Politike

"Fëmijët shqiptarë i leni me vdek"/ Ardhja e 1-vjeçarit nga Gaza për ndihmë mjekësore në Tiranë, Rama i përgjigjet komentuesve: U kërkua nga partnerët ndërkombëtarë

Në përgjigjen e tij kryeministri tha se këto komente vijnë nga inati që kanë për qeverinë dhe i cilësoi si përhapje gënjeshtrash.

17 Janar 2025, 13:10 Nga r.ll
"Fëmijët shqiptarë i leni me vdek"/ Ardhja e
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij në Facebook "Sy m'sy" i është përgjigjur komenteve në rrjet lidhur me ardhjen e një 1-vjeçari nga Gaza në Tiranë për ndihmë mjekësore. 

Në dy komentet e zgjedhura thuhej: "Bravo reklam e bukur. Femijet shqiptar i leni me vdek. Duhet mu lut zoti që ka disa shoqata bamiresie e që jan shqiptarët zemer mire e bejne bamirësi se për ju..." dhe "Ndonje femij shqiptar qe kerkon ndihme per kurim jashte vendit as qe ju ka ber pershtypje, apo ska problem vetem te dalesh I mire jashte shqiperis ti se per brenda sta ndjen fare se i ke ne xhep te vogel shqiptaret"

Në përgjigjen e tij kryeministri tha se këto komente vijnë nga inati që kanë për qeverinë dhe i cilësoi si përhapje gënjeshtrash. Sipas Ramës, në pavionet e pediatrive kurohen çdo vit 46 mijë fëmijë. Më tej tha se çdo vit çojnë jashtë vendit mesatarisht 25 fëmijë, shifër kjo sipas kryeministrit më e madhe se gjitha shoqatat të mbledhura bashkë. Në fund të përgjigjes ai tha se familja që erdhi nga Gaza erdhi me kërkesë të partnerëve ndërkombëtare. Rama tha se disa familje në të cilat njëra erdhi në Shqipëri, u çua nëpër disa vende të Evropës.

FJALA E KRYEMINISTRIT

I hodha një sy shpejt komenteve në postimin për familjen nga Gaza që e mikpritëm për t’i dhënë ndihmë urgjente mjekësore fëmijës 1 vjeç.  E kam më ty Daniel e ty adash, kur i shkruani komentet e keni seriozisht apo thjeshtë: Inati i sime vjehrrë dhe bum në krevat mullixhiut?

Dakord që e keni inat qeverinë dhe kjo duket nga shumë larg por nuk është faj. Inati për qeverinë të të çojë në pikën që të flasësh kaq përçart, kjo është ti biesh vetes dhe të përhapësh gënjeshtra për llogaritë e atyre që te gënjeshtra janë kapur si i mbyturi pas fijes së barit dhe e dini për kë e kam fjalën.

Ku i keni parë ju këta fëmijët që ne i likemi të vdesim. Natyrisht është pyetje retorike ashtu sikundër ju sikur nuk ju fajësoj fare se inati po, llumi i foltoreve, kanaleve dhe portaleve ku ju zhyteni po dhe normal që këtu ju dukeni vetë sikur vdesin njerëzit dhe për një aspirinë. Dëgjoni faktet çdo vit në Shqipëri kurohen në pavionet e pedriatrive tona 46 mijë fëmijë. 15 mijë prej tyre në QSUT dhe operohen mesatarisht 2400 fëmijë me sukses në QSUT.

Dëgjoni se thoni rrofshin disa shoqata bamirëse dhe disa shqiptarë zemërmirë se të jetë për ne zemërgurët fëmijët këtu të gjithë vdesin. Çdo vit ne çojmë jashtë vendit mesatarisht 25 fëmijë, pra më tepër se të gjitha shoqatat të mbledhura bashkë, të cilat i falenderoj përzemërsisht për angazhimin e tyre të pamohueshëm, respekte. Dhe nuk po iu lodh më shumë me programet e reja të kujdesit për fëmijët, vaksinimin falas çdo vit me shërbimin dentar që po e rikthejmë nëpër shkolla etj.

Por thjesht ju përshëndes me urimin që të keni më shumë respekt për të vërtetën, pra për veten dhe më pak zë për të përhapur helme dhe gënjeshtra. Se ajo familja që erdhi nga Gaza erdhi me kërkesë të partnerëve ndërkombëtare dhe si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik. Disa familje në të cilat njëra erdhi në Shqipëri, u çua nëpër disa vende të Evropës ku shërbimi pediatrik vlerësohet. Dhe e dyta, në vend se të bëheni përhapës të gënjeshtrave të atyre që e dini se kush janë, kërkojuni atyre llogari se nuk i dihet me inat kësaj pune. Inat kijeni këtë qeveri dhe këtu do ta keni prap. Inati nuk është as program dhe as alternativë, që iu mungojnë atyre që iu përdorin edhe ju si zëdhënës të gënjeshtrave të tyre.

Mbrëmjen e kaluar, një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza është evakuar në Shqipëri për trajtim të specializuar mjekësor. Në njoftimin e Organizatë Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri thuhet se fëmija aktualisht ndodhet në Spitalin Universitar "Nënë Tereza", ku po merr kujdesin mjekësor të nevojshëm, ndërsa familja e tij, përfshirë babain, vëllain dhe motrën, janë akomoduar në një qendër refugjatësh në Babrru të Tiranës.

edi rama

Sondazh

Poll