Politike

Seanca në GJKKO për dosjen "5D"/ Eduart Meta: Kompaninë e shita se doja të hapja biznes tjetër! Ja si i njoha Redi Mollën, Mariglen Qaton dhe Taulant Tushen

Meta është shprehur se me Mollën, Qaton dhe Muhametllarin nuk kishte pasur marrëdhënie të ngushta profesionale.

3 Korrik 2025, 12:48 Nga r.ll
Seanca në GJKKO për dosjen "5D"/ Eduart Meta: Kompaninë
GJKKO

TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca gjyqësore për dosjen "5D". Ditën e sotme po dëshmon para prokurorëve, ish-pronari i kompanisë "IGOR Electric", Eduard Meta. Ky i fundit ka dhënë arsyet se përse shiti kompaninë e tij e cila sillte miliarda euro fitim për 75 lekë. 

Meta ka treguar edhe për njohjet e tij me të pandehurit në dosjen 5D, mes tyre Mariglen Qaton, Redi Mollën dhe Nestor Muhametllarin. Ai është shprehur se me ta nuk kishte pasur marrëdhënie të ngushta profesionale.

PJESË NGA DËSHMIA: 

Meta: Nuk kam profesion, menaxhoj biznes privat. Punësimi im nga 2015 e më vonë, ka qenë në pozicion privat, në një firmë elektrike në Tiranë. Kam qenë i regjistruar si person tregtar, Igor Electric në 2013. Themelimin e kompanisë Igor Electric e kam bërë vetë, nga person fizik në person juridik. Nuk më kujtohet mirë si i bëra letrat, i bëra vet. Kapitali fillestar ishte 1 mijë lekë. Kam blerë mjete dhe asete gradualisht.

Në 2016-2018, IGOR bënte instalime, kontrata private me nënkontraktim. S’mbaj mend konkretisht cilat. Kam bërë pune publike me OSHEE, bashkinë Tiranë, Tirana Parking te Pazari i Ri. Kam bërë një depo uji, një kolektor ujërash të zeza, saktë s’më kujtohet. Administrator i kompanisë isha vetëm, kur kam ikur unë erdhi Nestor Muhametllari. Ortak i shoqërisë IGOR ELECTRIC kam qenë 2 vjet, 2016-2018.

SPAK: E njeh Alfred Qaton?

Meta: E njoh, e kam pasur në lagje, në 2010 a 2008, nuk e kujtoj dot mirë. Kam marrëdhënie shoqërore. Ka punuar në kompani. Nuk m’u kujtua kur më pyete për të punësuarit, ndaj nuk ta thashë që ka punuar. Ekonomiste ishin Anxhela Meta, nusja ime dhe Pranvera Mema.

SPAK: Pranvera Shahinasin e njeh?

Meta: S’më kujtohet fare.

SPAK: Në 2016, në ujësjellës janë bërë dy procedura, te ujësjellës – kanalizime dhe rikonstruksioni i kolektorit. I gjeta online procedurat te Prokurimet Publike.

Meta: Kompania në 2016 ka dalë me fitim. Nuk ka ndarë fitime, nuk ka pasur ortakë. Kam tërhequr shuma të ndryshme nga llogaria e IGOR. Por nuk i mbaj mend sa.

SPAK: 114 milionë lekë të reja ke tërhequr në 2016, ku i ke çuar? E kupton sa lekë janë?

Meta: Pjesa dërrmuese ka shkuar nëpër objekte, rërë, naftë, fadromat. I kemi paguar nën dorë se ashtu ishte atëherë.

SPAK: Keni bërë shitjen e 75% të aksioneve në 2017. Pse i shitët?

Meta: Doja të hiqja kompaninë, nuk e doja më. Ia dhashë Muhametit (Petrit Muhameti, pronari i VAS konstruksion). Shkuam te noteri, i dhashë kuotat sipas ligjit. U mor avokati me atë punë.

SPAK: 2 milionë 172 mijë lekë, vlera e kompanisë në atë moment.

Meta: Doja të hapja një biznes, një palestër, ndaj e hoqa. Nestorin e kam njohur në lokal duke pa ndonjë ndeshje, vinte me Redin, e dija që ishte inxhinier.

SPAK: Përmendët Redi Mollën, nuk të pyeta për të, ç’lidhje ka?

Meta: E kam njohur Redin, ishim grup, rrinim te lagjja, pinim ndonjë birrë, ndonjë ndeshje shikonim. Mariglenin e kam njohur të parin, e kam njohur në 2006-2005. Nuk kam pasur marrëdhënie të ngushta. Te lokali vinte Redi, Nestori. Shumë mirë ishin marrëdhëniet. Mariglenin dhe Fredin (Alfred Qato, vëllai) kisha shokë.  Unë kam qenë administrator deri në fund.

SPAK: Po pse, a e shite kompaninë?

Meta: Mos më pyet mua.

SPAK: Redi Molla, a kishte kontakte me të punësuarit tuaj?

Meta: Jo. Taulant Tushën e njoh, rrinim te lokali. Nuk kam folur për IGOR Electric me ta. Ndoshta ndonjë bisedë e përditshme si ka shkuar puna, por jo biseda konkrete.

Avokati Ardian Leka pyet dëshmitarin nëse ka pasur borxhe kompania

Meta: Kompania ka pasur borxhe, fatura të pashlyera. Kredi nuk ka pasur. I kam mbyll rregullisht në fund të vitit, pozitiv dilte.

Më 2 korrik të 2024 SPAK i komunikoi akuzat “korrupsion pasiv” dhe “mosdeklarim të pasurisë” Redian Mollës dhe Mariglen Qatos, ndërsa Taulant Tushes i komunikoi akuzën “shkelje e barazisë në tendera”. Tre ish-drejtorët u arrestuan në muajin mars të vitit të kaluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”. Ata u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje”, konkretisht Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Keçi dhe Englatina Zere.

Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohor të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022. Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion".

dosja 5d gjkko

Sondazh

Poll