Politike

Zgjedhjet parlametare në Kosovë/ KQZ certifikon rezultatet, hapet rruga për formimin e institucioneve të reja

Gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e sotme, KQZ-ja miratoi certifikimin e rezultateve me 9 vota pro dhe 2 kundër.

27 Mars 2025, 16:48 Nga B.Z
Zgjedhjet parlametare në Kosovë/ KQZ certifikon rezultatet, hapet
Foto ilustruese

KOSOVË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka certifikuar këtë të enjte rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja.

Gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e sotme, KQZ-ja miratoi certifikimin e rezultateve me 9 vota pro dhe 2 kundër.  Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë nuk është formimi i Qeverisë, por ai i konstituimit të përbërjes së re parlamentare.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.

Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së e cila fitoi zgjedhjet. Ndërkohë, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit. Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave.

Me konsitituimin e Kuvendit, hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri. Në këtë periudhë, presidentja Osmani, sipas ligjeve obligohet të nominojë partinë fituese për formimin e Qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet t'i sigurojë votat 61 deputetëve. LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 SOSH, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Pra, i bie që asnjëra parti nuk do të mund të formojë vetëm Qeverinë, por për ekzekutivin e ri do të duhet të formohen koalicione. Sa i përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë Qeverinë me partitë joshumicë të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Partitë e mëdha shqiptare po ashtu janë shprehur kundër bashkëpunimit për ekzekutivin e ri me LVV-në. Por, Kurti ka shprehur bindjen se do të udhëheqë qeverinë e re.

Megjithatë, nëse LVV-ja dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike. Pas konsultimeve, ajo vendos për mandatarin e ri, nëse ky i fundit dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin.

Mandatari më pas ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.

kqz kosove zgjedhje 9 shkurt

Sondazh

Poll