Politike

Berisha: Rama po censuron skandalin e abuzimit me fondet e taksapaguesve amerikanë nga e shoqja dhe ish-bashkëshortja

Në deklaratën për mediat, Berisha pretendon se Linda Rama me anë të fondacioneve dhe projekteve të saja, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtim me ligjet themelore te antikorrupsionit.

19 Shkurt 2025, 12:23 Nga M.L
Berisha: Rama po censuron skandalin e abuzimit me fondet e taksapaguesve
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur ditën e sotme se kryeministri Edi Rama, ish-bashkëshortja dhe bashkëshortja e tij Linda Rama kanë abuzuar me miliona euro e miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë. Në deklaratën për mediat, Berisha pretendon se Linda Rama me anë të fondacioneve dhe projekteve të saja, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtim me ligjet themelore te antikorrupsionit.

Ndërkohë Berisha shtoi se Rama nuk rrespekton ligjet e parimet për pasurimin e tij familjar duke thënë se ka ai gjithashtu denoncuar me emra ministrat që shoqëronin Linda Ramën në diskutimet për projeket e saj duke e quajtur aktivitet flagrant të shpërdorimit të detyrës dhe fondeve.  

"Narkoqeveria e Edi Ramës ka vendosur censurën më të plotë, po mbulon me terrin më të zi një nga skandalet më të mëdha ndërkombëtare të rrethit të tij familjar, siç është abuzimi me miliona e miliona euro dhe dollarë të taksapaguesve amerikanë nga ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe bashkëshortja e tij aktuale. Auditet e para në SHBA faktojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të pasuruar elitat e korruptuara të ekstremit të majtë në vendet e tjera të botës.

Në rast se ka një rast më klasik të abuzimit ekstrem me paratë e taksapaguesve të SHBA, në Shqipëri në krye të listës qëndrojnë dy zonja, Linda Rama, bashkëshortja aktuale e kryeministrit, e cila në dhjetëra e dhjetëra projekte të saj, me fondacionin Shqipëria e Hapur, me UNDP-në dhe të tjera, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtime flagrante me ligjet themelore të antikorrupsionit. Ajo përbën një rast unik në planet, kur bashkëshortja e kryeministrit, paguhet me paratë e taksapaguesve të vendeve të tjera dhe kryesisht të SHBA për të bërë raporte për veprimtarinë e qeverisë së burrit të vet.

Ky është një rast kulmor flagrance që fakton se gjer ku arrin makutëria e enturazhit të Edi Ramës dhe se për pasurimin e tij familjar, Edi Rama nuk respekton asnjë ligj, asnjë parim kombëtar as ndërkombëtar. Edi Rama ishte i detyruar të përjashtonte bashkëshorten e tij nga çdo lloj studimi që lidhej me qeverinë e tij. Por është bërë e kundërta, jam unë që kohë më parë kam denoncuar faktin e vizitave, e shoqëruar nga ministra, dhe i kam denoncuar me emër dhe mbiemër, ku Linda Rama debatonte dhe gjente tema për projektet e studimit të saj në agjencitë dhe zyrat e qeverisë. Pra, përdoreshin ato. Aktivitet absolutisht flagrant i shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të fondeve," tha Berisha.

sal berisha edi rama linda rama

Sondazh

Poll