Politike

VIDEO/ "Shifrat e mia janë të sakta", Nigel Farage: E pranoj ftesën e Ramës për të vizituar Shqipërinë

Farage shprehet se me kreun e qeverisë do të diskutojë edhe çështjen e kthimit të të burgosurve shqiptarë nga Britania.

1 Korrik 2025, 09:30 Nga r.ll
VIDEO/ "Shifrat e mia janë të sakta", Nigel Farage: E pranoj
nigel farage

BRITANI- Deputeti britanik, Nigel Farage, në vazhdën e replikave me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e emigrantëve shqiptare në Britaninë e Madhe ka bërë një tjetër postim në rrjetet sociale. 

Përmes një video të postuar në "X", Farage shprehet se e pranon ftesën e Ramës për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë si i ftuar nderi i tij. Më tej shprehet se me kreun e qeverisë do të diskutojë edhe çështjen e kthimit të të burgosurve shqiptarë nga Britania.

"Një në 50 shqiptarë në Britani është në burg. Dhe unë fola për këtë para pak ditësh në GB News. Edi Rama, ky gjigand njeri që është Kryeministër i Shqipërisë, ka reaguar dhe ka thënë se "po flas broçkulla", se shifrat e mia janë të gjitha të gabuara. Ai gjithashtu tha: "Si guxon Britania të mendojë për të dërguar njerëz jashtë vendit që u është refuzuar kërkesa për azil". Po vetë ai është duke bërë një marrëveshje me Italinë për të marrë disa nga azilkërkuesit e tyre të dështuar. Çfarë hipokrizie nga ky Kryeministër pro-Bashkimit Europian dhe anti-Brexit. Epo, po të them një gjë, Edi: nëse je burrë i mirë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit tanë shqiptarë? Ai tha që nëse shifrat e mia janë të sakta, do të marrë çdo shqiptar në burg dhe do ta kthejë në Shqipëri. Ne i kemi kontrolluar dhe ri-kontrolluar shifrat tona. Jemi në rregull. Por Edi thotë, jo, keni gabim, sepse ka mijëra emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britani. Epo, kjo do të thotë që numri i kriminelëve nuk është një në 50. Ndoshta është një në tre. Ndoshta një në katër. Nuk e di. Gjithsesi, debati vazhdon me Kryeministrin shqiptar", tha Farage.

 

Prej disa ditësh, kryeministri Rama dhe deputeti britanik kanë replikuar në rrjetet sociale, pasi ky i fundit deklaroi se një  "një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg" dhe bëri thirrje për riatdhesimin e tyre të menjëhershëm. Nigel e quajti udhëheqësin shqiptar "një gjigant burrëror" që e udhëheq Shqipërinë si kryeministri i saj socialist, ndërsa kritikoi politikat e Britanisë për imigracionin. Kritikat e Ramës ndaj Britanisë u shfaqën gjatë një interviste me The Guardian, ku ai paralajmëroi se plani i Sir Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit e dështuar jashtë vendit tregon se Britania pas Brexit është në "një vend shumë të errët".

Kryeministri shqiptar tha se Britania po “kërkonte vende për të lënë emigrantët”, një koncept që ai pretendoi se do të kishte qenë i paimagjinueshëm një dekadë më parë. Ai argumentoi se Brexit-i e kishte ndryshuar rrënjësisht diskursin publik britanik, duke thënë: Tetëdhjetë përqind e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që [para Brexit-it] do të kishin qenë krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme. Nigel akuzoi Ramën për hipokrizi, duke iu referuar negociatave të vetë Shqipërisë për të pranuar emigrantë nga vende të tjera.

nigel farage edi rama

Sondazh

Poll