Politike

Paketa Anti-shpifje/ KiE ‘shuplakë’ qeverisë, Mijatoviç: Rishikoni draftin, s’mund të mbyllen portalet pa vendim gjyka

17 Dhjetor 2019, 11:02 Nga DOSJA
Paketa Anti-shpifje/ KiE ‘shuplakë’ qeverisë,

BRUKSEL- Komisionerja e Këshillit të Europës për të drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç ka komentuar projektligjet e Paketës Anti-shpifje, që do të votohen të mërkurën në Kuvend. Mijatoviç thotë prerë se dy ligjet e shumë-debatuara nga komuniteti i gazetarëve bien ndesh me lirinë e shprehjes. “Jam shumë e shqetësuar të mësoj se këtë javë Parlamenti shqiptar vazhdoi me shqyrtimin e dy projekt-ligjeve, të njohura si “paketa anti-shpifje”. Këto ligje kanë nevojë urgjente për përmirësim. Disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve”, thuhet në reagimin e Mijatoviç në mediat sociale.

Më tej, ajo thotë se është tejet shqetësues fakti, sesi një faqe interneti mund të bllokohet pa vendim gjykate. “Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të tepërta dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe prezantimi i rregullimit shtetëror të mediave në internet, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe liria e mediave në vend”, sqaron Mijatoviç.

 

Komisionerja thotë, se është vetë-rregullimi ajo që ka rëndësi për Këshillin e Europës.  “Prandaj, i bëj thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i bëjnë ato në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës”, mbyllet deklarata e Dunja Mijatović.

Deklarata e Mijatoviç është një shuplakë ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama, i cili edhe dje nuk u tërhoq nga qendrimi i tij, se portalet duhet të jenë nën kontrollin e AMA-s për të parandaluar shpifjet.  Komisioni i Ligjeve, miratoi dje në parim paketën e cila do të kalojë në Kuvend më 18 dhjetor, me disa ndryshime të papërfillshme, siç është përzgjedhja përmes konkurrimit, e Bordit të Ankesave, një këshill i cili do të ketë fuqi për të gjobitur dhe mbyllur portalet.

Ndërkohë që tek “Media”, anëtarët vendosën të ulnin gjobën për portalet në maksimumi 4 milionë lekë të vjetra, por socialistët nuk tërhiqen nga ekzekutimi i gjobës para vendimit të gjykatës.  Është kjo një nga pikat më të nxehta të paketës anti-shpifje, e njoftuar prej 2 vitesh nga Rama, me arsyetimin se mediat online duhet të funksionojnë në bazë të rregullave.  Komuniteti i gazetarëve, intelektualëve dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kanë dalë kundër draftit duke organizuar edhe një protestë, pasi sipas tyre bie në kundërshtim me Konventën për të Drejtat e Njeriut. Me këtë paketë, Shqipëria bëhet vendi i parë në Evropë që gjobit gazetarët me vendime administrative, dhe i jep fuqi të plotë AMA-s, si një gjykatë për mediat.

(F.g./dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike dunja mijatovic edi rama paketa anti shpifje dunja mijatovic edi rama paketa anti shpifje

Sondazh

Poll