Aktualitet

Ngrihet aktakuzë kundër një personi për krime lufte në Gjakovë

Hetimet zbuluan se gjatë periudhës 7-10 maj të vitit 1999, i pandehuri ka marrë pjesë në sulm të gjerë dhe të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë, thuhet në njoftim.

27 Qershor 2025, 14:16 Nga E. D
Ngrihet aktakuzë kundër një personi për krime lufte në
foto ilustruese

KOSOVË- Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.R., për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”. Hetimet zbuluan se gjatë periudhës 7-10 maj të vitit 1999, i pandehuri ka marrë pjesë në sulm të gjerë dhe të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë, thuhet në njoftim. Aty bëhet e ditur se ai ka vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë.

“Aktakuza e ngarkon të pandehurin me përgjegjësi për vrasjen e tre civilëve shqiptarë, të cilët më pas janë keqtrajtuar fizikisht, si dhe për dëbimin e dhunshëm të civilëve nga shtëpitë e tyre, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronave në disa lagje të qytetit”, bëri të ditur prokuroria.

Provat kundër të pandehurit përfshijnë dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve okularë, identifikimin e tij përmes fotografive, raporte të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe materiale të tjera të mbledhura gjatë hetimeve. I pandehuri ndodhet në paraburgim, ndërsa prokuroria tha se ka kërkuar vazhdimin e kësaj mase, për shkak të rrezikut të arratisjes.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende në kërkim. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. Dhjetë ditë më parë, një person u dënua me 15 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës.

kosove

Sondazh

Poll