Politike

"Rama ka krijuar narkoshtet"/ Berisha: Ka zëvendësuar qindra oficerë policie me organizata kriminale të rrezikshme!

Berisha shprehet se Rama ka spastruar nga Policia qindra oficerë të guximshëm, duke i zëvendësuar me mbi 206 grupe dhe organizata kriminale, sipas tij më të rrezikshme në Shqipëri dhe në rajon.

17 Janar 2025, 17:36 Nga B.Z
"Rama ka krijuar narkoshtet"/ Berisha: Ka zëvendësuar qindra
Sali Berisha

TIRANË - Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama se ky i fundit ka kriminalizuar Policinë. Gjatë fjalës së tij në takimin "Siguria dhe Rendi" Berisha u shpreh se Rama ka krijuar një narkoshtet, pasi sipas tij ka vendosur në krye të Ministrisë së Rendit një trafikant (Saimir Tahirin).

Berisha shprehet se Rama ka spastruar nga Policia qindra oficerë të guximshëm, duke i zëvendësuar me mbi 206 grupe dhe organizata kriminale, sipas tij më të rrezikshme në Shqipëri dhe në rajon.

Deklarata e Berishës:

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju, për të gjithë anëtarët e Policisë së Shtetit, që u larguan nga krimi që erdhi në pushtet nga kjo polici, për shkak të kontributit të çmuar që ata dhanë në luftën kundër kriminalitetit, në sigurimin e jetës dhe veprimtarive të qytetarëve shqiptarë.

Dua të përshëndes me këtë rast edhe të gjithë ata anëtarë të Policisë së Shtetit që janë sot në detyrë, por që kanë arritur mes vështirësive të jashtëzakonshme të qëndrojnë të papërkulur, para krimit dhe lidhjeve të tmerrshme të tij. Ti siguroj se ata kanë dhe do të kenë, vlerësimin më të madh.

Të dashur miq!

Edi Rama betejën e tij, për krijimin e narkoshtetit e nisi kundra jush, kundra Policisë së Shtetit. Për këtë qëllim ai vendosi në krye të ministrisë së Rendit, një gangster, një trafikant, një ordiner siç ishte Saimir Tahiri, i cili ishte edhe politikani i parë shqiptarë që do të blinte skafin e trafiqeve, personal.

Me vendosjen e një eksponenti të krimit në krye të Ministrisë së Rendit, Rama dhe mëkëmbësi i tij filluan operacionin e spastrimit të policisë nga qindra oficerë të guximshëm, trima që i bënë vendit shërbime të jashtëzakonshme, duke asgjësuar dhe vendosur para ligjit mbi 206 grupe dhe organizata kriminale më të rrezikshme në Shqipëri dhe në rajon.
Ndërkohë pasi bën këtë spastrim të radhëve të policisë, ata rekrutuan malavitën me të cilën erdhën në pushtet dhe nisën haptas, publikisht, zyrtarisht e narkoshtetit me kanabizimin e të gjithë Shqipërisë.

Ata rikthyen në detyra, të gjithë ish-trafikantët, ish-oficerët e inkriminuar të larguar nga detyra jo vetëm nga qeveria e PD, por e vërteta të larguar nga detyra edhe nga qeveritë socialiste para saj. Edi Rama në raport me krimin, në historinë kombëtare mund të konsiderohet vetëm me etërit e tij, Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, që sigurisht rrethoheshin nga vrasës dhe kriminelë, se me asnjeri tjetër.

sali berisha edi rama policia

Sondazh

Poll