Aktualitet

Vrasja e dyfishtë në Roskovec/ Arrestimi i autorit dhe dy djemve të tij, dyshohet për vrasje në bashkëpunim

Ndërkohë është arrestuar edhe T. Z 67 vjeç për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit".

11 Shtator 2024, 12:09 Nga S.B
Vrasja e dyfishtë në Roskovec/ Arrestimi i autorit dhe dy djemve
Dy viktimat dhe autori

ROSKOVEC- Policia ka zbardhur detaje të vrasjes së dyfishtë se cila ndodhi ditën e djeshme në Roskovec. Sipas njoftimit janë arrestuar autori Altin Kuka 49 vjeç, dhe dy djemtë e tij Ervis Kuka 21 vjeç dhe Emaurisio Kuka 18 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me automatik xhaxha e nip Lavdimir dhe Gramos Kurtaj.

Mendohet se shkaku i krimit ishte një grindje mes fëmijëve dy ditë më parë. Ndërkohë është arrestuar edhe Tomor Zyka 67 vjeç për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit".

Babai i Altin Kukës, Y. K 79 vjeç është proceduar penalisht për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive". Ndërkoë pas kontrolleve u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë.    

Ngjarja tronditëse ndodhi mesditën e djeshme (10 Shtator) në fshatin Kurjan të Roskovecit. Viktimat po pinin kafe kur u qëlluan me breshëri automatiku. Pas krimit Altin Kuka u vetëdorëzua në polici, ndërsa disa orë më vonë u arrestuan edhe djemtë e tij.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Roskovec, ku u vranë me armë zjarri 2 shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. K., 49 vjeç, E. K., 21 vjeç dhe E. K., 18 vjeç (babai dhe 2 djemtë e tij), të tre banues në Fier, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri automatik, shtetasit L. K., 46 vjeç, dhe G. K., 52 vjeç, për motive të dobëta;

-T. Z., 67 vjeç, banues në fshatin Çukalat, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit", parashikuar nga neni 302 i K. Penal.

Gjithashtu, u refruan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shkak të moshës, për shtetasin Y. K., 79 vjeç, banues në fshatin Kurjan (babai i shtetasit A. K.), për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive", parashikuar nga nenet 278 dhe 280 i K. Penal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

roskovec vrasje

Sondazh

Poll