Politike

DETAJE/ Meta dhe Kryemadhi shpenzuan 240 mijë dollarë nga karta e biznesmenit shqiptaro-amerikan

Sipas SPAK, kjo shumë është shpënzuar për blerje në dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills si dhe në pagesat e qëndrimit në hotel dhe bileta avjoni për udhëtimet.

1 Korrik 2025, 10:28 Nga I.A
DETAJE/ Meta dhe Kryemadhi shpenzuan 240 mijë dollarë nga karta e
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta

TIRANË- Zbulohet shuma që SPAK dyshon për një episod të ri korrupsioni ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi. Në raportimin e dymujor të SPAK, bëhet me dije se Kryemadhi ka shpenzuar 240 mijë dollarë nga karta e biznesmenit shqiptaro-amerikan Adrian Shatku. Sipas SPAK, kjo shumë është shpënzuar për blerje në dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills si dhe në pagesat e qëndrimit në hotel dhe bileta avjoni për udhëtimet.

"Shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi me kartën American Expres Centurion me numër XXXX XXXXXS-31017, për periudhën Dhjetor 2014- Nentor 2017 kapin vlerën 234,677.83 USD. Sipas përshkrimit të llojit të shërbimit, pagesat e kryera nga Monika Kryemadhi jane kryesisht për blerje ne dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills; pagesa të qëndrimit në hotel në Londër, New York dhe Las Vegas si dhe bileta avjoni për udhëtimet", thuhet në raportimin dymujor të SPAK.

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

monika kryemadhi ilir meta adrian shatku

Sondazh

Poll