Politike

PDIU takim me shqiptarët në Itali, Shpëtim Idrizi: Diaspora e re i jep jetë neoshqiptarizmës

Idrizi pasi bëri një ekspoze të aktivitetit të PDIU-së dhe kauzave kombëtare që kjo forcë mbështet, theksoi nevojën e një programi të veçantë për diasporën e vjetër dhe të re e cila është në numër po aq sa banorët brenda kufijve të vendit.

21 Janar 2025, 11:35 Nga I.A
PDIU takim me shqiptarët në Itali, Shpëtim Idrizi: Diaspora e re
Takimi

ITALI- Ditën e dielë, datë 19 janar Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi bashkë me deputetet e PDIU-së Mesila Doda dhe Nustret Avdulla patën një takim entuziast me pjestarë të komunitetit shqiptar të Pavias, në Itali. Gjatë takimit, Idrizi pasi bëri një ekspoze të aktivitetit të PDIU-së dhe kauzave kombëtare që kjo forcë mbështet, theksoi nevojën e një programi të veçantë për diasporën e vjetër dhe të re e cila është në numër po aq sa banorët brenda kufijve të vendit.

"Padrejtësitë historike në vitin e mbrapshtë 1913 e ndanë Shqipërinë Politike dhe Shqiptarët në 5 shtete. Por dhe emigracioni i pas viteve ‘90 e që vazhdon dhe sot ka krijuar realitete që bërtasin fort. Sot kemi 2.4 milion Shqiptarë që banojnë në Shqipëri dhe 1.7 milion shqiptarë që banojnë jashtë saj në të gjithë globin dhe që ka krijuar realisht një Shqipëri tjeter. Kjo Shqipëria tjetër që përbën mbi 40 % të popullsisë kontribon çdo vit me 1 miliard euro në ekonominë shqiptare, duke ndikuar në mënyrë direkte në zbutjen e varfërisë por dhe në zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë. Kontributi i juaj për vendin amë dhe familjet e tuaja është jetik dhe në këto vite egzistencial.

Po shteti shqiptar çfarë kanë bërë për ju? Po partitë politike që sot vijnë t’ju kërkojnë votën? PDIU është dhe ka qenë gjithmonë e vëmendëshme ndoshta dhe për shkak të përkatësisë e ngjasimin me të shpërngulurin me dhunë. Ne i kemi propozuar shtetit shqiptar dhe qeverisë së kohës nevojën për krijimin e një institucioni të rëndësishëm si Ministria e Diasporës, për të adresuar problemet e emigracionit. Pastaj u dakordësua për Komitetin Kombëtar e më pas në vitin 2014-15 me qeverinë e kohës për ngritjen e Ministrisë së Diaporës. Kemi studiuar modelet më të mira të vendeve me emigracion të zhvilluar si Italia, Armenia, Kroacia, Greqia etj. Sot fatkeqësisht nuk ka më një Ministri të Diasporës! Disa ju kërkojnë votën megjithëse e suprimuan këtë ministri, e disa që as e kishin në mend ta krijonin!

Pra, për 2.4 milion shqiptarë ka 12-13 ministri e disa ministra shteti dhe mbi 1000 institucione të varura e të pavarura, për 1.7 milion po shqiptarë që jetojnë jashtë dhe mbajnë me bukë një pjesë të mirë të këtyre brenda. Fatkeqësisht sot nuk ka asnjë institucion që adreson problemet e shumta që ka emigracioni! Si do t’i integrojmë ne me njëra-tjetrën këto dy realitete shqiptarësh është sfida jonë e radhës. Ruajtja e fortë e lidhjeve me shtetin amë dhe sidomos ruajtja, pasurimi e rritja e identitetit kombëtar shqiptar të shqiptarëve jashtë është detyrë dhe interes i shtetit shqiptar," tha Idrizi.

Idrizi theksoi se ruajta e fortë e identitetit kombëtar shqiptar bëhet duke ruajtur e mësuar gjuhën shqipe, historinë, ruajtur kulturën e pasuruar trashëgimin kombëtare.

"Ruajtja e këtij identiteti, hapja e shkollave shqipe kudo ku ka shqiptarë është detyrë e shtetit shqiptar. Mos të harrojmë që po kalojmë në brezin e dytë e të tretë të emigracionit dhe lidhjet e përkatësia me vendin amë fillojnë e zbehen. Lehtësirat për dokumenta të ndryshme për emigrantët duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë dhe të jemi falenderues që e duan këtë gjë. Organizimi i diasporës në shoqata dhe grupe interesi të organizuara është interes e përparësia jonë. Përfshirja e biznesit të diasporës dhe krijimi i çdo hapësire për ta në ekonominë shqiptare; Vota e diasporës si një e drejtë e vonuar dhe e mohuar prej shumë vitesh është një moment i rëndësishëm në historinë e pluralizmit shqiptar. Vota e diaporës është vendimtare në këto zgjedhje; Shqiptarët që jetojnë jashtë nuk mund të jenë vetëm komuniteti të cilit i drejtohemi për t’i kërkuar votën, por duhet të ketë një program të qartë, për mënyrën se si duhet të mbështeten ato nga shteti shqiptar, për ruajtjen e gjuhës shqipe me anë të shkollave e mësuesve, e hapjen e qëndrave kulturore të cilat me aktivitetin e tyre mbajnë gjallë identitetin kombëtar," përfundoi Idrizi.

Të pranishmit në takim shprehën opinionet e tyre për situatën e sotme të vendit, por edhe kërkuan bashkëpunim për krijimin e shoqatave që do të kthehen në pikë referimi e mbështetje për gjithë bashkëkombasit që jetojnë në Padania. Takimi ishte i pari që hap serinë e takimeve që do të zhvillohen me diasporën në Itali, Greqi, SHBA e Gjermani.

shpëtim idrizi pdiu

Sondazh

Poll