Politike

"Ju përcjell urimet më të përzemërta"/ Zbardhet letra e Ramës për Albin Kurtin në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Rama thotë se Kosova ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, ndërsa thekson vullnetin e tij dhe Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim të gjithanshëm mes dy palëve.

19 Shkurt 2025, 10:19 Nga B.Z
"Ju përcjell urimet më të përzemërta"/
Kurti, Rama

TIRANË - Kryeministri Edi Rama, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës që daton më 17 shkurt 2008.

Në letrën e siguruar nga Dosja.al, Rama i përcjell homologut të tij urimet më të përzemërta për këtë festë të cilën e cilëosn si një ditë të shënuar dhe historike për kombin tonë. 

Rama thotë se Kosova ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, ndërsa thekson vullnetin e tij dhe Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim të gjithanshëm mes dy palëve.

"Ju përcjell urimet më të përzemërta"/
Letra e Ramës

Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt 2008, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt në Prishtinë. Seanca nisi në orën 15:00 dhe u drejtua nga kryetari i Kuvendit të asaj kohe, Jakup Krasniqi. Pas fjalimeve të ndryshme nga liderët politikë, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi lexoi Deklaratën e Pavarësisë, duke shpallur Kosovën si një shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata theksonte përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar një shtet që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetet pakicë. Ky akt historik erdhi pas një periudhe të gjatë të përpjekjeve diplomatike dhe pas luftës së viteve 1998-1999, e cila përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.

Pas shpalljes së pavarësisë, flamuri i ri i Kosovës u prezantua dhe u ngrit në institucionet kryesore të vendit. Brenda pak ditësh, disa vende e njohën menjëherë pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Ndërsa, me kalimin e viteve, numri i njohjeve vazhdoi të rritej, pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë dhe aleatëve të saj.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një ngjarje me rëndësi të madhe historike për popullin, duke shënuar fundin e një periudhe të gjatë të administratës ndërkombëtare dhe fillimin e një kapitulli të ri si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare.

albin kurti edi rama

Sondazh

Poll