Politike

Prokurori i Përgjithshëm miraton masat për zgjedhjet e 11 majit, ngrihen seksione të posaçme në institucion

Për këto masa, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm do të ngrihen seksione të posaçme të përkohshme për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve në kompetencën e tyre.

19 Shkurt 2025, 10:46 Nga M.B
Prokurori i Përgjithshëm miraton masat për zgjedhjet e 11
Olsian Çela

TIRANA- Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, miratoi sot udhëzimin e përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Për këto masa, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm do të ngrihen seksione të posaçme të përkohshme për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve në kompetencën e tyre.

Këto seksione do të ngrihen brenda 10 ditëve nga miratimi i këtij udhëzimi dhe do të funksionojnë deri në datën 31.5.2025. Seksionet do të drejtohen nga drejtuesit e prokurorive në 13 prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe do të kenë në përbërje të tyre prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore me eksperiencë të gjatë në punë dhe që kanë pasur trajnime në këtë fushë.

Sipas marrëveshjes së lidhur mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit do të vendosë të dispozicion të seksioneve të posaçme të përkohshme oficerë të policisë gjyqësore, ekspertizë, pajisje logjistike si dhe grupe operacionale për mbështetjen e hetimeve.

“Për të siguruar bashkëpunim institucional efektiv për procesin zgjedhor, me qëllim sigurimin e efektivitetit dhe eficencës në hetime, do të koordinohet veprimtaria edhe me Prokurorinë e Posaçme dhe KQZ në të gjitha nivelet, me qëllim transmetimin në kohë të shpejtë të kallëzimeve penale, procedimeve penale dhe çdo të dhëne tjetër.

Prokurorëve u kërkohet të kryejnë hetime proaktive, duke ndjekur një politikë penale rigoroze lidhur me kërkesat për caktimin e masave të sigurimit dhe masat e dënimit. Në faqen e internetit të Prokurorisë së Përgjithshme do të vihet në dispozicion një format standard kallëzimi për të ndihmuar qytetarët të kallëzojnë shkeljet e ligjit që kanë cënuar interesat e tyre si zgjedhës”, thuhet në njoftim.

zgjedhjet e 11 majit

Sondazh

Poll