Sport

Piers Morgan rikthehet për të mbrojtur Ronaldon, teksa sulmon trajnerin e Man.Unitet: "Ten Hag është një idiot i plotë"

Gazetari anglez shprehet se Manchester United është më keq se sezonin e kaluar

10 Shtator 2024, 17:13 Nga DOSJA
Piers Morgan rikthehet për të mbrojtur Ronaldon, teksa sulmon

ANGLI - Gazetari anglez Piers Morgan, i cili bëri intervistën me Cristiano Ronaldon pas largimit të portugezit nga Manchester United, e shkatërroi Erik ten Hag në një deklaratë për programin 'talkSPORT'.

Morgan, i cili asnjëherë nuk e fshehu miqësinë me yllin portugez, vlerësoi edhe një herë kapitenin 39-vjeçar të skuadrës portugeze, i cili së fundmi arriti të shënojë 901 gola në karrierë.

"Ten Hag është një idiot i plotë. Më vjen keq, por ai është. Ai ka qenë një idiot që kur mbërriti në United. Është gjithçka që Cristiano Ronaldo më tha se ishte në atë intervistë, gjë që e bëri atë të largohej nga United." 

Portugezi u përplas me trajnerin holandez të “Djajve të Kuq” dhe përfundoi duke u larguar nga klubi në fund të vitit 2022 për të shkuar në Al Nassr, ku qëndron edhe sot e kësaj dite. "A e dini se cili është problemi i Ten Hag-ut? Ai është si ai mësuesi i vogël në një shkollë, i cili nuk di si të merret me talentin suprem akademik."

Dhe më pas ai shpjegoi se çfarë donte të thoshte. "Shikoni lojtarët me të cilët nuk mundi të merrej, Cristiano Ronaldo, Jadon Sancho, Marcus Rashford... Të gjithë lojtarët më të mirë. Ai mund të merret me "më të vegjëlit", me djemtë që sjell nga Ajax dhe që kurrë nuk kanë qenë në një klub të klasit botëror, por jo me futbollistë të mëdhenj”.

Manchester United humbi dy nga tre ndeshjet e para në Premier League këtë sezon dhe Morgan nuk ka dyshim se skuadra është "përkeqësuar" në krahasim me sezonin e kaluar, kështu që ai nuk beson se “Djajtë e Kuq” nuk do të arrijnë të përfundojnë në “Top 4”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll