majit në krah të Adriatik Lapajt me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, vendosi "të tërhiqte dorëheqjen" e saj të mëparshme. Përmes një letre zyrtare drejtuar KQZ, ajo thoshte se ky vendim vjen pas një rishqyrtimi të plotë të rrethanave dhe një konsultimi të gjerë me mbështetësit, familjen dhe strukturat e angazhimit politik. 

endri shabani adriatik lapaj kleana xhuveli

Sondazh

Poll