Sport

Goditet banda e basteve në Kinë, ndalohen 43 persona që trukonin ndeshje futbolli!

Hetohen 120 lojëra që dyshohen për “raste te basteve online, trukimeve dhe ryshfetit”. Tre ndërkombëtarë në mesin e 43 personave që u ndaluan.

10 Shtator 2024, 18:00 Nga DOSJA

Goditet banda e basteve në Kinë, ndalohen 43 persona që trukonin

KINE - Federata Kineze e Futbollit (CFA) ndaloi 43 persona të marrin pjesë në aktivitete të lidhura me futbollin për shkak të përfshirjes së tyre në trukime ndeshjesh dhe forma të tjera korrupsioni.

Zhang Xiaopeng, një zyrtar i lartë i policisë kineze, publikoi detaje të një "hetimi dyvjeçar, që zbuloi një sërë rastesh të basteve, trukimeve dhe ryshfetit" në një konferencë për shtyp të martën, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve.

Sipas Xinhua, hetimi përfshinte 120 ndeshje të kampionatit kinez, 128 të dyshuar për krime dhe 41 klube. Në mesin e personave të ndaluar, 38 ishin lojtarë dhe 5 ishin punonjës të klubeve të ndryshme.

Ish-lojtarët e kombëtares kineze Jin Jingdao, Guo Tianyu, i cili luajti për Vizela në 2022, ku luajti vetëm tre ndeshje dhe Gu Chao u ndaluan të marrin pjesë në aktivitete të lidhura me futbollin përgjithmonë.

Lojtarët dhe zyrtarët e tjerë morën dënime më pak të rënda, duke përfshirë lojtarë të huaj të joshur në Kinë nga premtimi i pagave të larta.

Koreano-jugori Son Jun-ho, i cili luajti për Shandong Taishan të Kinës dhe kamerunasi Ewolo Donovan, i cili luajti për Heilongjiang Ice City, u pezulluan për pesë vjet.

Veprimet e Sonit "shkelën rëndë etikën dhe sjelljen sportive, duke shkaktuar një ndikim të rëndësishëm negativ në shoqëri",- thuhet në deklaratën e federatës.

Presidenti kinez Xi Jinping ka premtuar ta bëjë Kinën një superfuqi futbolli, por ekipet e meshkujve nuk kanë pasur shumë sukses. Premtimet për të ndërtuar fusha të reja dhe për të punësuar staf dështuan, në një kohë kur klubet kineze po përpiqen të rindërtohen pas ndikimit të pandemisë Covid-19.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll