Politike

Berisha: Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzon në mënyrë përfundimtare vetingun në Shqipëri

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha ka deklaruar se Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane në vendimin e tij ka theksuar se vetingu nuk duhet të përdoret si një procedurë zëvendësuese e masave disiplinore. 

20 Dhjetor 2024, 12:36 Nga I.A
Berisha: Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzon
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzoi në mënyrë përfundimtare vetingun në Shqipëri. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha ka deklaruar se Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane në vendimin e tij ka theksuar se vetingu nuk duhet të përdoret si një procedurë zëvendësuese e masave disiplinore. 

"Së dyti, unë kam një lajm për mbarë shqiptarët. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzon në mënyrë përfundimtare vetingun në Shqipëri. Të dashur qytetarë, e vërteta vonon, por kurrë nuk mund të shtypet dhe mohohet. Ky është dokument i datës 6 dhjetor 2024. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane pranë Këshillit të Europës, çfarë thonë këta për vetingun. Po lexoj paragrafin kushtuar vetingut: Ndërkohë që ky opinion nuk adreson vetingun, Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane nuk mund të injorojë këtë çështje në heshtje të plotë. Vetingu nuk duhet të përdoret si një procedurë zëvendësuese e masave disiplinore. E ndaluar si procedurë zëvendësuese e masave disiplinore.

Dhe as nuk duhet të përdoret vetingu për të adresuar korrupsionin. Korrupsioni është një vepër penale që duhet të hetohet dhe ndëshkohet sipas të gjitha procedurave. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane pranon se vetingu mund të jetë i lejueshëm si një procedurë e jashtëzakonshme e përdorur vetëm një herë në tranzicionin nga diktatura në një qeveri demokratike të shtetit të së drejtës. Pra, siç e shihni ju, kjo procedurë, e cila u përdor 1, për të lënë shqiptarët pa drejtësi, për t’u mohuar shqiptarëve të drejtën e një procesi ligjor, nuk e kanë më. Ata që presin 14 vite për një proces civil dhe 10 vite për një proces penal janë të privuar nga procesi i duhur ligjor që e garanton Kushtetuta dhe Konventa Europiane të Drejtave të Njeriut.

Vetingu, thotë, nuk duhet të përdoret për të adresuar korrupsionin sepse përdorimi i tij është vetëm gjueti shtrigash. Imagjinoni ju, Altin Dumani me tre shtëpi dhe një të ndërtuar nga vjehrri dhe kisha, vazhdon e kryeson Skapin, në një kohë kur një gjykatëse ka dalë nga sistemi për një garsionere të privatizuar nga i ati në vitin 1996. Tjetra ka dalë për rrogën qindarkë për qindarkë që i ati i ka kthyer nga dita e daljes në punë gjer në ditën e martesës. Pra, ky është procesi më i korruptuar që ka njohur ndonjëherë Europa, ky është akti më i turpshëm," tha Berisha.

Sondazh

Poll