Politike

Identifikimi i 11 personave të zhdukur në varrin masiv në Bishtazhin, Kurti: Dëshmi e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia!

Ai theksoi se pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë i groposën trupat e pajetë në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve.

19 Mars 2025, 16:49 Nga N.F
Identifikimi i 11 personave të zhdukur në varrin masiv në
Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për mes një postimi në "Facebook" pas zbulimit të një varreze masive në Bishtazhin, ku janë gjetur dhe identifikuar eshtrat e 11 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kurti shkruan se pas 26 pranverash në pritje e ankth të familjeve, 11 të zhdukur gjatë luftës janë gjetur dhe identifikuar.

Ai theksoi se pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë i groposën trupat e pajetë në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve. Kurti rikujtoi se më 2 prill 1999, forcat serbe grumbulluan me dhunë qindra burra dhe djem shqiptarë në një fushë në Kralan, ku i mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë.

Më 4 prill, 86 burra dhe djem, përfshirë 11 të mitur, u ndaluan dhe që nga ajo ditë nuk u panë më të gjallë. Disa prej tyre më vonë u gjetën në afërsi të liqenit Peruqac në Serbi, ndërsa pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, autoritetet serbe i rrëmbyen përsëri kufomat.

Pas 26 vitesh, në këtë varrezë masive janë identifikuar: Adem Gashi, Sahit Gashi, Bekim Hasani, Sheremet Ismajli, Mentor Myrtaj, Osman Fejza, Shkelzen Hajdaraj, Bekim Gashi, Sabedin Kryeziu, Mentor Kryeziu dhe Vehbi Halilaj.

Kurti e quajti këtë një dëshmi të krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, duke shtuar se është e vështirë të gjenden fjalë që mund të ngushëllojnë familjarët e viktimave. Ai theksoi rëndësinë e mos harrimit dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve të vazhdueshme për të vërtetën dhe drejtësinë.

“Jemi pranë familjeve, me gjithë përkrahjen e mundshme, në këtë rrugëtim të vështirë të dhembjes dhe kujtesës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të dashurit tanë që sakrifikuan jetën për lirinë që ne e gëzojmë. Lavdi!,” përfundoi ai.

kurti

Sondazh

Poll